“Jemi partner i besueshëm për SHBA”- Ambasadori Bushati për ‘Panorama TV’: Shqiptarët janë të hedhur në biznes, shumë shpejt ata…

Nov 29, 2023 | 16:13
SHPËRNDAJE

Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, në një lidhje nga Amerika për ‘Panorama Tv’ është shprehur se Shqipëria është një rast suksesi dhe se komuniteti shqiptar është shumë i integruar.

“Në fakt komuniteti shqiptar është shumë i integruar dhe sot kemi rastet më të mira të shumë bizneseve. Shqiptarët janë shumë të hedhur në biznes, e kanë me shumë sfidë për të çuar fëmijët në shkollat më të mirë dhe duket sikur shumë shpejt shqiptarët do të mbushin shumë valenca të qyteteve.

500-700 mijë shqiptarë që banojnë në New York.  Shoqëria shqiptare po avancon, po arrin një stabilitet dhe ky është një lajm i mirë. Në këto kohë të turbullta, Shqipëria është një rast suksesi. Sot kemi marrëdhënie më të mira me SHBA. Shtetet e Bashkuara na kërkon dhe e vlerëson sepse jemi një partner shumë i besueshëm”, tha Bushati.

Më tej, ai u shpreh se kryebashkiaku i New Yorkut është një promotor i vlerave shqiptare.

“Është një promotor i vlerave të shqiptarisë dhe shpirtit sipërmarrës, Eric Adams bën shqiponjën, vendos plisin dhe përshëndet me fjalë shqip kur sheh shqiptarë. E vlerëson me shumë të drejtë rolin e shqiptarëve në Shoqëri. Kemi dhe Mark Gjonajn, Emina Cunmulajn dhe janë zërat më të dëgjuar dhe më thirrës të shqiptarizmit në SHBA. I falënderoj si partnere sepse kanë bërë të mundur që komuniteti shqiptar të jetë në një zë. Kjo ka bërë që këtë vit të ketë një ndërgjegjësim dhe shpirt tjetër.

Dje ka qenë një ditë shumë e ngarkuar. Ka pasur një sërë festash. Kudo ka një zemër shqiptare festohet. Mendoj se këto dy ditë ndihemi më shumë krenarë që jemi shqiptarë. Çdo komb ka sfidat e vetë dhe kjo na bën të ecim përpara. Është momenti të ndihemi më mirë bashkë. E ka thënë dhe Biden, Shqipëria është një rast suksesi. Tirana është porta hyrëse në Ballkan sepse Shqipëria ka qenë faktor paqeje. E ka luajtur këtë rol më së miri vitet e fundit”, tha Bushati.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura