Iluzionet e lirisë në dhjetor ‘90 dhe zhgënjimi aktual

Dec 8, 2022 | 7:45
SHPËRNDAJE

KUJTIM MORINAKUJTIM MORINA

Po radhis disa nga iluzionet që kishim në dhjetor ‘90 dhe si doli realisht në praktikë. Le të marrim disa nga liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, për të cilat ishim të shtypur e të përgjuar dhe mendonim se nuk do të ekzistonin më këto probleme. E para, liria e shprehjes. Tani e në vazhdim thoshim ne, njerëzit do të shprehen lirisht, jo më si përpara kur për një fjalë goje apo me dy dëshmitarë të rremë të fusnin në burg. Mirëpo, edhe në demokraci liria e shprehjes bëhet e pavlefshme. Kur e kërcënon tjetrin me vendin e punës, me mosnjohjen e pronës, me pengesat që i krijon atij në shërbimet publike në administratë, atëherë ai natyrisht nuk shprehet më i lirë, ndrydhet, frikësohet, intimidohet. Apo kur shumica ndihen kështu të kërcënuar me humbjen e të drejtave elementare, edhe ndonjë zë i vetmuar që ngrihet, tulatet, nuk gjen mbështetje.

Të kalojmë te liria e shtypit. Në dhjetor ‘90, thoshim ne, në vendet kapitaliste apo demokratike, gazetat dalin në faqe të parë me karikaturën e Presidentit të Republikës. Kjo na dukej gjë e madhe atëherë! Kanë dalë dhe dalin edhe te ne, por çfarë ka ndodhur. Gazetat dhe televizionet janë kontrolluar vazhdimisht nga qeveria ose edhe nga oligarkët këto njëzet vitet e fundit. Natyrisht, se me daljen e medias elektronike dhe rrjeteve sociale, u shtua një hapësirë lirie, por kjo ka edhe problemin tjetër. Media elektronike nuk varet më nga shitjet e gazetave apo artikujve, por vetëm nga reklamat që vijnë kryesisht nga qeveria ose biznesi. E vërtetë që tani shprehesh në llogarinë që ke hapur në rrjetet sociale, por ajo ka një numër të kufizuar ndjekësish apo shikuesish dhe nëse ky mendim do të përcillet në shtyp për të arritur një masë më të madhe njerëzish, është prapë filtri që kontrollohet nga interesa të aktorëve që përmenda më sipër. Përveç kësaj, edhe për shkrimet apo mesazhet që shpërndahen në mediat elektronike ka metoda me pagesë që amplifikojnë apo shumëfishojnë ato që iu pëlqejnë financuesve të tyre dhe që kufizojnë apo pengojnë për të shkuar te publiku i gjerë shkrime të tjera. S’po flasim këtu për autocensurën, kur autori i shkrimit censuron vetveten për të qenë siç thuhet politikisht korrekt, për t’u ruajtur nga pronari se e heq nga puna apo për pasoja të tjera.

Liria e zgjedhjeve. Dihet se ky është një ushtrim që përmirësohet vazhdimisht në sistemin demokratik. Mirëpo, te ne kanë ndodhur zgjedhje të manipuluara dhe vetëm me një kandidat. Sidomos me këto të fundit, e drejta është që kur opozita nuk merr pjesë, ka një arsye të fortë se zëri i saj nuk po dëgjohet, atëherë duhet t’i jepet të paktën edhe një shans tjetër me shtyrjen e zgjedhjeve për të rregulluar mangësitë e pretenduara. Natyrisht se asnjë palë në sistemin demokratik nuk duhet të kushtëzojë apo bllokojë sistemin se kështu sillemi në një rreth vicioz pa rrugëdalje, por se edhe respektimi i palës tjetër është shumë i rëndësishëm.

Liria e tubimeve paqësore, e manifestimit e grevave, protestave. Edhe kjo është e ndrydhur. Është e vërtetë që në protesta dalin një numër i konsiderueshëm njerëzish por sa të tjerë nuk dalin për arsye të humbjes së vendeve të punës, frikës se do të privohen nga shërbimet bazë publike, se do të shihen me syrin e njerkës etj.

Kështu mund të radhitim pa fund, e drejta e pronës, që me një vendim arbitrar të pushtetit qendror apo lokal, pa pritur vendimin e gjykatës, ia merr pronën tjetrit apo e nxjerr nga shtëpia me justifikimin për ndërtime me interes publik. Neni 42 i Kushtetutës thotë se “Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor”. E drejta e barazisë para ligjit gjithashtu cenohet kur privilegjon simpatizantët e partisë në pushtet, gjë që sjell diskriminim të të tjerëve.

S’po hymë tani as në respektimin e lirive dhe të drejtave ekonomike sepse mjafton të kujtojmë se në diagramën e të drejtave bazike, cenimi i dinjitetit njerëzor dhe i lirive personale konsiderohet me pasoja po aq të rënda sa mungesa e ushqimit apo privimi i të drejtave elementare ekonomike.

Mosrespektimi i këtyre lirive që përbëjnë bazën e çdo Kushtetute mendoj se ka sjellë këtë zhgënjim pas vetëm tri dekadave të ndryshimeve demokratike. Shumë shpejt për një zhgënjim të tillë nga sistemi aq më tepër që ne kemi vuajtur për gjysmë shekulli nga sistemi diktatorial dhe më përpara nuk është se kemi pasur përvojë demokratike. Këto liri janë të vendosura me ligj, por cenohen, shkelen, nuk marrin kuptim, atëherë qytetari nuk gjen rrugë tjetër vetëm drejt emigracionit. Fenomeni i braktisjes së vendit është më pasoja për të gjithë, jo vetëm për një palë. Sepse sado që ka përparuar teknologjia, nuk ka popull pa njerëz dhe një popull është faktor për aq popullsi sa ka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura