Karnavalet e vonuara në Shkodër

Feb 26, 2024 | 7:45
SHPËRNDAJE

ARBEN LAGRETAARBEN LAGRETA

Që prej afro 20 vjetësh kur festa tradicionale e karnavaleve në Shkodër u rikthye në mënyrë të rregullt në identitet dhe festohej rregullisht vit pas viti në 10-ditëshin e parë të shkurtit, për të gjithë qytetarët e Shkodrës, ajo identifikohej dhe ende vijon të identifikohet me biznesin e maskave veneciane të Edmond Angonit, bashkëshortit të prefektes së qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni.

Kjo e fundit, e emëruar në mënyrë guerilase në këtë detyrë pikërisht në kulmin e pandemisë për faktin e thjeshtë se ka qenë anëtare aktive e stafit elektoral të kandidatit fitues të PD-së për kryetar të Bashkisë së Shkodrës në zgjedhjet lokale 2007, si dhe e të njëjtit person përsëri fitues për deputet të opozitës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Pavarësisht se nuk ishte në gjendje të fitonte as në zgjedhjet lokale të vitit 2022 kundër Bardh Spahisë pas tejzgjatjes së paligjshme të mandatit të Voltana Ademit, megjithëse opozita, siç dihet, hyri e përçarë, Majlinda Angoni u riemërua çuditërisht prefekte e qarkut të Shkodrës, sepse në bazë të ligjit elektoral, ajo ishte obliguar që të jepte dorëheqjen kur kandidoi për kryebashkiake. Por nuk është ky thelbi i këtij shkrimi, por mënyra se si u festuan sivjet karnavalet në Shkodër.

I kthyer thuajse në një kantier ndërtimi si pasojë e fushatës së rikonstruksionit të pallateve të banimit por jo vetëm, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, kishte njoftuar në avancë për shtyrjen e festimeve të kësaj feste për arsye teknike që lidheshin me volumin e madh të punës që kishte dhe ka çdo ditë kjo bashki në këtë fazë. Por, shtyrja ishte vetëm njëra anë jofavorizuese për protagonizmin e dëshiruar nga Angoni. Sikur tersi të ishte mobilizuar kundër saj në të tria ditët e planifikuara nga Bashkia e Shkodrës për festimin e karnavaleve, ka rënë shi thuajse i pandërprerë ç’ka bëri thuajse të pamundur realizimin e performancës së karnavaleve, kryesisht në pedonale, por edhe në rrugë të tjera karakteristike të Shkodrës.

Për pasojë, karnavalet u panë më shumë në mjediset e hollit të Bashkisë së Shkodrës, si dhe brenda në lokalet e pedonales dhe ato të Gjuhadolit. Qysh në krye të herës kur në pjesën e parë të shkurtit kur duheshin mbajtur karnavalet, koha mbante si pranverë si rrallëherë, trishtimi filloi të përvijohej tek Majlinda Angoni, sepse këtë vit kryetari i bashkisë as që po ia varte më asaj. Tek e fundit, caktimi i datës së festimeve në qytet është një kompetencë e kryetarit të bashkisë. Por jo vetëm kaq. Në shumë pritje të organizuara nga Bashkia e Shkodrës me personalitete vendëse dhe të huaj kohët e fundit nuk është parë më që Benet Becin ta shoqëronte Majlinda Angoni gjatë inspektimeve në terren.

Mbase mund të gjejë shpjegim këtu edhe ftohja që e demonstruan të paktën dje, ku kryetari i bashkisë Beci mori dukshëm frenat e qytetit të madh verior. Ndërkohë, ardhja e kryeministrit Rama në Shkodër thjesht ka bërë që ushtria e gazetarëve dhe e eskortës që e shoqëronte t’i shkonte nga pas, por kjo nuk ka çuar peshë aspak në lidhje me mosorganizimin e duhur të këtij eventi, ashtu si vitet e tjera. Kjo sepse për çdo vit kushdo që i ka ndjekur lajmet në Shkodër, do të shfaqej para kamerave duke folur për suksesin e biznesit të maskave veneciane, pronarin e fabrikës së këtyre maskave, Edmond Angonin ose dhëndrin kollovar që erdhi në Shkodër nga vendlindja e tij Gjirokastër, ose bash vendlindja edhe e Enver Hoxhës. Për çdo vit Mondi rrekej t’u mbushte mendjen qytetarëve të Shkodrës se në sajë të prodhimit në seri të maskave veneciane në Shkodër, italianët në Venecia i thyenin dyqanet për të blerë këto maska shumë cilësore. Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe.

Këtyre maskave askush nuk ia var në Venecia apo kudo në Itali, nëse ekzistojnë, sepse italianëve nuk po iu shiten të vetat e jo më që të shkojë Edmondi e t’u mësojë atyre se si bëhen maskat. Pra, tregtimi i maskave veneciane në fakt është një biznes i falimentuar i Angonit, sepse këtë e vërteton edhe numri shumë i kufizuar i punonjësve që ka. E gjendur në këto faktorë kokëfortë dhe stresues, të premten, të shtunën dhe të dielën nuk u pa që të shëtiste shend e verë Majlinda e veshur firmato, e cila nuk linte pritje që bënte kryebashkiaku Beci për t’iu rrasur nga mbrapa e me këtë rast për me mujt me marrë ndonjë copë të vogël të suksesit tij, duke i bëre fresk anash. Por sidoqoftë, zonja Angoni nuk ka pse të shqetësohet sepse biznesi i maskave nuk është i saj, por i bashkëshortit. Kurse ajo vetë është shumë e talentuar edhe për faktin se vjen nga shkencat ekzakte. Ajo, një aktiviste e dalluar e të drejtave të njeriut që prej 30 vjetësh në Shkodër e konkretisht për barazinë gjinore dhe në mbrojtje të të drejtave të grave dhe vajzave të keqtrajtuara dhe të dhunuara jo vetëm në qytetin më të madh verior, por në tërë rajonin e Veriut, ku edhe siç dihet, këto probleme të mentalitetit dhe të pasigurisë janë më të mprehta se në pjesën tjetër të vendit.

Qysh në vitet ’90, Majlinda Angoni është në krye të një organizate jofitimprurëse të barazisë gjinore dhe në emër të mbrojtjes së grave të dhunuara, mbrojtjen e tyre nga keqtrajtimet si dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në përgjithësi. Në stafin e saj ishin dhe janë ende ish-drejtues institucionesh, ndërkohë që po nga ai staf janë përgatitur kuadro talente, të cilët vetëm pas disa vitesh punë tek OJF-ja e Majlindës, janë emëruar në poste drejtuese në rang rajonal në Shkodër. Ç’ka do të thotë se Majlinda Angoni i ka rrënjët të ngulura thellë në politikë dhe se nuk e ka problem nëse luan me dy porta, ose se transformohet brenda 24 orësh nga demokrate në socialiste mavi. Sepse Partia Socialiste e Shqipërisë së sotme, ose Rilindja, vetëm me filozofinë e së majtës nuk ka të bëjë fare.

Po fare, fare. Ashtu si jo pak shoqata abuzuese mjedisore, të cilat i kam denoncuar prej mese 15 vjetësh jo vetëm në shtypin shqiptar, por edhe atë të huaj, edhe në rrjetin e organizatave të shoqërisë civile ka sa të duash shkelje në raport me shumat e deklaruara si fituese në projekte si dhe kostos së tyre reale të implementimit në terren. Ndërsa për të folur për situatën e grave dhe vajzave të dhunuara në këtë rajon historikisht më të varfër të vendit, më duket se nuk ka nevojë, sepse thuajse çdo natë dëgjojmë lajme, të cilave nuk do të donim të besonim si vrasje me paramendim, e vrau nga xhelozia, u trafikuar para 20 vjetësh etj., etj.. Atëherë çfarë ka ba Majlinda për barazinë gjinore në Shkodër? Ka bërë vetëm një vrimë në ujë e asgjë më tepër.

Qytetarët shkodranë janë shumë të ndjeshëm kur është fjala për të përkrahur nisma inovative dhe bashkëkohore, por janë po aq në gjendje që t’i kërcasin letrat në xhep kur të zënë mat. Ashtu, si edhe u zu këtë sezon kapelash, prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni, e cila përveç kësaj, kapërceu me sukses kahun politik njëlloj si dikur në shkollë kur kërcente bukur dans. E përballë ndjeshmërisë politike të qytetarisë së majtë shkodrane Lideri Suprem Global & Rajonal nuk din gja se kohët e fundit është përqendruar në zgjidhjen e situatës në Gjirin Persik. Kurse kryetari i grupit parlamentar të PS-së dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, kur e kanë pyetur me indinjatë për këtë emërim të papranueshëm i është shmangur përgjigjes duke e ndërprerë bisedën me justifikimin “ika se po më thërrasin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura