“Ka shumë helm brenda”, Braho: Të largohet Agron Tufa, ISKK si seksion i Ballit Kombëtar

Apr 2, 2019 | 13:57
SHPËRNDAJE

ERVIN KOÇI/ Deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho, kërkoi dje shkarkimin e Agron Tufës si drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, ku në rendin e ditës ishte shqyrtimi i projektrezolutës për veprimtarinë e ISKK-së përgjatë vitit 2018, deputeti Braho mori fjalën, duke akuzuar mënyrën e drejtimit të institucionit. Braho u tregua disi i ashpër me Agron Tufën, duke theksuar se po e ka kthyer Institutin e Studimeve të Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në një organizatë të Ballit Kombëtar.

Akuzat e Brahos erdhën, pasi lexoi raportin vjetor të ISKK-së, ku, sipas tij, përdoret një gjuhë urrejtjeje. “Ky institut me Agron Tufën në krye është kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar. Të Partisë së Ballit Kombëtar. Ka marrë përsipër të nxijë çdo gjë, duke përfshirë luftën, heronjtë, dëshmorët dhe nuk ka asgjë shkencore në tërë analizat, që ka bërë ky institut. Ky është thjesht një institut studimi dhe nuk ka pse të ngatërrohet me politikën. Nuk ka pse të operojë me terminologji lustracioni, sepse lustracioni është i ndaluar me ligjin që kemi miratuar”, tha Braho.

spartak-braho-

Deputeti i Partisë Socialiste vijoi më tej qëndrimin akuzues ndaj Agron Tufës, duke theksuar se në qëndrimet e tij ka shumë helm brenda. Ai shtoi se do të votonte kundër rezolutës për veprimtarinë njëvjeçare të institucionit. Madje, Braho shkoi edhe më tej, duke u shprehur se do të kërkojë shkarkimin e Agron Tufës nga posti që mban në Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. “Ka shumë helm brenda në tërë veprimtarinë e këtij instituti. Në këto kushte, unë mendoj që nuk do ta votojë pozitivisht këtë rezolutë.

Madje, do të kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes e të jetë më i ekuilibruar në tërë veprimtarinë e tij”, theksoi deputeti socialist. Pas qëndrimeve të deputetit Braho, reagoi kryetari i Komisionit të Ligjeve. Ulsi Manja, duke zbutur qëndrimin e Brahos, theksoi se Instituti ka për detyrë që të studiojë pasojat e krimeve të komunizmit, në mënyrë që ato të zbulohen dhe të mos harrohen.

REZOLUTA

Qëndrimi kritik i Spartak Brahos nuk reflektoi në rezolutën e Kuvendit për Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Në draftin e miratuar në Komision dhe të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë vlerësohet puna e bërë nga Instituti përgjatë vitit 2018, duke kërkuar vijimin e angazhimit të tij në disa drejtime si: Të vijojë publikimin e të gjitha veprimtarive, që kanë çuar në dhunimin e të drejtave e lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist e veçanërisht në pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë; Të studiojë mekanizmat që u përdorën nga organet shtetërore dhe partiake për të krijuar hendekun ndërmjet kundërshtarëve politikë realë apo potencialë me pjesën tjetër të popullsisë me termin “armik i popullit” dhe qartësimin e rolit të organizatave të masave në këtë përçarje të popullsisë; Të hulumtojë mbi format e rezistencës morale dhe kulturore nëpër burgje apo kampe përqendrimi si dhe shtypjen e ndëshkimin që i pasoi”.

ISSK u ngrit për të studiuar pasojat e komunizmit

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, është miratuar nga Parlamenti shqiptar me vendim nr. 10242, të datës 25. 2. 2010, si Institucion Publik Qendror dhe i Pavarur, që gëzon statusin e personit juridik. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera.

ISKK ka për detyrë të studiojë dhe të vlerësojë objektivisht krimet dhe dëmet e komunizmit në Shqipëri, t’i zbardhë dhe t’i dëshmojë ato në mënyrë të dokumentuar dhe të pakontestueshme. Stafi përbëhet prej 15 specialistësh.

Aktualisht, puna, përveç sensiblizimit të shoqërisë për krimet e komunizmit, është përqendruar në dëshmitë dhe materiale të të mbijetuarve nga diktatura dhe, sidomos, në punën kërkimore nëpër arkivat zyrtare.

Në strukturën e saj, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ka një bord drejtues ku në krye është Uran Butka, ndërsa Jonila Godole është nënkryetare e bordit. Anëtarë janë Gëzim Peshkëpia, Alfred Lako, Vasil Tole, Etleva Shehu dhe Enriketa Papa. Drejtor ekzekutiv i institutit është Agron Tufa.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura