Kanceri i qafës së mitrës/ Depistimi dhe parandalimi

Jan 24, 2023 | 14:41
SHPËRNDAJE

Kanceri i qafës së mitrës është një tumor malinj që e merr origjinën nga qelizat e lokalizuara në qafën e mitrës.

3ece9c37-af03-4ec9-8f8f-63839306a521

Sipas statistikave te publikuara nga Organizata Boterore e Shëndetësisë (WHO), kanceri i qafës së mitrës renditet i katërti në rang global ndër tumoret malinj që prekin femrën me 604.000 raste të reja çdo vit nga të cilat 302.000 fatale. 90% e këtyre vdekjeve ndodhin në shtetet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, sikundër është edhe vendi ynë.

Në shtetet me të ardhura të larta ekzistojnë programe vaksinimi që në vajzat adoleshente dhe screening, të cilat u mundesojnë që sëmundja të kapet që në stadet parakanceroze dhe të trajtohet sa më herët.

Prandaj është e nevojshme implementimi i programeve parandaluese dhe diagnostikuese në faza të ndryshme të jetës së gruas. Nëse kanceri i qafës së mitrës kapet herët është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë.

Shkaktarët e kancerit të qafës së mitrës

Në 90% të rasteve shkaktari është infeksioni kronik me një ose shumë lloje të virusit Human Papilloma Virus (HPV). HPV është infeksioni më i shpeshtë seksualisht i transmetueshëm.

Afërsisht 90% e të rejave infektohen një herë gjatë jetës së tyre, por shumica prej tyre arrin ta eleminojë spontanisht dhe vetëm infeksioni që persiston mbi 6 muaj fillon të japë ndryshime në qelizat e qafës së mitrës. Kryesisht llojet 16 dhe 18 të HPV njihen si llojet me rrezik të lartë për shkaktimin e kancerit të qafës së mitrës.

8f752338-2963-40dc-ad4b-8947346e089e

Çdo grua mund të zhvillojë kancer të qafës së mitrës, por më të rrezikuara janë ato që:
 Kanë filluar në moshë të vogël aktivitetin seksual
 Kanë numër të lartë të partnerëve seksualë
 Kane partner qe kanë ose kanë pasur shumë partnerë seksualë.
 Duhanpirëset
 Kanë imunitet të ulur
 Përdorueset e kontraceptivëve oralë të kombinuar
 Gratë që kanë lindur shumë fëmijë

Simptomatika e kancerit të qafës së mitrës
Në stadet fillestare femrat në moshën riprodhuese ankojnë për:
 Hemorragji vaginale midis mestruacioneve
 Hemorragji vaginale pas marrëdhënieve seksuale
 Shfaqja e hemorragjisë vaginale në gratë në menopauzë
 Sekrecione vaginale të shtuara dhe ndonjëherë me aromë të rendë

Në stadet e avancuara të kancerit të qafës së mitrës shtohen edhe:

 Dhimbje mesi ose në fund të barkut
 Lodhje
 Humbje peshe dhe oreksi
 Diskomfort vaginal
 Dhimbje dhe fryrje të ekstremiteteve të poshtme
 Simptomatika në organet e tjera kur kanceri përhapet në trup

Parandalimi i kancerit të qafës së mitrës Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet vaksinimit dhe kontrollit/screening. Qëllimi i kontrollit është që të kapë sëmundjen që në fazat parakanceroze ose kancerit në fazën fillestare në gratë të cilat akoma nuk kanë simptoma të sëmundjes. Shërimi në këto stade është pothuajse i plotë.

Vaksinimi kundër HPV

Në vajzat adoleshente (9-14 vjeç) rekomandohet vaksinimi kundër HPV. Vaksina më e fundit është ajo nanovalente (GARDASIL 9). Rekomandohet që vaksinimi të bëhet përpara ekspozimit ndaj virusit HPV (përpara fillimit të aktivitetit seksual). Në disa shtete ka filluar vaksinimi edhe i djemve adoleshente kundër HPV. Këshillohet përdorimi i prezervativëve, mospirja e duhanit, edukimi në lidhje me praktikat e sigurta seksuale, fillimi i vonshëm i aktivitetit seksual, bërja synet tek meshkujt.

Kontrolli fillon që në moshën 21 vjeçare dhe ndalohet në moshën 65 vjeç nëse ka 3 pap test negativ në 10 vitet e fundit minimalisht.

Pap-test është një test depistues, i shpejtë, jo i dhimbshëm që mund të kryhet ambulatorisht në çdo klinikë apo spital gjinekologjik. Preferohet të kryhet kur gruaja ka mbaruar menstruacionet, të mos ketë kryer marrëdhënie seksuale në 24-48 orët e fundit, të mos ketë përdorur shpëlarës intravaginalë apo ovula në 48 orët e fundit dhe nëse ka ndonjë infeksion prezent preferohet të trajtohet infeksioni fillimisht.

514cd900-d1ed-4843-8a25-aa338e556b80

Testimi per HPV rekomandohet për çdo grua duke filluar nga mosha 30 vjeç. Një test pozitiv HPV nuk konfirmon që gruaja ka parakancer, ai vetëm konfirmon se gruaja është infektuar me HPV. Gjithashtu ben edhe tipizimin e HPV nëse është me rrezik të lartë apo të ulët për të shkaktuar kancer të qafës së mitrës.

Kontrollohu dhe siguroji vetes tënde mundësinë për të kapur sëmundjen përpara se ajo të bëhet kancer!

Përgatitur nga Dr.Rafaela Perisnaka, obstetër-gjinekologe

Ky botim është realizuar në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e organizatorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Kongresit Rinor Kombëtar apo Bashkisë Tiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura