Kandidat në garë? Si fitohet?

May 6, 2015 | 12:27
SHPËRNDAJE

MANDETA MINXHOZI

   Aftësi ligjëruese… jo shterpësi në ligjërime! Fjalë e fjalë, e fjalë …lumë fjalësh, diarre fjalësh, intensitet shumë i shpejtë në të folur, nuk të çojnë në fitore. Mos e mendo popullin injorant sa nuk e kupton se sa i /e shtrënguar je, që dështimin tënd si profesionist, menaxher, lider, ish-lider, kërkon ta mbysësh me fjalë e fjalë… Jo gjithmonë kush flet më shumë fiton… As kush është më shumë agresiv/e negative/e në media nuk ngre pikë, përveç tek ata militantë, që në fakt realisht i ke për nga përkatësia partiake.  Militanti nuk vë re si ligjëron, por se cilës parti i përket. Qytetaria të bën të mendosh për të zgjedhur të mirën publike, të analizosh. Militanti ekstrem hedh votën në kuti të partisë së tij, sido që të ligjërosh. Por, në kushtet kur elektorati është gati i ndarë përgjysmë, atëherë do të duhet të luftosh e të marrësh votat e neutralëve që të fitosh dhe, që të fitosh këtë kategori, duhet të dish të ligjërosh; Si?
Aftësi ligjëruese jo thjesht të flasësh, por të bashkërendosh mendimin me gjuhën, dhe të mos flasë as gjuha para mendjes, dhe as mendimi të bllokohet pa u artikuluar nga gjuha. Moda e re në ligjërim përmes batutave është me rrezik nëse nuk bën dot batutë. Ose do të të tallin, ose do të të neverisin.  
Me ligjërimin tënd ose duhet të jesh gjithëpërfshirës në tematika gjithëpërfshirëse, halle gjithëpërfshirëse të elektoratit, ku mban fjalime, ose duhet të jesh i diferencuar në target grupe të veçuara me tematika të diferencuara. Nuk mund të ligjërosh për art nudo në zona ku nuk kanë bukë të hanë.  
Ligjërim empatik? Po, tjetri ka nevojë të ndihet i përfaqësuar në mendimet e tua, shijet e tua si kandidat. Të kuptojë që ti i përjeton dhimbjet, dëshirat etj., sikur je në vend të tij.
Ligjërime premtuese? Premto prioritetet dhe jo gjithçka. Nuk mund të ndryshosh jetët e të tjerëve në katër vjet. Por mund të përmirësosh në disa dimensione. Premton punësim, por si, për çfarë? Nuk mund të premtosh punësim në kozmos nëse ndonjë nga elektorati ta kërkon këtë dhe ti i thua po, për gjithçka. Nëse e bën dhe artikulon po për gjithçka që kërkon elektorati, në fakt jo vetëm që nuk përmirëson imazhin e vetes, por do të etiketohesh demagog, gënjeshtar, mashtrues. Nënë Tereza, humanistja me famë botërore, nobelistja e paqes, me gjithë famën e saj për kontributin e dhënë, ka thënë për veten e saj: “Ajo që kam bërë unë për të varfrit, është sa një pikë ujë në oqean, por nëse unë nuk do ta kisha dhënë këtë kontribut, oqeanit do t’i mungonte ajo pikë ujë”.
Ligjërim politik? Si? Do të mbahesh në partinë tënde nëse ka dështuar në zgjedhje, arritje, demokraci, meritoktaci individuale etj.? Premton dot se do të ndërrosh përbërjen e lidershipit, anëtarësisë së partisë? Nëse jo, atëherë negocio me të ndryshmin tënd!
Premton dot që do të zhvillosh më tej demokracinë në partinë tënde? Nëse jo, mos ligjëro për demokracinë e partisë atëherë.
Premton që do të ndryshosh dot Kodin Zgjedhor, ku listat të mos jenë  zgjedhje ekskluzive e kryetarit të partisë, por drejtpërdrejt në test vote nga terreni? Atëherë mos u mburr që ti je i/e zgjedhuri/e partisë, përfaqësuesi/e partisë, por thjesht shija e liderit të partisë. Thuhet se edhe mizeria e ka shijen e vet…
Premton dot në takime me të varfrit se do të ndryshosh shijet e kryetarit nëse urren të varfrit? Nëse jo, atëherë mos gënje të varfrit se do të gjejnë parajsën kur të fitosh ti, por premto aq sa mund të mbash. Të tallesh me të uriturin duke i premtuar bukën apo jetimit nënën, kur e di që nuk i realizon dot, atëherë je njeri i lig në kufijtë e të tejskajshmes. Madje, nuk je njeri.  
Premton dot në takime me të pasurit se do të ndryshosh shijet e kryetarit për të gjobitur të pasurit se e urren të pasurin, ku nuk është ai vetë? Nëse jo atëherë, premto të paktën që nuk do të lejosh lidershipin t’u shkatërrojë bizneset e arritura deri në këtë fazë.  
Në takime me buxhetorët që jetojnë me rroga, premton dot se do të ndryshosh dot shijet e kryetarit nëse urren të mesmit? Atëherë mos premto se do të punësosh elektoratin tënd në administratë shtetërore, por se do të ruash atë nivel punësimi përtej të majtës e të djathtës, dhe që të paktën nuk do të bësh “kurban” elektoratin tënd sa për t’i treguar kundërshtarit se punëson paanshëm politikisht.  
Premton dot se nuk do të ndryshosh dot mendësinë e kryetarit për të pranuar diversitetin?
Prano të ndryshmin tënd, të kundërtin tënd, mos lufto të ndryshosh kryetarin se nuk e arrin dot, por të premtosh se do të përmirësosh klimën në grup, se do të krijosh një punë në grup me të mirët, për të përhapur sa të mundësh të mirën.
Ligjërim mbi bazë merite individuale apo përkatësie partiake?
Ligjërim mbi bazë përkatësie partiake apo meritokracie individuale? Si individ duhet të tregosh para elektoratit se nuk e ke vlerën si militant i asaj partie që të ka vënë emrin në garim, por se je një njeri i mirë dhe nuk lumturohesh nga shkaktimi i dhimbjeve të tjetrit, se ke qenë një profesionist i mirë me rezultate inovatore, ose një reformator i mirë me reforma të suksesshme pas një feedback-u pozitiv, ose një administrator i mirë me shtime të resurseve njerëzore cilësore dhe financiare, ose një politikan i mirë, që minimalisht nuk shpif për të delegjitimuar statusin publik të rivalit përmes sulmit nga privatja, ose se je njeri me një vetëvlerësim të admirueshëm, i sigurt në atë që përfaqëson vetë dhe se nuk ke zili ndaj të mirës, të bukurës, dhe ndaj asaj që ka tjetri, por që nuk e ke dot ti, se je një njeri që guxon për të luftuar fenomenet negative pa pasur frikën se edhe ty do të të sulmojnë personalisht, se rëndësi ka fenomeni, jo thjesht emri pa ilustruar fenomenin.   
Ligjërim përmes përmirësimit të imazhit të vetvetes? Nëse ke se çfarë mund t’i tregosh elektoratit si vlera individuale, meritë individuale dhe jo thjesht përkatësie partiake, atëherë mos apliko shpesh teorinë e identitetit shoqëror të përmirësimit të imazhit të vetes përmes përkatësisë në partinë përkatëse. Kështu, elektorati do të të vlerësojë si individ, përpos si partiak.
Nëse ke pasur arritje mbi bazë vlerash dhe meritokracie individuale, atëhere mos reklamo teorinë e interesave realë që duhet të jesh në një përkatësi grupi të fortë që të arrish të promovosh interesat vetjakë. Kështu, elektorati do të krijojë besimin te ti që nuk je nga ata “të fortët e tmerrshëm”, dhe që, nëse vjen në pushtet, do të çmosh vlerën individuale të tjetrit dhe jo përkatësinë në grupin e të fortëve.
Zakonisht njerëzve u pëlqen të komunikojnë me të ngjashmit e tyre sesa me të ndryshmin e tij, kapërceje vetveten dhe prano liderin ndryshe, por shërbeji komunitetit ndryshe nga modeli i liderit.
Edhe kur arrin rezultate, famë, meritë, lavdi, përsëri mos mendo se do e kesh më të lehtë dhe nuk do të kesh kundërshtarë, përkundrazi, kundështarët do të të sulmojnë më fort; përgatitu për këtë dhe mos u shqetëso, as komplekso, mos kërko t’u mbushësh mendjen për rezultatet e lavdinë tënde. Kujto Dritëro Agollin me sharmin e tij letrar; “Me zili ma kanë ato lavdinë, ndaj pëshpërisin dhe më shajnë, as ndaj talentit tim zilinë s’e fshehin dot dhe s’e përmbajnë. Më nëmin pa pushim armiqtë, po tigër jam se lëshoj pushtetin, të dykuptimtë e kam lavdinë, të njëkuptimtë e kam talentin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura