Intervista/ Shpopullimi, Zef Preçi: Shqiptarët po ikin për shkak të korrupsionit e keqqeverisjes së vendit

Nov 9, 2022 | 11:11
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/Zef Preçi, ekspert i ekonomisë, fajëson qeverinë për largimin e shqiptarëve ndaj ai apelon për qarkullim të elitës politike. Preçi thotë për gazetën “Panorama.al” se pushtetarët aktualë e bënë Shqipërinë të pajetueshme ku për shkak të keqqeverisjes, të pasurit po bëhen më të pasur, kurse të varfrit edhe më për varfër.

zef preci

Eksperti i ekonomisë e sheh me shqetësim përqendrimin e pasurive kombëtare në duart e një grushti njerëzish të lidhur me qeverinë, ndërkohë që shqiptarët janë gati të kalojnë me not detin me qëllim që të ndërtojnë një të ardhme në vendet perëndimore. Zef Preçi apelon se nuk po ikin vetëm njerëzit e pakualifikuar, por edhe intelektualët ndërkohë që përmend indiferentizmin e qeverisë ndaj protestës së pedagogëve. Z. Preçi shprehet se largimi i të rinjve po detyron që të punojnë të moshuarit teksa paralajmëron rrezikun e një krize të sigurimeve shoqërore.

Z. Preçi, Shqipëria po shpopullohet, por për cilat arsye? Pse janë kaq të pakënaqur shqiptarët…?

Shpopullimi i Shqipërisë duhet parë lidhur ngushtë me ngadalësimin e procesit tranzicionit, me premtimet e pambajtura të klasës politikës drejtuese që të tjera thotë në fushatë dhe më pas nuk u përmbahet këtyre premtimeve. Duhet parë lidhur ngushtë me përqendrimin në pak duar të pasurive natyrore, kombëtare të vendit si dhe të fondeve publike të buxhetit të shtetit. Për rrjedhojë, procesi i përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë i parashikuar në Kushtetutë, edhe si një funksion i të gjitha qeverive demokratike në botë është shumë i ngadalshëm për të mos thënë i papërfillshëm dhe aq më tepër larg pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.

Në të njëjtën kohë, përkeqësimi i disa shërbimeve publike bazë gjatë dekadës së fundit, dhe kur them shërbimet publike bazë kam parasysh arsimin, shëndetësinë, ofrimin e shërbimeve publike nga administrata qendrore dhe vendore, kryesish sa i përket pronave dhe shërbimeve gjyqeve si dhe sigurisë publike, të cilat në të gjitha indikacionet e organizatave vendase dhe të huaja tregojnë se janë përkeqësuar. Për rrjedhojë, vendi është më pak i jetueshëm sesa më përpara. Duhet të jesh njeri pa kurrfarë pretendimesh për një jetë më të mirë që të vazhdosh të qëndrosh në këtë vend.

Sa kohë që nuk qarkullon as elita politike, administrata është tejet e korruptuar dhe thjeshtë me funksione patronazhimi. Pra, Shqipëria është në një situatë që mund të quhet një qeverisje elektorale, do të thotë ndodhemi një situate permanente zgjedhjesh dhe pak ose aspak është qytetari në të drejtat e tij të ligjshme në qendër të politikave qeveritare. Për këto arsye, qytetarët shqiptarë janë të pakënaqur dhe njëkohësisht janë shkolluar, edukuar, kanë parë botë me sy dhe janë në pritje dhe në përpjekje për një jetë më të mirë.

Largimi masiv i shqiptarëve muajt e fundit a po merr përmasat e eksodit, duke na kujtuar vitin ‘91?

Kjo nuk është plotësisht e vërtetë sepse largimi ka qenë një fenomen intensiv, por në periudha kohe të caktuara ka qenë edhe më intensiv sesa në periudhën normale. Fakti që vetëm gjatë dekadës së fundit janë larguar rreth 700 mijë shqiptarë, është një tregues që ky tashmë është një eksod, është një deformim shumë i rrezikshëm për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, por nuk jam nga ata që mendoj se është thjeshtë numri i popullsisë që përcakton statusin e një vendi apo aftësitë e një vendi për të prodhuar, për të konkurruar apo për t’u zhvilluar. Por në të njëjtën kohë, duhet të kuptojmë rëndësinë e numrave, sepse në fund të fundit janë numrat e mëdhenj janë ata që diktojnë kahjen apo trendin e zhvillimit.

Kështu që në këtë këndvështrim është e vërtetë që po merr pamje eksodi i shqiptarëve por duhet parë ngushtë edhe me disa fenomene të brendshme. Për shembull, Shqipëria ka folur për reformë të pushtetit vendorë, administrative. U krijuan 61 bashki që në fakt më shumë sesa bashki, disa janë paradhomë ku fabrikohen deputetët e ardhshëm dhe kryesisht pasurimin përmes shfrytëzimit të pasurive publike. Për rrjedhojë, kjo ka sjellë uljen e shërbimeve publike veçanërisht në zonat kodrinore-malore dhe Shqipëria vazhdon të ketë një eksod të brendshëm, pra po ndodh një boshatisje e zonave larg Tiranës dhe lëvizje nga Tirana drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ajo që duhet përmendur dhe që është e rrezikshme në ditët e sotme është fakti që nga vendi ynë po largohen jo vetëm ajo pjesë e popullsisë që nuk ka siguruar jetesën, pra pjesa e pakualifikuar, e cila vitet e mëparshme ka qenë absorbuar nga nevoja e tregut grek apo tregjeve të tjera, por po largohet edhe pjesa e kualifikuar. Të mos harrojmë që kualifikimi i një individi, një familje në një vend perëndimor shpenzon 50 deri në 70 mijë euro, çka do të thotë që me pagat e këtushme, si një sektorin publik, por edhe në shumicën e sektorit privat, pra për disa institucione të konsoliduara si për shembull, bankat apo ndonjë institucion tjetër, praktikisht nuk justifikohet. Kështu që në këto kushte po largohet edhe pjesa e kualifikuar, më tepër pjesa e klasës së mesme e cila ka mundur të akumulojë kursime familjare apo edhe kapitale tenton të blejë pasuri të patundshme dhe preferon të largohet drejt vendeve perëndimore. Çka do të thotë se kjo situatë është shqetësuese dhe nëse nuk do të merren politikat e duhura do të bëhet edhe më shqetësuese në periudhat që vijnë.

Sa ka ndikuar kriza ekonomike në largimin e shqiptarëve jashtë vendit?

Mendoj se kriza përveçse ka shpërfaq, ka nxjerrë në dukje keqqeverisjen më shumë se gjithçka tjetër, provoi edhe njëkohësisht faktin se qeveria me masat që mori është shumë larg së qenurit e motivuar nga interesat thelbësore të publikut. Mjafton të kujtojmë një shembull, ashtu si në vendet e tjera perëndimore u ofruan fonde për të mbështetur biznesin, për të mbajtur në punë fuqinë punëtore përveçse mbështetjesnga qeveria me interesat që mbulonte qeveria.

Pra, bankat ishin të garantuara dhe ky fond nuk u shfrytëzua as 40 për qind, çka do të thotë që investimet private në rikualifikimin e fuqisë punëtore janë minimale dhe investimet publike, siç tregon dhe greva e pedagogëve shqiptarë, janë shumë larg së qënurit një vend ku mund të inkurajohet novacioni, krijimtaria, zhvillimi dhe për rrjedhojë gjithë këto elementë lidhen me krizën. Gjithë këta elementë kanë favorizuar polarizimin, domethënë kanë rritur kontingjentin, të cilët janë të gatshëm edhe me not Lamanshit për të siguruar një jetë më të mirë. Nuk po them që kriza ka inkurajuar edhe grupet kriminale që janë marrë edhe trafiqe njerëzore duke e përdorur si vend transit territorin shqiptarë qoftë edhe përmes përdorimit të kontakteve të krijuara për qëllime të tilla si shtëpitë e barit apo elementë të tjerë, të cilët tashmë janë të njohur.

Çfarë ndikimi ka rritja e çmimeve, ku vetëm së fundmi kemi rritje të çmimit të naftës, e cila nuk po njeh ulje…?

Duhet të kuptojmë diçka që rritja e çmimeve i prek të gjithë, por më të ndjeshëm janë ata që janë më të varfër. Kjo do të thotë që pjesa e popullsisë, e cila është në kushtet e varfërisë detyrimisht që bëhet edhe më e varfër dhe tenton për rrugëzgjidhje. Kriza ka në thelb jo vetëm rritjen e inflacionit, për një efekt domino por ka si efekt edhe thellimin e polarizimit të popullsisë ku të pasurit janë bërë edhe më të pasur dhe të varfrit edhe më të varfër. Sa i takon çmimit të naftës, mendoj se është një politikë shtetërore e pa qartë, e gabuar, kryesisht e ndikuar nga interesa oligarkike dhe interesa për të mbushur buxhetin.

Kemi një situatë ku kompanitë që operojnë në këtë treg dhe qeveria janë në një krahë duke pasur përballë vetëm konsumatorin e varfër dhe njëkohësisht mungojnë dhe politikat zbutëse që kudo në botë vlejnë siç janë transporti publik në mënyrë të favorizuar apo siç janë elementë të tjerë siç janë nënat apo ngrohja në kushte favorizuese etj. Pra, ndërmarrja e masave me natyrë sociale, të cilat mungojnë plotësisht në këtë lloj kapitalizmi të egër që është jashtë çdo lloj standardi që ka Shqipëria në ditët e sotme. Mënyra e gjetur nga qeveria përmes bordit të transparencës është një atavizëm i kohës së komunizmit ku nëse doni që mos ta zgjidhni një problem krijoni një komision dhe praktikisht kjo është dhe mënyra sesi mban gjallë këtë situatë duke ia zënë frymën konkurrencës, motorit të ekonomisë së tregut, mjeti i vetëm që kapitalizmi njeh për progres dhe për zhvillim.

Si po ndikon politika në largimin e shqiptarëve drejt vendeve të perëndimit?

Politika ndikon natyrshëm në humbjen e shpresës. Kjo vjen jo nga kritikizmi që i bëhet qeverisjes kryesisht nga opozita dhe qeveria zgjedh gjithmonë rrugën më të papërshtatshme për të bërë përgjegjës për dështimet e veta. Kishte një evidencë në shtypin e sotëm ku thuhej se janë 79 masa të premtuara nga qeveria për ti mbajtur ku vetëm 10 prej tyre ishin aktive dhe 20 të tjera të paprekura. Kryesisht zbatimi i politikave të qeverisjes bëhet nga faktorë të jashtëm të cilët janë të bëjmë me interesa personale të biznesit, oligarkëve, krimit të organizuar.

Dua të përmend këtu premtimin për legalizimin e parave kriminale ku në shqip është thënë amnistia fiskale, penale sikur Shqipëria të vijë fill pas luftës dhe të kishim një paqe sociale. Por nuk është kështu, janë thjeshtë ndikime të fuqishme që deformojnë qeverisjen dhe që bëjnë që gjithë pushtetin ta drejtojnë 10 apo 15 klientë të qeverisë, natyrisht oligarkët që zotërojnë pasuritë e vendit. Kështu që në këtë këndvështrim, politika ndikon negativisht. Nuk pranon realitetin ashtu siç është ndërkohë që opozita duhet të ketë alternativa në mënyrë që qytetarët të shohin që nuk është vetëm një Shqipëri që nxin, por edhe një Shqipëri që ende ka shpresë.

Si e lexoni deklaratën e Kryeministrit Edi Rama se shqiptarët gjithmonë kanë emigruar dhe e vetmja kohë kur u penguan ishin gjatë kohës së komunizmit?

Mendoj se deklarata të tilla nuk e sqarojnë problemin dhe aq më tepër ky lloj sovranizmi i Kryeministrit apo kushdo tjetër që ndihmon që të njohë problemin, sepse pa njohur problemin nuk gjen zgjidhje. Kjo që po ndodh te ne është shmangie e përgjegjësive dhe përpjekje për mbartjen e përgjegjësive tek vendet mike, apo vendet aleate të Shqipërisë. mendoj se ky ton i deklaratave i shkon situata të shkuara por jo në ditët e sotme kur kërkohet më shumë përgjegjësi.

Madje, më shumë kërkohen reforma. Ato që shprehen si vullnet politik të materializohen si projekte ku të ketë faturë financiare, të rishikohet buxheti, përparësitë buxhetore në mënyrë që krijimi i vendeve të reja të punës, shfrytëzimi i potencialeve që ka vendi, ndryshimi dinamik i pagave, përmirësimi i kualifikimit profesional etj., të mund të reflektohet edhe në nivelin e jetesës që mos të mbetet Shqipëria ndër vendet më të varfra të Evropës, por edhe ndër vendet e prapambetura të rajonit në një kohë kur qeveria ka krijuar një realitet paralel dhe për fat të keq në vazhdojmë të jemi nën trysninë e qeverisë sa i takon thënies së të vërtetave të hidhura për mjedisin social-ekonomik që na rrethon dhe një botë virtuale që është krijuar për 10-20 apo 200 zyrtarë të preferuarit e radhës për të shfrytëzuar pasuritë e vendit, fondet buxhetore.

Vendi i lënë bosh nga shqiptarët, kujt do t’i mbetet…?

Nuk shtrohet problemi i lënies së vendit bosh. Problemi është që japin zgjidhje. Shqipëria vazhdon të shndërrohet në një pedanë, ku hiq disa vende më të varfra sesa Shqipëria si Bangladeshi, Filipinet etj., i përdorin, sigurisht grupet e kriminalizuara dhe biznesi i paformuar profesionalisht, në kuptimin e formimit jo për të bërë para, por për të kuptuar pasojat në kohë të ndryshme, vazhdon të absorbojë fuqi punëtore të lirë që vijnë nga këto vende dhe të jep përshtypjen sikur zhvillohet.

Mirëpo, vendi bëhet më i varfër. Nuk zhvillohet një vend duke zëvendësuar punëtorët vendas për shkak të mungesës së konkurrencës së brendshme me punëtorë që vijnë nga vende shumë të varfra që në thelb kanë ëndërr Bashkimin Evropian. Këtu vijnë sepse është Evropë dhe nuk vijnë për 200 apo 300 dollarë por i dëshirojnë oligarkët, vijnë sepse nuk ka zbatim të ligjit, se nuk ka konkurrencë, se Shqipëria është strehë e aktiviteteve të paligjshme etj.

Çfarë pasojash do të ketë për shoqërinë shqiptare plaga e madhe e emigrimit?

Janë një numër pasojash që shkakton emigrimi dhe së pari ja vlen të përmendet ndikimi që ka në potencialet natyrore që ka vendi. Pra toka mbetet djerrë, mundësitë e shfrytëzimit të rritjes së rendimenteve mbeten të ulëta dhe për rrjedhojë vendi është më pak konkurrues. Së dyti janë kontributet, sigurimet shoqërore që janë përkeqësuar gjatë dekadës së fundit, sidomos gjatë viteve të fundit, çka do të thotë që rritja e emigracionit absorbon fuqinë punëtore të re gjë që bën që këtu të mbetet një fuqi punëtore në moshë të madhe, ku pas pak ditësh dalin në pension dhe për rrjedhojë statusi social-ekonomik i personave të moshuar në periudhën e pensionit të jetë i keq, aspak tërheqës apo të thellohen problemet që ka vendi në këtë fushë.

Kështu që, këto dy probleme, moszhvillimi i potencialeve zhvillimore që çon në prapambetje si rreziku i krizës së sigurimeve shoqërore, në krizë është e dhe sot skema e sigurimeve por në periudhën që vjen, nëse vazhdon edhe 10 vitet e ardhshme kjo situatë mendoj që do të jetë shqetësim për financimin e skemës. Këto janë dy pasojat kryesore. Pasojat e tjera kanë të bëjnë me aftësinë konkurruese që ka ekonomia, për afrimin në Bashkimin Evropian. Nuk mendoj se bën sens arsyetimi që vërtet shqiptarët shkojnë në Angli, por ka edhe disa anglezë që vijnë në Shqipëri. Këto janë elementë propagandë që më kujton kohën kur Shqipëria mori çmimin e ushqimit dhe këtu po vdisnin njerëzit për bukë. Duhet të jemi realist në njohjen e realitetit dhe në interpretimin e tij.

Kush është zgjidhja? Çfarë mund t’i mbajë shqiptarët në Shqipëri?

Kjo është një pyetje që nuk ezaurohet në një përgjigje. Shumë shkurt, mund të thuhet që zgjidhja është përmirësimi i qeverisjes. Zgjidhja është përmirësimi i klimës së biznesit. Zgjidhja është sundimi i ligjit. Zgjidhja është edukimi bashkëkohorë dhe jo shitja e kartonëve të diplomave. Zgjidhja është mbështetja për punimin e tokës dhe jo gjoba apo kërcënim me shpronësim ku punon tokën fshatari.

Zgjidhja është pushimi i kësaj lloj politike që ka mbizotëruar përgjatë këtyre 30 viteve dhe rikthimi i konkurrencës së ndershme. Nëse asnjë vend punë në administratën e shtetit nuk merret me konkurrencë siç e parashikon ligji, nëse nuk ftohen profesionistët, nëse biznesi rri me sytë nga deputeti, nga politikani, nga banditi që ka fuqinë për të ndikuar në vendimmarrje politike nuk ka se si një i ri apo një e re që synon të ndërtojë të ardhmen në këtë vend të besojë se Shqipëria do të bëhet më mirë nga ç’është në realitet. Kështu që të gjitha këto të përbashkëta formojnë zgjidhjen.

Zgjidhja është për ta bërë Shqipërinë të jetueshme për shqiptarët që besojnë dhe shpresojnë për një Shqipëri më të mirë. Kështu ka ndodhur edhe në vendet e tjera. Nga qeveria kërkohet seriozitet dhe jo të bëjë demagogji me të vërtetat e hidhura dhe njëkohësisht ti mbyllë gojën cilit do që është kritikë ndaj tyre. Pra gjuha jonë e përbashkët e të gjithëve, përfshi dhe median është që ta bëjmë Shqipërinë të jetueshme. Këtë vend e bëjmë të jetueshëm kur e njohim realitetin, të ofrojmë zgjidhje të mbështetura mbi këtë realitet duke zbatuar praktikat e mira të qeverisjes të praktikuara nga vendet demokratike dhe jo të bazohemi mbi turqizma, arabiza etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura