“Kam pirë shumë qumësht”, Broja tregon takimin si rival me idhullin Ronaldo: Ishte çmenduri, mendova të mos e bezdis

Mar 4, 2022 | 19:52
SHPËRNDAJE

Vendimtar në Premier Ligë, i tillë edhe në Kupën FA. Armando Broja e dërgoi në nëntë numrin e golave të tij mbrëmjen e së mërkurës, kur fitoi një penallti dhe shënoi edhe golin që vulosi triumfin 3-1 ndaj Uest Hemit. Falë formës së shkëlqyer që po kalon, 20-vjeçari shqiptar është kthyer në një kryefjalë te Sauthemptoni dhe jo vetëm, duke fituar vëmendjen e të gjithëve.

Broja

“Shenjtorët” kanë zbuluar një yll të ri dhe shpresojnë që ky shkëlqim të vazhdojë sa më gjatë. Sulmuesi shqiptar ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit, ku ka treguar këto 6 muaj të parë në skuadër, ambiciet dhe objektivat e tij. Broja ka folur me superlative për klubin, ndërkohë që është ndalur edhe te cilësitë e tij që po bëjnë difenrencën.

Ja prononcimi i Brojës për faqen zyrtare të klubit:

“Po, 100% po ecën shumë mirë. Po i gëzohem çdo minute të kësaj eksperience ekipin, dhe thjesht të jesh këtu është një nder, të kesh mundësinë të luash në Premier Ligë. Ndaj i jam mirënjohës dhe po mundohem të ndihmoj ekipin.

Golat e shënuar? Nuk i shoh shumë këto gjëra, golat dhe asistet vijnë nga puna me ekipin. Nuk i shoh shumë, por nuk mund të them se po shkon keq, ndaj jam i lumtur.

U desh kohë për t’u bërë titullar? Në fillim të sezonit isha pak, jo në lartësinë e duhur, me shumë mundësi nuk po punoja aq sa duhej në stërvitje, nuk po ndihmoja ekipin sa duhej. Pata një bisedë me trajnerin, ai ma shprehu këtë qartësisht dhe unë e kuptova mesazhin, fola me kapitenin Prous, gjeta veten dhe punova shumë për t’u përmirësuar.

Erdha këtu si një i ri, mund të them thuajse si një fëmijë dhe çdo ditë po mësoj, po bëhem burrë. Jam ende i ri, kemi një ekip të ri. Por duke qenë pranë lojtarëve me eksperiencë dhe stafit që të drejton në mënyrën e duhur, e ndjen veten si një familje e madhe, të ndihmojnë të përmirësohesh dhe e shpreh veten më mirë.

Jeta në Sauthempton? Është qytet i mirë, jo shumë i madh, mund të kesh hapësirën tënde nëse je jashtë fubollit, del të shohësh rrotull kur je pushim. Kam shpesh familjen këtu, por kam Livramento e Tella afër dhe mund të shkoj t’i takoj nëse kam nevojë për ndonjë gjë.

Po, familja vjen në çdo ndeshje dhe ka qenë aty që në fillimin e karrierës, ata më prezantuan me futbolli. Kanë qenë në çdo ndeshje, edhe kur isha i ri, në çdo turne. Ata ishin gjithmonë aty. Në shi, në të ftohtë, në borë. Sidomos mamaja ime që më çonte gjithmonë në stërvitje pas shkolle dhe babai im ishte aty. Ata më kanë mbështetur dhe unë gjithashtu.

Të jem i sinqertë gjërat kanë ecur shumë shpejt, ishte çmenduri. Kanë kaluar 6 muaj dhe nuk e  kam kuptuar. Por sigurisht që jam shumë i lumtur me si ka shkuar. Siç e thashë, erdha si i ri dhe çdo ditë po mësoj, po bëj progres me besim dhe falë Sauthempton që më ka ndihmuar në rrugëtimin tim. Shpresoj që të shkojnë sa më mirë, por gjithçka po shkon mirë.

Klubi është i njohur për lojtarët që prodhon dhe i sheh emrat e mëdhenj, si Mane, Van Dajk apo Hojbjerg. Të gjithë kanë qenë këtu. Janë edhe Stefens e Praus të cilët kanë dalë nga akademia. Është një vend i mirë të zhvillohesh, të mësosh, të jesh në një ambient familjar, ndjehesh në shtëpi. Ndjehesh i sigurt, kanë besim te ty dhe mund të shprehësh veten dhe kjo është ajo që të duhet si futbollist. Të jem i sinqertë, ishte gjëja e parë që kisha në mendje.

Shpejtësia? Kam qenë gjithmonë i shpejtë, që që kur isha fëmijë,. Ka qenë një nga pikat e mia të forta. E di që është e vështirë të besohet pasi jam shtatlartë dhe kam këmbët e gjata, nuk dukem i shpejtë, por do të them se është një nga cilësitë e mia, mund të shpërthej nga mbrojtësit e mund të vrapoj me topin. Është pak e çuditshme por kështu është.

Isha i shkurtër kur isha më i ri në moshë, dhe mendoj se rreth 16-17 vjeç u rrita me shumë shpejtësi. Mendoj se kam pirë shumë qumësht (qesh), nuk e di çfarë ishte. Por u rrita shumë shpejt dhe u zgjata. Edhe prindërit e mi u çuditën shumë se sa shpejt u rrita, apo edhe te akademia e Çelsit ku gjendesha atëherë, u çuditën gjithashtu.

Ndërsa rritesha mundohesha të ruaja edhe shpejtësinë se është e lehtë të humbësh shpejtësinë. Babai më çonte shpesh në park duke më thënë ‘duhet të ruash shpejtësinë dhe sprintin, gjëra të tilla, sepse përndryshe mbrojtësit do të të kapin’. Për të ishte me shumë rëndësi që të isha i shpejtë e për gjëra të tilla, ndaj më ndihmoi edhe në këtë aspekt.

Si ishte të luaje kundër idhullit Kristiano Ronaldo? Ishte çmenduri, u mundova të mos e mendoja shumë një gjë të tillë, sepse qartësisht ai ishte kundërshtari im në një ndeshje që ne dëshironim ta fitonim. Po ishte çmenduri, kur e mendon pas ndeshjes, atë që ka bërë në futboll është e pabesueshme. Jo shumë njerëz kanë bërë atë që ka bërë ai në këtë lojë, në fakt vetëm ai dhe Mesi.

broja ronaldo

A i kërkova fanellën? Mendova të mos e bezdisja (qesh). E lashë të bënte atë që donte, por i shtrëngova dorën pas ndeshjes dhe kjo ishte e këndshme. Por nuk i kërkova fanellën.

Momentet për t’u kujtuar? Dua të them se ndeshja e parë në Premier Ligë ishte “uau, po luaj në Premier”. Shumë fëmijë e ëndërrojnë, ndaj ajo ndeshje ishte pak… Ishte ndeshja me Lids ku unë luajta për herë të parë si titullar dhe luanim në shtëpi dhe pritja ishte e këndshme.

Gol te e para si titullar? Një sulmues ka nevojë për besim. I jam mirënjohës trajnerit që më besoi dhe që isha në gjendje të shënoja dhe fitonim ndeshjen, ishte një ndjesi e madhe për mua, familjen dhe punën që kishim bërë për futbollin. Ndjen sikur po shpërblehesh për gjithçka.

Kur je fëmijë, ti i ëndërron këto momente, të luash kundër Sitit, Totenhemit, Junajtid, emrave të mëdhenj në Premier Ligë. Të gjithë duan të luajnë kundër tyre dhe të bëjnë mirë. Mënyra se si ne u paraqitëm si skuadër ndaj tyre ishte mahnitëse, mund edhe t’i fitonim ato tre ndeshje. Shihet në fushë që kemi edhe mbështetjen e tifozëve. Shihet në fushë që po luftojmë për njëri-tjetrin dhe po punojmë shumë.

E ardhmja? Është një pyetje e vështirë pasi unë i marr gjërat hap pas hapi. Nuk dua të shoh shumë para, sepse mund të prishë mentalitetin në mendjen tënde. Mua më duhet vetëm të qëndroj me këmbë në tokë dhe të vazhdoj të punoj shumë, duke ndihmuar ekipin, duke luajtur ndeshje dhe duke luajtur mirë. Unë thjesht po mundohem të fokusohem te futbolli. Po argëtohem me futbollin. Padyshim, Sauthemptoni ka qenë i mahnitshëm, tifozët kanë qenë të mahnitshëm, lojtarët, stafi, më kanë bërë të ndjehem në shtëpi. Më kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë që të rritem si futbollist dhe si person. Ndaj sigurisht i jam mirënjohës Sauthempton, ka qenë e jashtëzakonshme dhe po mundohem të vazhdoj deri në fund të sezonit në këtë rrugë dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Broja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura