Humbja e dëgjimit te të moshuarit, ja cili është suplementi ushqimor që ju ndihmon të ulni rrezikun

Sep 18, 2023 | 19:57
SHPËRNDAJE

Suplementet e fitosterolit sugjerohen nga një studim i fundit i publikuar në  PLOS Biology si një mjet për të ndaluar humbjen e dëgjimit në plakje.

degjimi

Këtë “vitaminë”, sipas studiuesve mund ta gjëni në ushqime të tilla si susami, kikirikët, domatet, angjinaret, farat e lulediellit, bananet, qershitë, fiqtë, arrat dhe drithërat etj.

Qelizat shqisore të dëgjimit, veprojnë si përforcues të zërit, falë aftësisë së tyre për të lëvizur dhe për të ndryshuar gjatësinë e tyre. Me kalimin e moshës, kjo aftësi për t’u zgjatur (polarizuar) humbet, duke rezultuar në pamundësinë për të përforcuar zërin dhe humbje graduale të dëgjimit.

Kolesteroli luan një rol kyç në procesin e polarizimit. Ndërsa kolesteroli i trurit zvogëlohet me moshën, studiuesit supozuan se humbja e dëgjimit mund të lidhet me humbjen e kolesterolit në qelizat e jashtme. Për të testuar hipotezën, ata kryen eksperimente me minj.

Në hapin e parë, ata matën nivelet e enzimës CYP46A1 në qelizat e jashtme të qimeve të veshit të brendshëm. Është një enzimë e veçantë që merr pjesë në eliminimin dhe në përgjithësi ciklin e kolesterolit në tru.

Siç pritej, përqendrimi i enzimës ishte më i lartë në veshët e minjve të vjetër në krahasim me ata më të rinj, duke rezultuar në nivele më të ulëta të kolesterolit, u shprehen studiuesit.

Më pas, ata shkaktuan artificialisht humbjen e dëgjimit tek minjtë e rinj duke u dhënë atyre efavirenz, një ilaç antiretroviral që aktivizon enzimën CYP46A1, dhe testuan nëse një rritje e kolesterolit në tru mund të kundërshtonte efektin e ilaçit.

Meqenëse kolesteroli nuk mund të kalojë barrierën gjaku-tru, ekipi hulumtues zgjodhi fitosterolet, të cilat mund ta kalojnë atë dhe të grumbullohen në tru. Minjtë e rinj që morën ilaçin antiretroviral dhe kombinuan suplemente fitosteroli për tre javë panë një përmirësim në funksionin e qelizave të jashtme të qimeve.

Studiuesit i përshkruan gjetjet e tyre si “shumë premtuese” për parandalimin ose trajtimin e humbjes së dëgjimit, por vunë në dukje se duhet të bëhen prova klinike përpara se të nxirren përfundime më të forta dhe përpara se të rekomandohen suplemente për të luftuar apo edhe për të rikthyer humbjen e dëgjimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura