“Kanë uzurpuar vulën e PD-së”/ Bardhi i përgjigjet kandidatit të “Shtëpisë së Lirisë”: Elton Bano i ka shërbyer Ramës, ja si punoi që PS të vinte në pushtet

Feb 9, 2022 | 17:53
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha prezantoi sot në Lushnje, kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për bashkinë e këtij qyteti për zgjedhjet vendore. Elton Bano gjatë fjalës së tij u shpreh se vula e PD-së është e uzurpuar.

gazmendbardhi-ilirbano

Për këtë ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi. Me anë të një postimi në Facebook, Bardhi shkruan se Elton Bano ka punuar më herët me LSI-në për të sjellë në pushtet Partinë Socialiste.

Sipas tij, Bano ka punuar prej vitesh në mbështetje të kandidatëve të PS-së për zgjedhjet vendore të 2015-ës dhe 2017-ës, respektivisht Fatos Tushen dhe Tatiana Piron.

Reagim i Sekretarit të Përgjithshëm të PD:

Koalicioni LSI – PDK në Lushnjë paska shpifur sot kundër PD. Demokratët e Lushnjës e kanë të qartë se kush i ka shërbyer Edi Ramës në Lushnjë që nga 2007.  Faktet më poshtë po i listoj për çdo demokrat në Shqipëri, se demokratët e Lushnjës janë të qartë:

Është fakt që kandidati i LSI+PDK Elton Ilir Bano në 2007 ka punuar për kandidatin e LSI për Bashkinë Lushnje Albert Sanxhaku kundër kandidatit të PD Florian Dani.

Është fakt që kandidati LSI -PDK Elton Ilir Bano  në 2011 ka këmbëngulur dhe mbështetur që Bashkia Lushnjë t’i lihet zonë e lirë LSI.

Është fakt që kandidati LSI-PDK Elton Ilir Bano në 2013 ka punuar për LSI duke mbështetur ardhjen në pushtet të Edi Ramës.

Është fakt se kandidati LSI-PDK Elton Ilir Bano në 2015 ka mbështetur kandidatin e PS-LSI Fatos Tushe kundër kandidatit të PD Darien Xhindoli.

Është fakt që kandidati LSI-PDK Elton Ilir Bano në vitin 2017 ka punuar hapur për kandidaten e Partisë Socialiste Tatiana Pirro duke mbështetur qëndrimin në pushtet të Edi Ramës.

Është fakt që në 2022 kandidati i LSI-PDK Elton Ilir Bano po shërben si oksigjen për kandidaten e Edi Ramës në Lushnjë në dëm të demokratëve lushnjarë dhe Partisë Demokratike.

Strehimi i Elton Ilir Banos në “Shtëpinë e Ilirit” dhe LSI nuk është lajm i ri për demokratët e Lushnjës; është thjesht bashkëpunimi i radhës! Ndërkohë që demokratët e Lushnjës janë bashkë, në shtëpinë e tyre – Partinë Demokratike, në mbështetje të kandidatit të PD Indrit Sefa, kundër Edi Ramës dhe kandidates së Taulant Ballës në Lushnjë.

ilirbano

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura