“Imago Mundi”, bota shqiptare përmes 163 tablove

Apr 22, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

Nuk kanë aspak rëndësi përmasat. Në atë kuadrat mund të futet një botë e tërë. E gjithë bota shqiptare pulson aty, vitet e tranzicionit, trashëgimia komuniste, gazi i jetës, përditshmëria, eros dhe thanatos, çifte të dashuruar, por edhe revolverë, bunkerë, si edhe nudo…

Dje gjatë prezantimit të albumit në sallën e Universitetit të Arteve
Dje gjatë prezantimit të albumit në sallën e Universitetit të Arteve

Në fillim u duk si një projekt për të rinjtë, por “Imago Mundi” i joshi të gjitha moshat. Plot 163 artistë, të të gjitha brezave, iu bashkuan siglës “Benetton” për të realizuar një koleksion shqiptar të arteve pamore. Instituti Italian i Kulturës dhe EJAlbum arritën dje në finish të projektit “Imago Mundi” në Shqipëri.

Një projekt i fondacionit “Benetton Studime dhe Kërkime”, i zbatuar në Shqipëri nga EJAlbum, që u përmbyll në sallën e koncerteve në Universitetin e Arteve, nën praninë e vetë artistëve, punët e të cilëve janë përfshirë në një katalog, të kuratorëve, të vetë Luciano Benetton, ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, por dhe shumë dashamirësve të artit, që iu përgjigjën ftesave të dërguara nga organizatorët.

KOLEKSIONI

Kopertina e albumit
Kopertina e albumit

Që nga Lek Tasi, vepra e të cilit është zgjedhur për kopertinën e albumit, te Hasan Nallbani, Anastas Kostandini, Llambi Blido, Maks Velo, Gazmend Leka, Najada Hamza, Vladimir Myrtezai, Ardian Isufi, Lumturi Blloshmi, Abaz Hado, Josif Droboniku, Leon Çika, Stefan Taçi, Helidon Xhixha, Helidon Haliti, Anila Zajmi, Moikom Zeqo, Arben Golemi, madje edhe drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, e shumë të tjerë, e kanë parë “Imago Mundin” si një mundësi të mirë për të prezantuar veten. Ka kaluar një vit tashmë, që kur u prezantua në Tiranë ky projekt, i cili, sipas organizatorëve, i ka kaluar të gjitha parashikimet.

“It used to be my playground”, vepër nga Ergys Zhabjaku
“It used to be my playground”, vepër nga Ergys Zhabjaku

Thirrjes iu përgjigjën artistë të të gjitha moshave, që operojnë në mediume të ndryshme. Edhe pse tabloja standarde (10×12 cm) që iu vu në dispozicion, nuk ofron shumë hapësirë, artistët e kanë gjetur mundësinë të shprehin veten, duke ofruar një koleksion shumë të larmishëm, si në formë, ashtu edhe tematikat që ata prekin. Janë 163 vepra dhe 163 profile artistësh, që ofrojnë një panoramë të pasur të zhvillimeve në artet pamore në Shqipëri. Pikërisht ky është edhe qëllimi i ideatorit të këtij projekti mbarëbotëror, që bëri pjesë të vetën edhe Shqipërinë. Sipas Luciano Benetton, i cili u nderua me titullin “Doktor Honoris Causa”, “Imago Mundi” është një projekt kulturor, demokratik dhe global, që ka si pikësynim kufijtë e rinj të artit në emër të bashkëjetesës së diversitetit të shprehjes.

“Qëllimi ynë është t’i ofrojë koleksionin një publiku gjithnjë e më të madhe nëpërmjet ekspozitave, katalogëve dhe internetit, duke inkurajuar një dialog të sinqertë me artin dhe botën, duke theksuar se idetë, arsyet, të kuptuarit dhe frymëzimi nuk janë monopol i pakicës, por rilulëzojnë falë bashkëpunimit dhe komunikimit”. Ky projekt është shtrirë në të gjithë botën, që nga Oqeania, në Afrikë, Azi, Amerikë e pa dyshim Europë, duke bërë bashkë kultura të ndryshme.

Në të numërohen deri më tani 100 vende të botës dhe 15 mijë vepra arti. Ajo çka përfitojnë artistët shqiptarë nga ky projekt është përfshirja në një koleksion botëror, përballja me artistë nga i gjithë globi dhe promovimi, kudo ku albumi ku janë përfshirë punët e tyre do të qarkullojë. Volumi në tri gjuhë (anglisht, shqip, italisht) “Albania / Knots. 163 Contemporary Artists from Albania” është kuruar nga Elton Koritari, ValentiValentina Granzotto, Albes Fusha, Alban Hajdinaj.

ALMA MILE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura