Intervista/ “Tirana të kërkonte të drejtën”- Trajneri Gega: Partizani ishte më i kujdesshëm, unë nuk ika si Kolela

Jun 8, 2023 | 9:10
SHPËRNDAJE

Para Kolelës, Skënder Gega ishte trajneri tjetër kampion, që u largua nga Partizani. Kjo përafërsi e situatave ka bërë që klubi i kuq të jetë në qendër të kritikave në lidhje me trajtimin që u bën kampionëve, por pas gjithë “rrëmujës” që është bërë, Gega ka vendosur t’i vërë disa pika mbi “i”.

skender-gega

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, trajneri i bën një analizë gjithë situatës së fundit të sezonit, por edhe zhvillimeve të fundit. Gega ndalet gjatë te largimi i Kolelës dhe Marinit dhe thekson se ai vetë është larguar me dëshirën e tij, duke vënë në dukje ndryshimin mes dy situatave.

A e meritoi Partizani këtë titull kampion dhe a duhet ta kishte fituar me më shumë diferencë?
Partizani doli kampion me pikë të barabarta, çka tregon se ka pasur rivalitet në të gjithë sezonin me Tiranën. Të dyja kanë pasur luhatjet e tyre, prandaj edhe nuk kishte shkëputje. Në fund fare, Partizani tregoi se ishte më i kujdesshëm dhe Tirana ndoshta nuk qe e vëmendshme në momentin më deciziv. I tillë është futbolli dhe pasojat shkuan edhe te Kupa. Ndodh që puna të sfumohet brenda një jave, por nuk mund të themi se vendi i dytë, në këtë rast Tirana, ka punuar keq.

Do të donit që titulli të mos vendosej nga një penallti e dyshimtë?
Pas asaj që ndodhi, jam i sigurt që çdokush, që është qetësuar pas disa orësh a ditësh, i ka parë gjërat më qartë. Penalltitë gjithmonë aludohen. Unë mendoj se Tirana e kishte ndeshjen në dorë, edhe pse u dha penalltia. Edhe fakti që humbën raste flagrante para portës, tregoi dobësi. Nëse shënonin, penalltia harrohej. Nëse kishte diçka tjetër, atëherë Tirana duhet të ngrinte zërin dhe të kërkonte të drejtën. Në futboll duhet edhe pak fat, por mund të them se të dyja palët e meritojnë të jenë aty ku janë. Të jap një shembull, edhe ne kemi shkuar në Shkodër kundër Kukësit, ku bëmë edhe shkëputjen me shumë mungesa, mungonte Telushi, Hebaj, Mala dhe Hila dhe dikush tjetër nuk më kujtohet. Por kur e sheh fanellën si të shenjtë, jep maksimumin.

A ngjan largimi juaj nga Partizani me atë të Marinit dhe Kolelës? Në të dyja rastet skuadra doli kampione…
Më vjen keq që përmendet rasti tim, sepse ai rast nuk asnjë lidhje me largimin e Marinit dhe Kolelës. Sot Partizani ka një strukturë krejt ndryshe. Kur unë isha trajner, ishim të hapërdarë. Nuk kisha mundësi të gjëmoja të shikoja moshat, sepse një bënte në Pezë, ne ishim te Redi Jupi. Sot klubi është vërtet profesionist, ku nuk mungon asgjë. Kjo bën që gjërat të ndahen me kohën kur unë isha dhe tani. Unë kisha kontakt dhe punë vetëm me presidentin Demi dhe Olsi Ramën. Këta kanë qenë dy personat që vendosnin për gjithçka. Kë do marrim, kë do heqim. Kur shkova, u larguan shtatë lojtarë, dhe Demi nuk pati asnjë kundërshtim, ndërsa Olsi (Rama) ulej me ta për të bërë ndarjen dhe nga asnjëri nuk pata hatërmbetje. Ishim shumë të qartë dhe shumë transparentë. Çdo gjë e bënim tre veta. Rasti i Kolelës apo i Marinit nuk ka të bëjë me mua. Unë ika dy javë pasi dola kampion dhe ka qenë kërkesa ime. Dhe kjo përbën ndryshim të madh për mua. Nuk ka qenë dëshira as e drejtorit apo presidentit, apo të më kenë thënë asnjë gjysmëfjale në asnjë moment. E them sepse është abuzuar shumë me këtë. Më vjen keq që dikush të marrë përsipër diçka, që nuk e ka bërë. Më kuptoni. Nuk dua që asnjëri të mos rëndohet me gjëra, që nuk i takojnë. Nuk e bëj për t’iu afruar apo larguar asnjërit. Nuk kam nevojë për këto, më intereson vetëm e vërteta.

Jam munduar të jem shembull. Kam punuar me pasion, me korrektësi dhe profesionalizëm. Në fund ia dolëm të shpallemi kampionë pas 26 vitesh. Kjo ishte ëndrra ime dhe e gjithë tifozëve të Partizanit. Por nuk i nxora vetëm unë kampionë, ishte punë e përbashkët. Unë ia dola, por me mbështetje dhe bashkëpunim. Kur e pashë që duhet të largohem dhe të shoh gjërat e mia, shkova tek ambientet ku rri presidenti dhe i kërkova vetë Demit të largohesha. Për këtë nuk dua të abuzohet më. E dëgjoj të thuhet se u bë traditë dhe i hoqën si Gegën. Aty do të emërohet trajneri i shtatë që nga ikja ime dhe klubi mund t’ju sqarojë arsyet përse i kanë ndërprerë bashkëpunimet me këta trajnerë. Por mos harroni, është një ndërmarrje me investim privat dhe përzgjedhja u takon atyre. Unë jam larguar si kampion dhe me dashuri të madhe për atë klub dhe për tifozët. Kjo për mua ka vlerë të pazëvendësueshme. Paratë janë për t’u harxhuar dhe kurrë nuk kanë qenë primare për mua

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura