Intervistë me Z. Frieder Woehrmann

May 28, 2021 | 15:28
SHPËRNDAJE

Frieder WoehrmannZ. Frieder Woehrmann, Udhëheqës i ekipit, Njësia e Menaxhimit të Fondit, Fondi Rajonal i Sfidave – Fondi u mandatua nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), deleguar në Bankën për Zhvillim KfW dhe realizohet nga Forumi i Investimeve i Dhomave të 6 ekonomive të Ballkanit Perëndimor (CIF-WB6)

Thirrja e parë për shprehje interesi në Fondin Rajonal të Sfidave u mbyll në 30 Prill. Cilat janë rezultatet e para të thirrjes së parë në rajon dhe si performoi Shqipëria në këtë drejtim?

Fondi Rajonal i Sfidave (RCF) si strukturë dhe mekanizëm  financimi është i pari në llojin e tij, i krijuar  për të rritur aftësinë e punësimit për të diplomuarit e AFP-së si dhe për të rritur produktivitetin dhe konkurrencën e ndërmarrjeve në të njëjtën kohë. RCF synon të forcojë cilësinë dhe rëndësinë e tregut të punës të arsimit dhe aftësimit profesional, duke financuar investime në pajisje dhe infrastrukturë për projekte të përzgjedhura bashkëpunimi ose trajnimi të dyfishtë që zbatohen përmes partneriteteve të ngushta midis instituteve të trajnimit profesional dhe ndërmarrjeve.

Frieder Woehrmann1.jpg

Që nga shpallja e thirrjes së parë në Shkurt, një numër i konsiderueshëm institucionesh të arsimit dhe formimit profesional dhe kompanish shprehën interesin e tyre për të marrë pjesë në programet e trajnimit bashkëpunues dhe për këtë qëllim përgatitën të gjitha kërkesat e nevojshme për të përfunduar aplikimet e tyre për mbështetjen nga RCF.

Thirrja e parë qëndroi e hapur deri në fund të muajit Prill dhe jemi të lumtur të njoftojmë se arritëm një rekord prej 205 aplikimesh nga 216 VTI dhe 633 kompani që operojnë në ekonomitë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6). Në Shqipëri, 40 ofrues privatë dhe publikë të AFP-së si dhe 109 ndërmarrje dhe shoqata bashkuan forcat për t’u angazhuar në programe trajnimi bashkëpunues dhe dorëzuan me sukses 38 aplikime të shprehjes së interesit për të marrë mbështetje nga RCF.

Si do e vlerësonit zhvillimin e sektorit të arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri dhe sfidat e tij?

Vitet e fundit kanë shënuar një përmirësim të dukshëm në politikat e zhvillimit të aftësive profesionale në Shqipëri si dhe në kornizën ligjore dhe institucionale që qeveris këtë sektor. Pavarësisht nga potenciali që sistemi i arsimit dhe formimit profesional (AFP) ka për të absorbuar dhe zbatuar parimet e përcaktuara nga legjislacioni, sfidat në lidhje me koherencën e kornizës legjislative, rolet dhe përgjegjësitë e qarta institucionale, dhe në kapacitetet e të gjitha niveleve kanë vazhduar.

Bashkëpunimi me sektorin privat ka dhënë rezultate pozitive sidomos në fushën e të mësuarit në punë dhe sa i përket pjesëmarrjes së këtij sektori në bordet e menaxhimit të ofruesve të AFP-së. Sidoqoftë, nevojitet pjesëmarrje më e madhe e sektorit privat në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Bazuar në aplikimet e dorëzuara, cilët sektorë kanë më shumë nevojë për punëtorë të kualifikuar?

Situata e shkaktuar nga pandemia COVID -19, ka ndryshuar në një masë të konsiderueshme prioritetet e sektorëve ekonomikë. Duke patur parasysh strukturën e ekonomisë së vendit, ndikimin e tërmetit në vitin 2019, pasuar nga efektet negative të COVID -19, sektorët si Turizmi dhe Hoteleria, Bujqësia, Prodhimi i Tekstilit, Ndërtimi dhe Bizneset e Vogla në të gjithë sektorët janë ndikuar më së shumti, ndërkohë që janë punëdhënësit më të mëdhenj, që kanë nevojë, ndër të tjera, për fuqi punëtore të kualifikuar.

Në fazën aktuale të shqyrtimit të aplikimeve të thirrjes së parë, interesim në rritje  është treguar nga kompanitë e angazhuara në turizëm dhe agroturizëm, bujqësi, industrinë automotive, TIK, ndërtim, infrastrukturë dhe nga sektorë të shërbimeve që kanë krijuar bashkëpunim me Institutet e Trajnimit Profesional (VTI) në formimin e Konsorciumeve VTI të cilët kanë aplikuar për mbështetje nga RCF.

Numri i konsiderueshëm dhe larmia sektoriale e aplikimeve tregojnë se reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit në sistemin e arsimit dhe aftësimit profesional (AFP) në Shqipëri në koordinim me mbështetjen e donatorëve kanë përmirësuar imazhin dhe cilësinë e sistemit të AFP-së, aksesueshmërinë dhe rëndësinë e tij në tregun e punës. Këto përpjekje, të kombinuara me nevojat e artikuluara të sektorit privat për të rritur produktivitetin dhe konkurrencën në rajon e më gjerë, po krijojne një bazë të qëndrueshme drejt rritjes së cilësisë së punonjësve të aftësuar duke bashkëpunuar ngushtë me Institutet e Trajnimit Profesional (VTI).

Në këtë kontekst, mbështetja e Fondit të Sfidave Rajonale në financimin e investimeve në pajisje dhe infrastrukturë për projekte të përzgjedhura bashkëpunimi ose trajnimi të dyfishtë, vjen në kohën e duhur dhe do të forcojë cilësinë dhe rëndësinë në tregun e punës të arsimit dhe aftësimit profesional.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura