Hueida: Si i binda të pasurit shqiptarë të bëjnë bamirësi

Jun 19, 2015 | 16:04
SHPËRNDAJE


Balerinë, prezantuese, shkrimtare, juriste dhe prej 3 vitesh dhe piktore. Pasi është bërë nënë, Hueida El Saied rikthehet në Shqipëri me një mision, të bëjë ankand pikturash, ku të ardhurat e mbledhura të shkojnë për fëmijët në nevojë që denoncojnë në linjën Alo 116.
Cili është burimi i frymëzimit tënd për t’u marrë me pikturë e më pas mebamirësi?
Një gjë është e sigurt, çdo gjë që kam bërë, është pasioni im. Aq më tepër, shpesh, kur finalizoj pikturat e mia, suprizohem dhe vetë. Tashmë që mbaj tërë këto keto vite mbi supet e mia, mund të them se ekzitoj përmes projekteve që kam, e ndiej si domosdoshmëri të krijoj.
Kur ke filluar të pikturosh?
Qe prej vitit 1996. Banoja përballë një dyqani ku shiteshin materiale arti dhe pikturash. Meqenëse vizatoja prej vitesh, isha kurioze të shihja se si do te dukeshin ato nëse i realizoja me  ngjyra apo bojëra vaji. Piktura ishte pasioni im, ndërsa prej 3 vitesh është aktiviteti im primar. Në fakt, pikturat e mia kanë zënë vendin e ditarëve që shkruaja prej vitesh, vetëm se ato bëhen publike përmes ekspozitave, dhe më shumë se 20 prej tyre janë shitur. Deri tani kam realizuar 5 ekspozita, ndër të cilat  2 personale dhe 3 së bashku me piktorë të njohur.
Çfarë i jep jetë artit tënd?
Çdo gjë që më rrethon më frymëzon, por prej 5 muajsh muza ime mban emrin  Gabriel, që në fakt është krijimi më i bukur që kam bërë deri më sot. Gabrieli është krenaria ime, dashuria pa fund që nuk e dija se ekzistonte, por tashmë që jam bërë nënë, e kam kuptuar.
The se ke nevojë për projekte, na trego pak për atë më të fundit për të cilin ndodhesh në Tiranë, “Art për bamirësi”.
“Art per bamirësi” është një ankand social pikturash,  i cili është krijuar posaçërisht për Alo 116 (linja kombëtare e këshillimit për fëmijët). ALO 116 çdo vit ndihmon rreth 500 fëmijë me veshje dhe materiale për të ndjekur kopshtin dhe shkollën. Janë 12  piktorë francezë, luksemburgas dhe shqiptarë, midis të cilëve edhe unë. Kemi mbledhur 28 piktura për këtë event dhe të ardhurat do të shkojnë për fëmijët në nevojë. Eventi organizohet të mërkurën e ardhshme, më 17 qershor, në orën 18:30 në Hotel Tirana. Uroj që të ketë sa më shumë pjesemarrje, pasi fëmijët kanë vërtet nevojë për ndihmë dhe përkujdesje.
A e pate të vështirë të mblidhje pikturat?
Gjëja që më ka joshur gjithmonë në Perëndim është shpirti i madh i njerëzve për kauza humanitare. Kur u thashë piktorëve të huaj që shitja e pikturave do të shkonte në favor të fëmijëve në nevojë,  m’i dhuruan pa hezituar dhe me shumë kënaqësi. Përfitoj nga rasti që të falënderoj Dhomat e Tregtisë Shqiptare, Amerikane dhe Franceze, anëtarët e të cilëve do të marrin pjesë në këtë ankand, si dhe të gjithë biznesmenët shqiptarë e të huaj, të pranishëm në vend.
Si arrite t’i bindje biznesmenët shqiptarë për të qenë të pranishëm, meqë aktivitete të tilla bëhen rrallë në Shqipëri?
Unë kam shpërndarë ftesa kudo ku kam menduar se paraja, zemërgjerësia dhe ndjeshmëria për fëmijët në nevojë janë pjesë e të njëjtit individ. Të gjithë më janë shprehur të gatshëm për të marrë pjesë dhe kontribuar. Madje, më kanë thënë që, përveç pjesëmarrjes në ankand, do të kontribojnë edhe me dhurata të ndryshme për këta fëmijë.
Ti tashmë jeton ne Luksemburg, ke ndonjë plan per t’u rikthyer në Shqipëri ?
Shqipëria më mungon, këtu kam miqtë e mi, gjyshen dhe tezen. Qëllimi i eventit  “Art për bamirësi” është të jetë i përvitshëm, një arsye më tepër e cila do të më japë mundësi të rikthehem dhe të përmbush rolin e ambasadores së nderit të ALO 116.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura