Jonila Godole: “Tirana lexon”, që leku dhe qoka të mos bëjnë ligjin

Oct 19, 2018 | 13:57
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Me vdekjen e librit dhe leximit si proces, shumëçka do të humbasë”. Kështu shprehet Jonila Godole, studiuese e shkencave të komunikimit, pedagoge pranë Departamentit të Gazetarisë, UT, shkrimtare e përkthyese, drejtore ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë(IDMC), e cila prej disa vitesh po përpiqet të shmangë pikërisht këtë: vdekjen e librit.

godole

Ajo është iniciatore e një projekti të titulluar “Tirana lexon”, kthyer tashmë në një “markë” që nxit të lexuarit, por në një mënyrë jo të “dhunshme”. Në datat 22 dhe 24 tetor, ky aktivitet rikthehet nën logon “Tirana Lexon për të kujtuar”. Letërsia e kujtesës do të jetë në qendër të këtij edicioni. Të ftuar do të jenë shkrimtarë e autorë librash kujtese, si Besa Myftiu, Gëzim Peshkëpia, Agim Baçi e Saimir Muzhaka. Ndërsa nuk do të mungojë “Kuarteti Letrar”, ku do të prezantohen 4 autorë: Helena Kadare (“Kohë e pamjaftueshme”), Primo Levi (“A është vallë njeri?”), Ylljet Aliçka (“Valsi i lumturisë”) dhe Ylli Demneri (“Më kujtohet”). Një platformë që nuk ka si qëllim thjesht prezantimin e veprave, por edhe hapjen e debatit mbi to. Për programin e këtij edicioni, për filozofinë e tij, por edhe të lexuarit për të rinjtë, Jonila Godole flet për gazetën “Panorama”.

Jo shumë kohë më parë, INSTAT boton një shifër alarmante. Rreth 1 milion shqiptarë mbi 25 vjeç nuk kishin lexuar një vit më parë, asnjë libër… Ju që operoni në këtë fushë, duke i shtuar edhe komunikimin e përditshëm me studentët, mund të na thoni se sa e besueshme është kjo shifër dhe cila është marrëdhënia e shqiptarëve me librin?

Statistikat në Shqipëri i marr në përgjithësi me rezervë. Nga kontakti im i vazhdueshëm me studentët në Departamentin e Gazetarisë, por edhe me të rinjtë në aktivitetet e tjera që IDMC organizon, kam përshtypjen se të rinjtë lexojnë ndryshe sot: konsumojnë përmes ekranit. Ekrani i smartfonit, i kompjuterit, i tabletit. Prindërit e tyre kalojnë 8 orë në punë, kurse të rinjtë konsumojnë të paktën 10 orë në mediat sociale dhe duke ndjekur filmat, serialet, kanalet e tyre të preferuara. Duhet ta pranojmë se gjenerata “iGen”, të lindurit pas viteve 2000, të cilët e kaluan fëmijërinë e tyre në smartfon, nuk kanë librin, gazetat dhe revistat si pjesë integrale të jetës së tyre, por komunikimin social. Ata lexojnë, natyrisht, por tekste më të shkurtra dhe të plotësuara me fotografi në “Instagram”, në “Tëitter”, në “Facebook” dhe jo artikuj të gjatë, tema të hulumtuara në thellësi që kërkojnë mendim dhe reflektim më kritik. Kjo mbetet një sfidë e edukimit arsimor sot. Si nxënës ashtu edhe studentë, kam përshtypjen se lexojnë vetëm literaturën e detyruar në mësim dhe shumë pak ose aspak material plotësues. Kur pikas sot një student/e që lexon libra jashtë listës së detyruar entuziazmohem vërtet, por është një gëzim i trishtueshëm. Jam e sigurt se i gjithë sistemi arsimor do të përballet me këtë problem në të ardhmen e afërt. Sepse të kuptuarit dhe reflektimi i teksteve dhe çështjeve komplekse kërkojnë ushtrim të vazhdueshëm dhe aftësim në lëmin e leximit. Sidomos, druaj se nëse të rinjtë e humbasin aftësinë për të lexuar në mënyrë kritike, ne do të humbasim si shoqëri qytetarë të angazhuar dhe të mirinformuar, që dinë të dallojnë faktet nga fiksioni në politikë dhe fushat e tjera. Me pak fjalë, me vdekjen e librit dhe leximit si proces, shumëçka do të humbasë.

Në një vend që ka kaq shumë probleme si Shqipëria, a mund të konsiderohet të lexuarit apo libri një “luks”?

Shumë nga ata që na ndihmojnë në organizimin e “Tirana Lexon” na e thonë këtë. Por kam frikë se duke i etiketuar shumë aspekte si “të lexuarit”, “të studiuarit”, “kultivimi intelektual”, “vlerat morale dhe shoqërore” si “luks”, ne po e zhveshim shpirtin nga gjithçka kulturore, duke iu dorëzuar vetëm materiales në një treg të deformuar, ku leku dhe qoka bëjnë ligjin. Më vjen mirë që ka ende shumë institucione të tjera, përveç nesh, që prej vitesh tashmë i përkushtohen kulturës me gjithë sfidat që kjo fushë ka në Shqipëri.

Nga edicionet e shkuara të “Tirana lexon”
Nga edicionet e shkuara të “Tirana lexon”

Por që të kthehemi te “Tirana lexon”… Kësaj here ju fokusoheni te një lloj letërsie, e cila lidhet me kujtesën, ç’ka IDMC i jep shumë rëndësi. Cila është arsyeja dhe cilët janë autorët dhe veprat e përzgjedhura?

IDMC ka në fokus të punës që bën me brezin e ri, kulturën e kujtesës dhe ndërgjegjësimin e tyre për të shkuarën komuniste. Në kuadër të serisë së aktiviteteve “Letërsia si vend kujtese”, kemi mundur prej vitesh të tërheqim vëmendjen e opinionit publik për libra dhe autorë që kanë shkruar për momente të ndryshme historike brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjatë “Tirana Lexon 2018”, publiku shqiptar do të ketë mundësinë të dëgjojë nga afër leximin dhe diskutimin me shkrimtaren Besa Myftiu, që jeton prej vitesh në Zvicër dhe që e trajton këtë temë në të gjitha veprat e saj, edhe kur nuk shkruan direkt për diktaturën. Po ashtu, e rëndësishme është për ne që t’i prezantojmë publikut të gjerë edhe persona që nuk janë shkrimtarë profesionistë, por që përmes biografive të tyre jetësore, me një stil mjeshtëror kanë bërë një skanim të periudhës historike ku kanë jetuar. Siç është rasti i Gëzim Peshkëpisë, i burgosur politik dhe i përndjekur familjarisht nga regjimi. Perspektivën e brezit të ri do ta sjellë Saimir Muzhaka, një autor që ka fituar çmimin e Ministrisë së Kulturës si talent i ri letrar dhe që në veprën e tij “Qyteti Plak” është marrë kryesisht me kujtesën lokale të qytetit ku ka lindur dhe është rritur. Kritiku dhe shkrimtari Agim Baçi do të sjellë para të rinjve përmbledhjen e tij epistolare imagjinare me personazhe të njohur të letërsisë “Letër Dylqinjës”. Kurse gjatë “Kuartetit Letrar” do të prezantohen 4 autorë të tjerë me veprat e tyre: Helena Kadare (“Kohë e pamjaftueshme”), Primo Levi (“A është vallë njeri?”), Ylljet Aliçka (“Valsi i lumturisë”) dhe Ylli Demneri (“Më kujtohet”). Veprat e tyre do të debatohen nga ekspertë të librit dhe kulturës si Agim Baçi, Ledia Dushi, Beti Njuma, Jonila Godole. Për të sjellë një përvojë të ndryshme në përballjen letrare me diktaturën, kemi ftuar autorin gjerman Karsten Dümmel, i cili do të lexojë nga vepra e tij “Strohblumenzeit” (Koha e luleve prej kashte). Dümmel ka qenë disident në Gjermaninë Lindore dhe ka vuajtur përndjekjen e Stasit në shpinë për dekada me radhë dhe këtë përvojë e ka përpunuar vazhdimisht në të gjitha librat e tij. Ai do të jetë përballë antropologut shqiptar Albert P. Nikolla, që përmes librit të tij studimor “Njeriu i Ri shqiptar”, ka nxjerrë lidhjet mes moralit komunist dhe krizës së tranzicionit tonë.

Siç e thatë pak më lart, pjesë e programit tuaj është bërë tashmë edhe një “Kuartet leximi”, i cili jo vetëm prezanton vepra e autorë, por edhe krijon debat. A e nxit debati të lexuarin?

Pikërisht. Kjo ka qenë edhe ideja ime fillestare kur eksperimentova si moderatore “Kuartetin” gjatë netëve të letërsisë austriake. Përmes prezantimit të një autori dhe përplasjes së mendimeve nga më të ndryshmet të ekspertëve në lidhje me të, zgjohet më shumë interesi i publikut. Një format legjendar ka qenë “Kuarteti i leximit” në Gjermani, që për dekada të tëra jo vetëm ka kultivuar shijet e disa brezave të lexuesve, por edhe u ka shtruar rrugën shumë shkrimtarëve të rinj në atë kohë që u vendosën në qendër të debateve mes kritikëve letrarë. Vetëm se në Shqipëri me kritikën e veprave letrare ose shkencore futemi në një terren të vështirë, sepse nga gazetari më i thjeshtë deri te redaktorja e shtëpive botuesve, të gjithë presin vetëm lëvdata në lidhje me librin dhe autorin. Mungesa e kritikës ndaj veprave që botohen në tregun shqiptar në këto 28 vjet e ka dëmtuar thellësisht cilësinë e botimeve dhe është një ndër faktorët përse lexuesit shqiptar i ka humbur krejtësisht shija e leximit për një vepër të mirëfilltë letrare. Sepse kultura konsumohet në ekran dhe përmes rekomandimeve në formë qokash që punonjësit e medias, të pakualifikuar në fushën e zhanreve letrare, shkencore apo historike, reklamojnë. Kuarteti rron nga debati i frytshëm rreth veprës dhe ne shpresojmë që ta bëjmë atë sa më popullor në të ardhmen, duke e testuar edhe në formate të tjera.

“Tirana lexon” është një aktivitet që promovon të lexuarit. Cilat do të ishin politikat që do duheshin ndjekur për ta bërë të lexuarit një proces normal të jetës së shqiptarëve, pa qenë nevoja e fushatave të sforcuara?

Në vendet ish-komuniste si Shqipëria, njerëzit mësohen të presin çdo ndihmë nga politika, nga shteti, në rastin tonë nga ministritë përkatëse. Kjo është një nga pasojat që lënë diktaturat, sepse i veshin qeverisë dhe shtetit rolin e babait. Të gjithë aktorët që punojnë në fushën e kulturës përplasen te ministria dhe ato pak institucione të huaja, që mund të mbështesin aktivitetet lokale me fokus artin, letërsinë, filmin etj. Në vende të tjera, financimi i aktiviteteve kulturore, botimeve etj., bëhet nga biznesi, i cili çlirohet nga taksat për kontributin kulturor që i jep vendit të tij. Në Shqipëri kjo nuk ndodh. As politika dhe as biznesi nuk janë të interesuara për kulturën. Ato janë të interesuara ta blejnë artistin dhe kulturën për interesat e tyre. Ky është një rreth vicioz, në të cilin kultura shqiptare është futur prej kohësh, duke humbur fatkeqësisht besimin tek arti dhe fuqia e tij për të qenë një zë ndryshe përtej politikës së ditës. Për t’u kthyer te leximi, mendoj se politikat e Ministrisë se Arsimit duhet të fokusohen te forcimi i planeve mësimore, ku të prevalojnë vepra të përzgjedhura me meritë, takimet me autorë, evaluimi i veprave të lexuara nga nxënësit gjatë pushimeve dhe motivimi i tyre me notë dhe përfshirje në projekte ekstrakurrikulare. Nga ana tjeter Ministria e Kultures ka bërë një punë të lavdërueshme në promovimin e kulturës së librit në vitet e fundit. Por Ministria nuk mund të zëvendësojë kurrsesi shoqërinë civile dhe kontributin e saj në aktivitetet kulturore. Misionin e Ministrisë e shoh kryesisht te vizioni i saj për kulturën dhe trashëgiminë që përkthehet në aksione politike me interes mbarëkombëtar. Kurse operacionalizimin e këtij vizioni në dimensione dhe në sfera të ndryshme të kulturës dhe artit, e shoh të mundshëm vetëm përmes mbështetjes së aktorëve institucionalë dhe të individëve të pavarur nga politika, që nuk dublojnë Ministrinë, por e zgjerojnë ndikimin e punës së saj në dobi të shoqërisë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura