“Kaos urban, investimet e kompanisë 5D të lëna përgjysmë”- Anëtari i kryesisë së “Rithemelimit”: 4 milionë euro fond për rehabilitimin e qendrës Kinostudio

May 25, 2024 | 11:47
SHPËRNDAJE

Anëtari i kryesisë së “Rithemelimit”, Grigels Muçollari, ka deklaruar se investimet e kompanisë 5D janë lënë përgjysmë.

mucollari-1024x711

Ai është shprehur se qendra Kinostudio, e cila duhej të rehabilitohej brenda 1 viti, është kthyer në kaos urban dhe prej 3 vitesh punimet ende s’kanë përfunduar.

Muçollari deklaroi se kompania ka marrë rreth 4 milionë euro fond, nga taksat e qytetarëve të Tiranës, po zona është kthyer në ferr për banorët.

 

Deklarata e plotë:

Korrupsioni i Bashkisë së Tiranës është një sfidë e madhe, një e keqe që i prek qytetarët, i dëmton ata, i ndikon jetën e përditshme. Korrupsioni i drejtuesve të Bashkisë, i Erion Veliajt, ka të bëjë me njerëzit. Kur ata vjedhin, është një shërbim, është një investim, është një e mirë që u mohohet banorëve, familjeve, komunitetit.

Jemi këtu pranë Kinostudios në Tiranë, siç e shihni në një kaos urban, në një punë të lënë përgjysmë. Ky investim, ju dha kompanisë së drejtorëve të Veliajt, ju dha të famshmes 5D.

WhatsApp-Image-2024-05-25-at-10.08.29-931x1024

Mbi 3 vite që kane nisur punimet. Rreth 4 milionë euro fond, nga taksat e qytetarëve të Tiranës. Ja ku jemi sot. Një ferr për banorët e për këdo qe e sjell puna këndej.

Sipas kësaj tabele, që tani Bashkia e ka hequr, rehabilitimi i qendrës Kinostudio, do të merrte 12 muaj. Kanë kaluar 3 herë nga 12 muaj.

Paratë me siguri drejtorët e Veliajt i kanë marrë se u duheshin për hotelin luksoz që po ndërtojnë në Durrës. Po detyrimi ndaj publikut, ndaj qytetarëve, ndaj ligjit?

Kush mban përgjegjësi sot për këtë katrahurë e abuzim?

Askush nuk ka dalë të japë një sqarim. Sepse ky nuk është i vetmi kantier i 5D në Tiranë i lënë përgjysëm. Po ashtu është shëtitorja tek Liqeni i Thatë. Kush do përgjigjet pra? Përgjegjës sigurisht është Erjon Veliaj.

Për këto afera në kurriz të njerëzve ai duhet të shkojë sa më shpejt para ligjit dhe të largohet nga zyra që ka turpëruar.

I ftoj qytetarët të bashkohen në protestën para Bashkisë të martën, për të kërkuar drejtësi. Drejtësi për ata, për banorët, për qytetin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura