Ish-kryeministri non grata, Meta zbulon detaje nga takimi me ambasadoren amerikane: I thashë Yuri Kim se nuk bëjmë zgjedhje mes Berishës dhe SHBA-ve

Sep 26, 2022 | 8:23
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi dje se shpallja “non grata” e ishKryeministrit Sali Berisha është vepër e bërë në bashkëpunim nga Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Në një konferencë për mediat, teksa zbardhi bisedën që bëri me ambasadoren Amerikane Yuri Kim në selinë e PLsë, Meta tha se kjo parti nuk bën një zgjidhje mes Berishës dhe SHBA-së apo PD-së dhe SHBA-së, ndërsa u shpreh se kjo forcë politike ka programin e saj që nuk ndikohet nga ai i PD-së. Nga ana tjetër, Meta tha se i ka shprehur ambasadores Yuri Kim se vendimi i SHBA-së për Berishën, nuk diskutohet, por që ka pasur një efekt pozitiv, sepse bëri që të largohej Lulzim Basha si kreu i PD-së. Për ishPresidentin vendimi është jo proporcional duke e vlerësuar si jo të merituar. I pyetur se a mori ndonjë këshillë për marrëdhënien politike me Berishën gjatë takimit me ambasadoren amerikane Yuri Kim, Meta u shpreh se marrëdhëniet e tij me SHBA-së janë dhe do të jenë të shkëlqyera, pasi ato janë të bazuara mbi interesat e popullit të Shqipërisë.

“Gjithmonë marrëdhëniet e mia me SHBA-së kanë qenë e janë të shkëlqyera sidomos në drejtim të forcimit të partneritetit strategjik e marrëdhënieve bilaterale, në plotësimin e detyrimeve tona si vend anëtar i NATO-s. Kemi pasur një bisedë shumë të hapur, konstruktive, shumë bashkëpunuese. Unë nuk mund t’u flas, cilat ishim mesazhet e zonjës ambasadore se ata flasin vetë kur kanë diçka për të thënë. Por, unë mund t’ju them çfarë unë i thashë zonjës ambasadore që të jeni të qetë, se ato që them në takime të mbyllura i them dhe në takime të hapura. Unë thashë dhe një herë mendimin tim që kam për çështjen e shpalljes ‘non grata’ të zotit Berisha.

I shpreha bindjen që në radhë të parë është vepër e Bashës dhe Ramës në bashkëpunim. Se Basha gjithë vendimet e gabuara që ka marrë, bojkoti i reformës, djegia e mandateve, falja e institucioneve të pavarura Ramës, falja e pushtetit vendor në tavolinë Ramës, të gjitha këto vendime ia ka faturuar zotit Berisha e ky është akt e vendim i SHBA-së që s’kemi pse ta diskutojmë. Por njëkohësisht, seriozisht i thashë që të thotë në Uashington që të paktën unë personalit e vlerësoj efektin pozitiv të këtij vendimi për të cilin as kam qenë e as jam dakord, sepse nuk e vlerësoj si të merituar dhe e quaj jo proporcional, se pa një vendim të tillë do kishim sërish kryetar të PD-së Lulzim Bashën. Kjo nuk është ndonjë sekret. Ne nuk bëjmë zgjedhje mes Sali Berishës dhe Amerikës, mes PDsë dhe Amerikës, ne kemi programin tonë si Partia e Lirisë që është 100% i pavarur dhe nga PD-ja.

Ne respektojmë vendimet që marrin anëtarët dhe simpatizantët e PD dhe nuk ndërhyjmë në proceset e zgjedhjeve të tyre. Ne qëndrojmë programit tonë për të përmbushur detyrimet tona si vend anëtar i NATO-s ndaj partneritetit strategjik me SHBA-në dhe për të përshpejtuar me ritme marramendëse reformat prioritare në fushën e sundimit të ligjit, krimit të organizuar dhe korrupsionit që janë kyçe për anëtarësimin në BE. Nuk kemi asnjë arsye të bëjmë një zgjedhje të tillë, jemi të bindur që PD-ja është parti e përkushtuar për t’iu përmbajtur partneritetit strategjik me SHBA-në”, tha Meta për gazetarët.

TAKIMI

I pyetur nga gazetarët se kush e kërkoi takimin me ambasadoren Yuri Kim, Meta u kërkoi të mos bien pre e perceptimeve të gabuara dhe mashtrimeve të krijuara nga mazhoranca, duke i vlerësuar marrëdhëniet me SHBA-në si të shkëlqyera. “Unë nuk iu ndaloj juve të bini viktimë e perceptimeve të krijuara nga Rilindja, sepse ata këtë punë kanë, mashtrim, gënjeshtra dhe shmangie e vëmendjes nga korrupsioni.

Marrëdhëniet e mia me SHBA-në kanë qenë janë dhe do të jenë të shkëlqyera, sepse janë marrëdhënie të bazuara mbi interesat e popullit të Shqipërisë”, tha kreu i PL-së. Në fotot e publikuara tregonin për një bisedë të ngrohtë dhe miqësore. Ilir Meta u takua të premten me ambasadoren Amerikane Yuri Kim në selinë e Partisë së Lirisë, ndërsa bisedën me diplomaten ai e vlerësoi si në interes të forcimit dhe intensifikimit të partneritetit Shqipërisë dhe SHBA-së. Në detajet e zbardhura nga ambasada e SHBA-së është nënvizuar nevoja që partitë politike të bashkohen për t’u përfshirë në dialog për të forcuar demokracinë dhe për të çuar përpara procesin e anëtarësimit në BE-në.

Meta dhe Yuri Kim takohen për herë të parë që pasi ish-Presidenti la postin e kreut të shtetit dhe themeloi Partinë e Lirisë. Ky takim është i dyti që pas përplasjes së fortë mes tyre gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, pas të cilave PS-ja ndërmori nismën për shkarkimin e tij dhe e votoi në Kuvend, por ishte Gjykata Kushtetuese ajo që rrëzoi pretendimin e mazhorancës socialiste. Ilir Meta dhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, bënë deklarata të forta kundër njëri-tjetrit mbi procesin zgjedhor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura