I kërkuari plagos me kallashnikov policin në aksion

Dec 30, 2013 | 10:30
SHPËRNDAJE

I shumëkërkuari Gazmir Marku
Përplasje me armë zjarri mes një personi të kërkuar dhe efektivëve të Policisë në zonën e ish-Kënetës në Durrës, plagoset njëri prej bluve. Gjithçka nisi kur oficeri i Policisë, së bashku me dy kolegët e tij, kishte shkuar për një kontroll rutinë në banesën e shtetasit Gazmir Marku, në Lagjen Nr.15. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit bënë të ditur se i plagosur ka mbetur oficeri Agron Halilaj, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është transportuar drejt Spitalit Rajonal për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 22:00 të ditës së shtunë, kur në sallën operative kishte mbërritur një njoftim se shtetasi në kërkim, Gazmir Marku, 32 vjeç, ndodhej në banesën e tij në Lagjen Nr.15. Marku njihet si person me precedentë të mëparshëm penalë, kryesisht për vjedhje me dhunë, përdhunim, prishje të rendit, qetësisë etj.
Rreth orës 22:00 të së shtunës, një patrullë policie me tre efektivë brenda është afruar pranë banesës së shtetasit Gazmir Marku, e cila ndodhet në Lagjen Nr.15 të qytetit bregdetar të Durrësit, për të kryer një kontroll rutinë, duke marrë shkas edhe nga denoncimi i një personi për vjedhje me dhunë pikërisht në këtë lagje. Duke marrë parasysh faktin që 32-vjeçari ishte person problematik, patrulla e policisë i është afruar banesës së tij për të ushtruar një kontroll, marrë shkas edhe nga informacionet që Marku ndodhej në ato momente në shtëpi. Në oborrin e banesës, policia ka kontaktuar me babain e 32-vjeçarit, ndërsa pa asnjë lloj paralajmërimi ky i fundit ka qëlluar me automatik në drejtim të patrullës. Edhe policia i është përgjigjur zjarrit. Nga të shtënat mbeti i plagosur efektivi Agron Halilaj. Pas shkëmbimit të zjarrit, 32-vjeçari i ndihmuar edhe nga errësira, ka mundur të largohet në këmbë së bashku me armën e krimit (kallashnikov). Dy kolegët e policit të plagosur u përpoqën ta kapnin 32-vjeçarin, por tentativa e tyre dështoi. Në këto kushte, efektivët kërkuan përforcime, ndërsa transportuan drejt
Banesa e të kërkuarit, Gazmir Marku, ku mbeti i plagosur efektivi i Policisë
Spitalit Rajonal efektivin e plagosur. Pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Durrësit, oficeri i plagosur është nisur për mjekim më të specializuar në spitalin e traumës në Tiranë. Mjekët thonë se gjendja e tij shëndetësore është e mirë, ndërkohë që ka plagë me armë zjarri në fundin e gishtit të madh të dorës së djathtë. 32-vjeçari Marku është person me disa precedentë penalë për vepra të ndryshme. Marku akuzohet për vjedhje, përdhunim, dhunë në familje, shkatërrim prone etj. Mësohet se Marku më herët ishte dënuar, pasi para disa vitesh kishte qëlluar kundër Policisë, por asokohe nuk pati të lënduar.

Tahiri, vizitë në spital
Gjatë qëndrimit në Spitalin e Durrësit, polici i plagosur është vizituar edhe nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Ndërkaq, ngjarja ka ngritur në këmbë të gjitha strukturat. Mësohet se në kërkimet për kapjen e 33-vjeçarit, përveç Policisë së Durrësit, janë angazhuar forcat RENEA, si dhe një helikopter që po monitoron nga lart të gjithë zonën. Mësohet se është bërë krehja e të gjithë zonës ku dyshohej se mund të fshihej Marku, ndërsa policia po kryen kontrolle të shumta në akset rrugore, si dhe banesat ku mendohej se ndodhet 33-vjeçari. Deri në orët e vona të së dielës, kërkimet intensive nuk dhanë asnjë rezultat, ndërsa Policia thotë se vijojnë kërkimet me të njëjtin intensitet pune për kapjen dhe neutralizimin e autorit.

Shpërblimi
Policia e Durrësit ka vënë në dispozicion të gjithkujt që do të ofrojë informacion për vendndodhjen e 32-vjeçarit plot 5 mijë euro. “Policia fton komunitetin që për çdo informacion që mund të ketë lidhje me vendndodhjen e këtij shtetasi, të informojë në numrin pa pagesë 129 dhe 126, duke garantuar anonimatin e telefonuesve. Për informacione të vlefshme mbi kapjen e këtij shtetasi vendos në dispozicion shumën prej 5000 eurosh”.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura