Studimet tregojnë se vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’u duhen rreth pesë deri në gjashtë dekada për të arritur nivelin e zhvillimit ekonomik të mesatares së vendeve të BE-së.
Ndërkohë që pabarazia në nivelin global duket që është zbutur si pasojë e rritjes ekonomike të Kinës gjatë dekadës së fundit, periudha që kaluam fillimisht me COVID-in dhe më pas me konfliktet të cilat po jetojmë, kanë pasur një ndikim negativ për sa i përket uljes së pabarazisë.
Megjithatë, brenda vetë Europës, brenda Perëndimit dhe brenda shumë vendeve që janë në listën e vendeve më të zhvilluara, pabarazitë janë rritur.
Cilët janë faktorët që ndikojnë në zbutjen e pabarazisë? Gjeografia? Pra, vendi ku ne lindim dhe jetojmë? Statusi shoqëror, prejardhja familjare? Mundësitë që na jep jeta dhe sistemi politik e ekonomik në të cilin ne jetojmë? Cili është ndikimi i teknologjisë në këtë proces? Ndikimi i forcave migratore?
Për të gjitha këto, Ditmit Bushati diskuton në podcast-in “Public Square” me një ekonomist të famshëm amerikan, me origjinë serbe, Branko Milanović, i cili për shumë vite ka punuar si ekonomist pranë Bankës Botërore, dhe tanimë është profesor në City University of New York.
“Po t’i referohemi nivelit global, kemi njerëz nga vende të ndryshme. Nëse dikush ka liundur në Malish, fashat prej nga burojnë të ardhurat, krahasuar me pjesën tjetër të botës, janë të kufizuara, edhe nëse ky person i përket një grupi të një niveli të lartë, edhe sikur të jetë Presidenti i Malit, të ardhurat e tij do të jenë sa 20% e të ardhurave në Francë.
Kështu që, kur mbledhin të dhënat global, ajo që vëmë re është që një pjesë e madhe të ardhurave tona përcaktohen nga vendi ku jetojmë . Dhe për 95-96% e popullatës, ky është vendi ku kanë lindur.
Fillimisht vetëm dhe më pas me një koleg, kam bërë disa përshtatje në lidhje me sesa ndikon niveli i arsmit dhe të ardhurave të prindërve. Ajo që mbetet e pashpjegueshme, ku përfshihen përpjekjet e bëra, fati apo të tjerat, është rreth 20-30%. Kjo është baza e atij citimit të famshëm se ‘rrëth 50-60% e të ardhurave tonë në nivel global përcaktohen nga vendi ku jetojmë, 20% përcaktohen nga prindërit tanë sesa të pasur dhe të arsimur kanë qenë dhe 20-30% përcaktohen nga ne’.
Kjo është një gjetje interesante sepse na tregon sesa të mëdha janë ndryshimet në botë dhe si vendi i lindjes është i rëndësishëm për ecurinë e të ardhurave tonë në të ardhmen”, tha ai.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al