Katastrofa që po u bëhet votuesve

Apr 18, 2024 | 11:12
SHPËRNDAJE

NGA BESIM NDREGJONI besim-ndregjoni

Nji katastrofë, nji masakër masive, nji gjenocid i vërtetë u bëhet votuesve shqiptarë nga ndryshimet kushtetuese të 2008!

“Një demokraci pa vlera, – kan shkrue n’ Encilklikën Centesimus Annus – mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia 34-vjeçare e pluralizmit shqiptar! Vuajmë ende hijet e tejzgjatuna të sistemit kriminal stalinian që trullosi mendjet tona”.

Kështu shkruante disa vite më parë në gazetën “Panorama” Sami Repishti, një nga ata që vuajti vetë për 10 vite ferrin shqiptar të diktaturës, por që nuk reshti kurrë që të kërkojë nga shoqëria shqiptare që të guxojë të hedhë sytë nga e shkuara nën diktaturë për ta lexuar atë me gjithë tronditjen e madhe të saj.

Gjatë këtyre 34 vjetëve, politika shqiptare, vazhduese e komunizmit, tri shtylla kryesore dhe të pacenueshme të demokracisë i ka shkelur dhe i ka denigruar. Ato janë:

1.Të drejtat dhe liritë e njeriut, sidomos në fushën e së drejtës kushtetuese të të përndjekurve politikë dhe në aktet ndërkombëtare për dënimin e terrorit të shkaktuar nga diktatura.

2. Prona, pronarit të ligjshëm.

3. Vota e lirë.Misioni i votës së lirë asht një përgjegjësi e paevitueshme për botën ku jetojmë. Këtu lind shpresa për një nji jetë që nuk është skllavëri. Me votën e lirë, të gjithë ngrihemi nalt e fitojmë betejën morale, shpresën për të gjithë ata që kërkojnë lirinë, pa lejue që fitorja e përbashkët të kthehet në tragjeditë tona individuale, si në komunizëm. Sot shqiptarët janë të djegun për liri e demokraci. Shqiptarët janë të sigurt që, nëse e tashmja është në duar të politikanëve, të oligarkëve të pseudopushtetit në Shqipëri, e ardhmja i takon lirisë dhe demokracisë.

Partia Demokratike që mori përsipër në ‘90 për të i sjellë lirinë, demokracinë dhe ta bënte Shqipërinë si Europa, nuk e kreu me sukses këtë mision të madh kombëtar, që kishte nevojë shoqëria poskomuniste, por u zhyt në ideologjinë komuniste për pushtet, duke anashkaluar parimet bazë të ndërtimit të demokracisë. Demokracia shqiptare u godit që në lindjen e saj nga kjo klasë politike sunduese nga mosdënimi i krimeve të diktaturës. Partia që kishte kryer krime makabre jo vetëm nuk u dënua me ligj, por u bë bashkudhëtuese në pluralizëm dhe përdori tërë ideologjinë e gënjeshtër, ideologjinë e mashtrimit të denigrimit kundra sistemit demokratik që sa kishte lindur. Kjo forcë politike ka tri dekada që mbron paraardhësit e saj, xhelatët që kryen krime në dhunimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe misioni i saj ishte marrja e pushtetit me anën e dhunës, siç ndodhi me revolucionin e ’97, ku nëpërmjet bandave të krimit mori pushtetin e ashtuquajtur me “Votë” falë dhe dakordësimit të udhëheqjes së ashtuquajtur Partia Demokratike.

Partia Demokratike erdhi si lëvizje populiste me parulla dhe dogma komuniste dhe nuk e ndërtoi filozofinë e saj me program konservator, për të cilin kishte nevojë shoqëria e traumatizuar nga gjenocidi diktatorial enverist. Përdorte parulla bolshevike “Poshtë komunizmi” dhe krimet e komunizmit nuk i dënonte, dhe vazhdon të mos i dënojë edhe sot mbas 34 vitesh pluralizëm politikë. Iu bashkua heshtjes së mosdënimit të krimeve të komunizmit, që i kishte kryer Partia e Punës, që mbrohej në demokraci me ndërrimin e emrit si Parti Socialiste.

Në vitin 1997, mbasi mori pushtetin, Partia Socialiste vazhdoi e qetë sundimin duke dhunuar votën e lirë, duke tjetërsuar pronën e ligjshme, duke dhunuar të drejtat dhe liritë e të përndjekurve politikë dhe duke i kthyer institucionet e shtetit në shërbim të pushtetit të saj. Gjykata Kushtetuese e 1997-s u mbush me gjyqtarë e prokurorë të diktaturës që kishin kryer krime dhe i dhuroi pushtetin PS në 2001 me vendime të Femi Avdiut ishgjyqtari i komunizmit, që kishte varun në litar Havelin shqiptar, Havzi Nelën dhe kjo gjykatë jepte mandate deputetësh me shumicë në favor të PS pa pyetur për vota.

Misionin i saj ishte dhunimi i institucionit të votës së lirë. Dhe vota e shqiptarëve ka 34 vite që denigrohet dhe përsëritet çdo palë zgjedhjeje se po e rregullojmë me ligj dhe e kanë politizuar në atë mënyrë barbare, vetëm vota të mos jetë në shërbim të qytetarëve, por të pushtetit të dy forcave politike.

Në vitin 2005 u ndërrua pushteti, jo falë votës së lirë të qytetarëve, por marrëveshjeve të fshehta në mes të dy forcave politike, PS e PD. Goditja e dytë që iu dha votës së lirë të shqiptarëve ishte marrëveshja e 2008-s, e cila për nga përmasat ligjore është e barabartë me Kushtetutën e viti 1976 të diktatorit Hoxha. Kjo marrëveshje e shndërroi votën e lirë jo në shërbim të popullit votues dhe konkurrencës politike, por në shërbim të kryetarit të partisë, duke shkatërruar pluralizmin e duke e kthyer kryetarin e partisë në një diktator, që i merr të gjitha pushtetet dhe i përdor për të mbajtur sundimin e tij absolut

Jemi i vetmi komb në Europë që nuk lejojmë votën e lirë dhe nuk lejojmë konkurrencën dhe kemi politikanë sundues prej tri dekadash, duke u mohuar shqiptarëve lirinë. Kjo klasë politike s’ka asnjë ndryshim me diktaturën. Të njëjtët udhëheqës politike në ‘90, të njëjtët në 2024.

Marrëveshja e 2008 u mor nga sistemi spanjoll, një sistem monarkist, që s’kishte asnjë lloj baze ligjore me sistemin republikan parlamentar, siç trumbetojnë këto parti në Shqipëri.

Në deklaratat publike, udhëheqësit e këtyre partive e urrejnë sistemin monarkist, por Kodin Zgjedhor e marrin nga monarkia, kjo është “demokracia” që na servirin këta kryetarë partish. Vota është ndërgjegjja e qytetarit dhe nuk ka të drejtë ta tjetërsojë atë asnjë lloj institucioni politik kushdo qoftë ai, me pushtet apo pa pushtet. Përse nuk lejohet që vota e lirë të shkojë, aty ku dëshiron e voton qytetari? Përse-të e kësaj lloj demokracie alla komuniste nuk kanë fund.

Vota e lirë është shpirti i demokracisë. ªdo deformim i saj e çon atë drejt vdekjes së sigurt. Demokracia shqiptare ndodhet sot në një lëngim të vazhdueshëm, po vuan pasojat e këtij fenomeni që riciklohet herë pas here nga ata që duan pushtet për para, e para për pushtet.

Kjo klasë politike po i shtrin çdo ditë e më shumë metastazat e veta kanceroze në jetët e shqiptarëve, duke u kthyer në një shpresëvrasëse e një gijotinë ëndrrash për ta. Sot shqiptarët janë një popull në arrati, ku vetëm pamundësia për t’u larguar nga ky vend ka zëvendësuar klonin e dikurshëm të diktaturës. Shoqëria shqiptare duhet të bëjë përgjegjëse politikën shqiptare për gjendjen e mjerueshme, ku ndodhen sot shqiptarët.

Shqiptarët sot përjetojnë dhimbshëm një vdekje për së gjalli në atdheun e tyre, që është kthyer në një varrezë gjigante për këdo që është i ndershëm dhe i drejtë, dhe parajsë për çdo horr e bandit, kusar e kriminel. Ne sot jemi kthyer në një popull të pafuqishëm nga një pamundësi e detyruar për të ndryshuar këtë gjendje ku jemi nga deformimi i vazhdueshëm i votës dhe nga kornizat e hekurta që ka krijuar sistemi në përcaktimin e saj.

Ky sistem zgjedhjesh u bë terren i favorshëm për lindjen, vegjetimin e harlisjen e pushtetit, i cili sot harbon pa zot, i shpenguar në shkretëtirën saharajane të politikës shqiptare.

“Nji katastrofe, nji masakër masive, nji gjenocid i vërtetë u bëhet votuesve shqiptarë. Këta poitikanë që mendojnë vetëm për të marrë mandatin e deputetit dhe jo për të ndërtuar demokracinë për të cilën vuajtën shqiptarët për 50 vite… Katrahura politike që ngriti kokën mbas shembjes së turpshme të komunizmit ashte nji plagë e randë. Shqipëria meriton ma shumë se tërheqja e ‘karriges’ në pushtet dhe përfitimi nga korrupsioni.

Shqipëria meriton nji shtet e nji shoqëni të lirë, të lirë nga frika, sidomos frika qeveritare dhe të lirë nga uria, papunësia dhe varfëria… Shqipëria meriton nji sistem politik të hapet, transparent dhe plot respekt për çdo qytetar të lirë. Shqipëria meriton nji emën që të respektohet nga bota e jashtme. Shqipëria meriton këtë respekt, sepse e ka pague randë detyrën që vuni mbi shpatullat e saj, nji histori e egër e imponueme mbi shqiptarët pa pëlqimin e tyne.

Shqipëria meriton nji të ardhme të lumtun e premtuese, sepse ka derdhë gjakun si lum për liri, pronë e votë të lirë. Zotërinj deputetë, Shqipëria ka nevojë për votë të lirë, për pluralizëm, për liri konkurruese dhe aspak për deputetë që nuk dënojnë krimin dhe nuk lejojnë popullin të votojë i lirë! Historia do të ju dënojë në qoftë se ju i mohoni votën qytetarit.

Abrogoni marrëveshjen e 2008 dhe kthejani pluralizmin dhe konkurrencën shqiptarëve. Kjo nuk ashtë Shqipëria për të cilën kemi luftue. Kjo nuk ashtë Shqipëria demokratike, Shqipëria e qytetarit të lirë për të cilën ne kemi andrrue. Mos harroni, sepse harresa ashtë vdekja e jonë e dytë. Mos na mohoni votën e lirë, se drejtësia do të ju dënojë, zotërinj deputetë”!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura