Java Çame/ Shpëtim Idrizi apel Greqisë nga varreza e Kllogjerit: Sa më shpejt të largohemi nga fantazmat e të kaluarës, aq më shpejt çlirohemi nga ata

Jun 26, 2022 | 10:11
SHPËRNDAJE

Java çame ka kulmuar me pelegrinazhin e përvitshëm në Varrezën Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer të Sarandës, aty ku prehen eshtrat e 2900 shqiptarëve të Çamërisë, që humbën jetën gjatë gjenocidit më famëkeq në vitin 1944-45, nga masakrat e Napoloen Zervës.

Qindra shqiptarë të Çamërisë kanë vendosur trëndafilin e kuq në gurët e memorialit, si shenjë kujtese, dhe lartësimi të jetëve të prera  në mes. Me këtë mesazh ju drejtua e dhe kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi nga Kllogjeri të gjithë shqiptarëve anembanë trojeve.

“Në kuadrin e Javës Çame si asnjëherë tjetër, ne kemi parë se si ka shkëlqyer rezistenca e komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë, për të lartësuar gjithë këtë ngjarje të madhe njerëzore. Një rezistencë e jashtëzakonshme, e cila kontraston pikërisht me ata që na thonë harroni, me ata që na thonë mos prisni.

Kjo rezistencë dhe ky shkëlqim i jashtëzakonshëm që ne kemi parë gjatë kësaj jave ka të bëjë pikërisht me faktin dhe lartësimin e jetëve njerëzore, dinjitetit njerëzor, prerjes së jetës, të drejtës së pronës, të drejtës së lëvizjes së lirë të njerëzve dhe besoj që i keni parë edhe nga tribuna e Parlamentit të Shqipërisë mesazhet e pleqve dhe të rinjve “Mos e harroni Çamërinë”, “Mos heshtni për Çamërinë”.

Një ndër arsyet e tjera themelore për të cilën ne jemi këtu dhe vijmë këtu është, që tragjedi të tilla njerëzore mos të përsëriten më në këtë vend të trazuar”.

Kryetari i PDIU-së gjithashtu ju drejtua edhe me një mesazh Greqisë, pikërisht nga varreza e Kllogjerit që sipas tij për shqiptarët e Çamërisë nuk është vetëm vend kujtese i tragjedisë më të madhe të ndodhur me një popullsi të tërë, por është edhe testamenti i vuajtjeve njerëzore dhe jetëve të prera në mes.

“Është koha dhe i bëj edhe një apel Greqisë, që ne duhet t’i kthejmë sytë nga pozitiviteti si fqinj të mirë.  Sa më shpejt që ne të largohemi nga fantazmat e së kaluarës, sa më shpejt që ne të çlirohemi nga ta, aq më shpejt ne do të jemi dy vende miq.

Por po ju garantoj që të gjithë ata mos të harrojnë që, të gjithë varret tona janë këtu, njerëzit tanë janë këtu, shqiptarët e Çamërisë janë këtu, pronat tona janë këtu dhe atje dhe e drejta njerëzore asnjëherë nuk ka për t’u harruar nga shqiptarët e Çamërisë. Fatmirësisht nga Zoti ne rritemi në projeksion gjeometrik dhe në kuadrin e të drejtave të njeriut do i kërkojmë deri në fund të drejtat tona”.

Varreza monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer është ndërtuar në vitin 2012 dhe çdo vit shqiptarëve të Çamërisë që kujtojnë të afërmit e tyre që kanë humbur jetën ju bashkohen dhe qindra shqiptarë të tjerë.

© Panorama.al

Te lidhura