Jo rritje me %, por shumëfishim të pensioneve!

Sep 18, 2023 | 8:46
SHPËRNDAJE

NGA XHEVAT MUSTAFA Xhevat Mustafa

Dy javë para se të fillojë rritja apo indeksimi me 8.6% e pensioneve të ushtrisë mbi 700 mijë vetash të pensionistëve në Shqipëri, ka filluar propaganda nga Rama-qeveria dhe mediat e saj të hapura apo të maskuara keq se do të përjetohet një “bum i ri”. Natyrisht, nuk janë të paktë ata pensionistë, shumica me pensione mesatare e të larta e me fëmijë e nuse bosë në biznese ose në zyra të larta qeveritare dhe shtetërore, që nuk ia kursejnë mirënjohjen dhe lavdërimet qeverisë dhe partisë së tyre të zemrës për këtë “bujari, dhuratë dhe sakrificë të re”!

Për më tepër e më keq, e bëjnë këtë bojatisje të Rama-qeverisë, të përmbytura nga dështimet dhe skandalet e përditshme, pa menduar dhe pa u shqetësuar se bëhen tepër qesharakë… para shumicës së atyre qytetarëve të thjeshtë e hallemëdhenj, që i shikojnë dhe dëgjojnë! Ndërsa shumica e pensionistëve, sidomos e atyre në fshatra, që i bëjnë me mendjen e vet dhe hollë llogaritë, edhe me gishtërinj e pa ndihmën e kalkulatorëve, e kanë kuptuar se edhe rritja me 8.6% është thjeshtë e pastër një manovër e re mashtruese dhe demagogjike e Rama-qeverisë, sa për t’u hedhur ca kocka ose një qese me pluhur të bardhë apo hi syve dhe sa për “t’i dehur” pa pirë as edhe një gllënjkë raki, me qëllimin për t’u blerë ose rrëmbyer votat.

Sepse janë të bindur se për nivelet e pensioneve të tyre dhe të çmimeve si dhe të kostos së vërtetë të jetesës në Shqipëri, në shtator -tetor 2023, kërkohet jo rritje me 2.5%, 5.%, 7.5%, 8.6%, 10.%, 12.5%, 15%, 25%…, por 2,3,4…fishim! Sepse rreth 60% e pensioneve janë në rreth 8.500- 25.000 lekë ose 85- 250 euro ose dollarë! Dhe rritja me 2.5 ose 25% nuk i shpëton pensionistët me pensione minimale nga telashet e mbijetesës mujore apo nga varfëria afro 79 vjeçare shqiptare! Aq më tepër që çmimet në krahasim me qershorin 2013 janë 2- 3-fishuar dhe me qershorin 2022 janë rritur në rreth 50- 100%, duke ua kaluar shumica e artikujve të konsumit jetik të përditshëm edhe çmimeve në Greqi, Gjermani, Itali, Kosovë, Maqedoni…!?

Propaganda qeveritare e drejtpërdrejtë apo nëpërmjet mediave të saj “u kujton” pensionistëve edhe bonusin në 5.000 lekë për çdo fundviti, në prag të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të ri. Por, “harrojnë” të bëjnë llogari se sa kushton në Shqipëri në fundvit një pulë dhe gjel deti, 1 kg. mish qengji apo keci; 1 kg peshk ton, merluc, levrek, koc…; 1 kg bakllava; 1 kg mollë, dardha, portokall, 1 shishe verë nga ato të lirat… “Harrojnë” edhe ta pjesëtojnë me 12 atë bonus prej 5.000 lekësh, sepse do t’u dalë “lakuriq” se shtesa e vërtetë mujore për pensionistët mjeranë shqiptarë është vetëm 425 lekë!? ”Avoketërit mbrojtës” apo këshilltarët ekonomiko- financiarë të qeverisë, mund të kundërshtojnë me argumentin e “logjikës ekonomiko- financiare”…!

Domethënë me pyetjen se nga do të dalin këta dhjetëra miliona euro apo qindra miliona lekë për të përballuar rritjen në 2- 3 fish të pensioneve?! Ata i dinë fare mirë thesaret apo burimet nga mund të gjenden dhe merren këto shuma. Megjithatë, po ua kujtoj disa: ulja e ndjeshme e nivelit të korrupsionit, e fitimeve të bosëve nga kanabizimi dhe kullëzimi mbarëvendor; e numrit të “inceneratorëve fantazma” ose realë, por që i gllabërojnë buxhetit të shtetit shqiptar shumë më tepër miliona se sa në Gjermani, Austri, Itali, Greqi…!

Njëkohësisht, edhe ulja e fortë e faturave për tendera, koncesione, PPP; të shpenzimeve të përditshme, mujore e vjetore qeveritare, shtetërore, administrative për kancelari, karburante, udhëtime, hotele, dieta; për dreka e darka për delegacione të huaja; për dhurata….Popullorçe: duke mos i ngrënë si këta 31 vjet “thela të mëdha e të majme” buxhetit të këtij “shteti anemik dhe kurnac si gjirokastrit…” për mirëqenie dhe politikë sociale…! Një nga burimet, e zbuluar nga Kryeministri pak ditë më parë, përveç “bumit turistik”, “thesarit të naftës” në Shpirag, është “rritja e eksporteve në rreth 70%”! Më duket i logjikshëm dhe i zbatueshëm propozimi i publicistit të njohur Lulzim Vejsiu, në faqen e tij në “Facebook”, më 14 shtator 2023, me titullin “Mesele shifrash”.

Për të shmangur përjetësinë dhe thellimin e vazhdueshëm të humnerës mes 3 niveleve të pensioneve në Shqipëri, sidomos të pensioneve minimale(në rreth 8.500-15.000 lekë) me ato të larta( në rreth 80.000-100.000 lekë e kacafiu), ai propozon që rritja e pensioneve të mos bëhet për të tre nivelet me një përqindje të barabartë. Pra, që të jetë e diferencuar, duke qenë më e lartë për pensionet e ulëta, të grupit A dhe më e ulët për pensionet e grupeve B dhe C. Sepse, po sipas llogaritjeve të Vejsiut, një pension në 15.000 lekë do të rritet nga 1 tetori 2023, në rreth 1290 lekë, afërsisht sa një kilogram mish në muaj. Ata që e kanë pensionin në rreth 32.000 lekë do përfitojnë një rritje prej 2750 lekë, pra pensioni do t’u bëhet 34750 lekë. Me çmimet aktuale në Shqipëri e që rriten pa fre ose pa njohur më ulje, është e qartë se edhe ky kontingjent pensionistësh nuk mund të llogaritet si pa dhembje koke për mbijetesën e përditshme. Apo se e ka kapërcyer qysh më 1 tetor 2023 e deri në frymën e fundit lumin e varfërisë.

Pikërisht te këto nivele të ulëta të ardhurash nga pagat dhe pensionet mujore mund të kërkohet dhe gjendet lehtë arsyeja pse rreth 60% e familjeve në Shqipëri nuk patën mundësi të bënin qoftë edhe 7-10 ditë pushime nëpër plazhet e Adriatikut ose të Jonit! Për më tepër, përveç kësaj arsyeje ishte edhe tjetra, që shprehej te fakti se pati rritje deri në 30-50% të çmimeve për dhoma e apartamente në plazhe, si dhe të artikujve të ushqimit, për familjet që do të gatuanin vetë.

Në të kundërt, me sa ndodhte në Shqipëri dhe me shqiptarët me të ardhura të pakta apo të pamjaftueshme mujore, pati një bum turistësh, shumica nga vendet e Perëndimit Kapitalist e në rritje edhe nga vendet ish-komunisto-socialiste të Evropës Lindore dhe të asaj qendrore. Rritja e numrit dhe e përqindjes së turistëve nga Polonia, Çekia, Hungaria, Rumania, Rusia, Serbia… nënkupton apo shpreh se ndryshe nga sa në Shqipëri, në këto vende ka rritje të ndjeshme të niveleve të pagave, pensioneve, mirëqenies…

Pra, shumicës së pensionistëve në Shqipëri, edhe pas kësaj rritje të re me 8.6% më 1 tetor 2023, u mbetet t’i mbajnë sytë gjatë 24 orëve dhe 365 ditëve më shumë lart, mbi re, te ZOTI në qiell dhe jo te zotërinjtë e qeverisë, shtetit, parlamentit, drejtësisë, Uashingtonit, Brukselit… në tokë. Përgjithësisht apo në shumicë këta politikanë dhe pushtetarë të lartë shqiptarë, gjatë këtyre 30 viteve të demokracisë allashqiptare, kanë qenë dhe janë të përmbytur deri në fyt nga telashet e tyre të pasurimit dhe turizmit personal e familjar; të qejfeve, kënaqësive… Por, edhe të shtimit nëpër albume ose në memoriet e kompjuterëve, laptopëve, tabletëve, usbve… të kujtimeve nga shtetet, qytetet, plazhet, hotelet, kazinotë e famshme ku i kanë çuar “milionat e përfituara, duke derdhur djersën e ballit çurgë e rrëke…”!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura