Historia e familjes Pali dhe malësorit që i dhuroi lahutën Mretit Zog ditën e dasmës! Ngjarjet e panjohura të ish-partizanit që përndiqej nga sigurimi

Nov 23, 2022 | 22:02
SHPËRNDAJE

NGA AFRIM IMAJ/ Është një shtëpi e thjeshtë në kreshpat e një kodrine në fshatin Katund i Vjetër Mirditë, shumë pranë qytetit të Rubikut. Një strehëz me shumë histori e kujtime.

Nga dasma e Mbretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë
Nga dasma e Mbretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë

Ata që jetojnë aty thonë se gurin e themelit e ka hedhur gjyshi i Gjergj Palit, malësorit fisnik që i çoi për dhuratë mbretit Zog një lahutë në ceremoninë e martesës. Ka vdekur Gjergji e bashkë me të dhe vëllezërit e motrat e tij. Në strehën buzë kodrinës janë ndërruar brezat njëri pas tjetrit, por guri i themelit ka mbetur pa lëvizur.

Pasardhësit që e ruajtën me besnikëri brengën e Gjergjit për mos ta lëvizur, ruajtën të shenjtë edhe amanetin e tij për ta mbajtur kullën të çelur për Zotin dhe Mikun, njëherazi me traditën e besës dhe atdhedashurisë. E ndërsa gjyshi Gjergji ka vite që nuk jeton, ata që erdhën pas tij e bënë çdo gjë sikundër i deshi shpirti dhe zemra e tij…

Malësori që u vonua në ditën e dasmës së Zogut

Ai ishte në grupin e fundit të atyre që morën pjesë në dasmën e Mbretit Zog. I veshur me kostumin kombëtar me qeleshen mbi krye u gjend në ceremoninë e pazakontë i paftuar, por me dëshirën e zjarrtë të ishte aty për t’i shtuar sadopak dekorit të dasmës dhuratën e tij, një lahutë të punuar me merak me shqiponjën dykrenare në krye.

Ishte dëshira t’i falte Mbretit Zog diçka nga punimet e tij, nga ato që punonte përditë me dorë mjeshtri. Dhe e pritën me shumë bujari dhe respekt mysafirin e ardhur nga larg oborrtarët e mbretit. E falënderuan për dhuratën e bukur dhe i bënë një vend diku përskaj miqve të shumtë të ardhur nga larg.

Me vegimin e atyre çasteve nga ceremonia e padëgjuar më parë, u kthye te kulla e tij. U kthye te streha në Katundin e Vjetër dhe u mbyll në “studion” e vet, në dhomëzën ku pikturonte e gdhendte vepra të ndryshme artistike me atë talentin e tij të rrallë. Shumëkënd që e hiqte rruga nga këto vise, do kthehej patjetër një çast nga galeria e tij për të parë nga afër punimet e veçanta në dru, gur, apo mermer.

Dikush do zgjidhte një pistoletë druri, dikush një çifteli, dikush një pëllumb apo shumë çka tjetër. Sa skulptor e piktor, aq dhe mjeshtër i gdhendjes së drurit dhe gurit, Gjergj Pali nxori nga dora e tij me dhjetëra e qindra punime të realizuara me art e shije të spikatur.

Kështu deri sa gjunjët iu prerë e duart nuk i bindeshin më. Atëherë plaku i urtë e mendjekthjellët mblodhi të tijtë dhe u tha: Deri këtu mund të shkonte Gjergj Pali, tani më lerni të shkoj aty ku kam vendin.

Dhe u shua si qiriu e u shtri përdhe si një lis i lartë. Për shumë vite pasardhësit ia ruajtën “studion” e famshme deri sa ndërruan motet e lufta e dogji kullën brenda së cilës ishte dhe ajo me dhjetëra punime të bëra me dorë mjeshtëri. Nga gjithë ai “arsenal” veprash të prodhuar në vite mundi të shpëtonte vetëm një çifteli dhe një portret i Mbretit Zogu i Parë punuar në dru…

Ndue Pali, partizani i ndëshkuar pas shpine si antikomunist

ndue dava pali

Ndue Pali, përndryshe djali i malësorit që i çoi për dhuratë një lahutë Mbretit Zog, ishte ndër të parët në zonën e Katundit të Vjetër që u rreshtua në çetat antifashiste kundër pushtimit të vendit. Nga dita e parë dhe deri në përfundimin e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ai qëndroi në ballin e frontit, në radhët e Brigadës VII sulmuese.

Ata që e kanë njohur dhe kanë qenë bashkëluftëtarë të tij thonë se ka qenë një ndër partizanët e palëkundur dhe trim.

Të tillë e vlerësonte ndër të tjerë edhe komandanti i Brigadës Gjin Marku, të cilin e donte dhe e vlerësonte shumë. Në ditët e para pasçlirimit, si shumë shokë të tij, e mbuluan me dekorata.

“Medalje e Trimërisë”, “Certifikatë e kujtimit”, ishin vetëm dy ndër to, që Ndue Pali nuk ua vuri shumë veshin për t’i rënë gjoksit. As kërkoi të përfitonte diçka për ditët e muajt e sakrificave në radhët e luftëtarëve. Sa bëri dasmën, u bashkua me bashkëfshatarët dhe filloi punë në minierë, tashmë në ballë të një fronti tjetër, siç ishte galeria e nëntokës.

Sidoqoftë, me kalimin e muajve, përveç të ardhurave të borderosë dhe emrit të mirë që krijoi në radhët e minatorëve, do ndihej i shpërfillur e gatigati i padëshirueshëm për autoritet e kohës që dikur nuk i kishin kursyer nderimet e shumta për kontributin e tij në vitet e luftës. Diku i kishte prekur në kallo pa e kuptuar Ndue Pali, por asnjëherë nuk e mori vesh arsyen e ftohtësisë së tyre.

“Syri vigjilent” i regjimit me sa duket kishte dalluar sjelljen antisistem dhe kishte mbajtur shënim duke e regjistruar në kontingjentin e antikomunistëve të heshtur. E gjitha kjo, kuptohet, tinëz, pas shpine dhe në pritje të rastit flagrant për ta degdisur në ferrin e burgjeve të komunizmit.

Në bllokun e kompetentit ishin nënvizuar njëra pas tjetrës gjetjet nga raportet e fshehta për sjelljet e dyshimta të Ndue Palit.

“Nuk ka denoncuar çetat antikomuniste që fshiheshin në Katundin e Vjetër”.

“Ka kundërshtuar anëtarësimin në kooperativë”.

“Ka shprehur rezerva e revoltë për dënimin e Gjin Markut”.

“Ka nostalgji për kishat dhe mbretin”. “Ruan ende në shtëpi bustin e Zogut”.

Ndue Pali sa ishte gjallë thoshte se nuk dinte gjë për kësi ngjarje, madje nuk kujtohej të ishte qortuar ndonjëherë për to. Mbante mend që dikur dikush i kishte tërhequr vëmendjen për bustin e Zogut që mbante në dhomë të pritjes.

“Mysafiri kujtonte se kisha nostalgji për monarkinë, i rikthehej Nduja këtij episodi. Po jo, ore burrë i dheut, e kishte sqaruar më tej, është një nga punimet e vetme që ka mbetur nga ato që gdhendte babai”

Ndërkohë që ai partizani i orëve të para mendonte se historia ishte mbyllur me kaq, mysafiri me sa duket e kishte aty ku duhej. E biografia problematike e shkruar fshehtazi nuk do të humbiste thjesht besimin e regjimit ndaj tij, por do ta mbante atë në shënjestrën deri në fund. Pavarësisht privacioneve e kufizimeve të gjithëfarllojta, Ndue Pali do ta ndërtonte jetën e vet siç i kishte hije kullës së Gjergj Palit. I martuar me Dava Palin, një vajzë nga një derë fisnike e zonës, do të rrisnin e edukonin gjashtë fëmijë katër djem e dy vajza.

Brengat që mori me vete Dava Pali

gjergji pali

Dava Pali, e bija e malësorit të njohur për kuvende burrash dhe për bujari, mbylli sytë përgjithmonë një pasdite maji të vitit 2004 në moshën 60 vjeçare. Atëherë kur ishte bërë gjyshe dhe priste njëri pas tjetrit nipërit dhe mbesat e saj. Në Katundin e Vjetër dhe rrethina të tregojnë se ka qenë një zonjë grua, punëtore si ajo dhe e përkushtuar tej mase për fëmijët. Në kooperativë ku nisi nga puna që ditën e krijimit të saj e deri sa u mbyll, nuk mban mend njeri të ketë munguar ndonjëherë.

Madje, në sektorët më të vështirë, e përzgjedhur për kësi punësh nga drejtuesit lokal si gruaja e Gjergj Ndoit, njeriut që regjimi e shikonte me syrin e njerkës. E megjithatë ajo asnjëherë nuk u ankua, nuk kërkoi ndihmë tek askush për ta lehtësuar sadopak, ndërkohë që mbrëmjeve në shtëpi e priste një sfidë tjetër, bashkë me përkujdesjen për fëmijët, duhej shtruar sofra për miqtë e shumë.

Se ishte derë e madhe kulla e Ndue Palit e mysafirët nuk rreshtin kurrë. Shumëkush që mori pjesë në përcjelljen e Davës, njëherazi me fjalët e mira për këtë zonjë grua, foli për brengat e mëdha që mori me vete në amshim. Brenga e parë kishte të bënte me fatin e keq të vajzës së vogël, Gjelinës që kishte lindur e sëmurë me probleme të rënda të kockave. Çfarë nuk bëri për ta shëruar. Nuk la spital e mjek, por nuk kishte qenë e thënë. Në fund vendosi t’i drejtohet vendit të Shenjtë, Kishës së Laçit.

Atje kur priste një shpresë, sado të vogël, u përball me belanë. Ishte koha kur Shqipëria komuniste i binte gjoksit si vendi i vetëm ateist në botë dhe të tilla objekte kulti ishin rreptësisht të ndaluara për t’u frekuentuar.

Ajo që u mundua të futej pa rënë në sy, më në fund ra në kurthin e policëve vigjilentë. Pa mbërritur mirë aty, ata e ndaluan dhe e shoqëruan gati të prangosur. E gjora grua u kdhye në mbrëmje vonë në shtëpi, e dërrmuar, me shpresat e venitura për fatin e Gjelinës. Deri sa mbylli sytë, e mbajti mendjen tek ajo. Po nuk ishte vetëm brenga e saj që e mbante të lënduar nusen e Gjergj Palit. Një tjetër brengë ishte postblloku që kishte vënë rrëgjimi për shkollimin e fëmijëve.

Megjithëse ata ishin të gjithë me rezultate të shkëlqyera, asnjëri nuk mundi të merrte rrugën e universitetit. Dava Pali pati një jetë të trazuar e dinjitoze dhe një ikje të paqtë sikundër kishte shpirtin…

Kolonelja që iu mohua ylli i gjeneralit

Bardha Pali është e vetmja nga fëmijët e Gjergj Palit, që pati privilegjin në gërhanat e fundit të regjimit të diplomohej në shkollë të lartë. E mbështetur disi në biografinë e mirë të dajave, mundi t’i jepte jetë ëndrrës për t’u bërë oficere. Mbaroi me rezultate të shkëlqyera akademinë ushtarake dhe nisi karrierën ushtarake.

Dhe kudo që shërbeu, njohu vetëm sukses në përmbushjen e detyrave. Ishte kjo arsyeja kryesore që arriti deri në gardën madhore të kolonelit. Madje, siç pohojnë kolegët e saj, po të kishte objektivitet e paanshmëri, ajo do kishte marrë yllin e gjeneralit, të cilin e ëndërroi plot lakmi. Sidoqoftë, Bardha ishte një kontribuuese e spikatur në përmbushjen e objektivave dhe misionit të Forcave të Armatosura.

Pjesa më e bukur e karrierës së saj, siç thotë, është koha kur shërbeu në misionin e NATO-s në Bruksel dhe në Afganistan. Karriera ushtarake disavjeçare e vajzës së Gjergj Palit përshkruan një gjeografi të larmishme, por dhe një mori detyrash, duke nisur nga më e thjeshta, ajo e shefes së logjistikës në Divizionin e Laçit dhe batalionin e xhenios, detyra e specialistes së planifikimit në Komandën e Forcave Tokësore, e deri te funksioni i rëndësishëm i shefes së zyrës së marrëdhënieve civilo-ushtarake në Shtabin e Përgjithshëm, pa përmendur këtu pjesëmarrjen si pjesë e lidershipit të misioneve paqeruajtëse jashtë vendit. Kudo ku punoi e shërbeu, la emër të mirë dhe fitoi shokë e miq të shumtë që e respektojnë për integritetin e lartë dhe vlera të vyera njerëzore e qytetarie.

Përkundër këtij realiteti, Bardha Palit iu desh të ballafaqohej me shpërfilljen e zyrtarëve cinikë e burokratë që shkëlqimi i saj, i veçantë për nga lloji, i verbonte sytë sa nga xhelozia, aq dhe nga cinizmi i pjesës vendimmarrëse të lidershipit politik e ushtarak. Më shumë se kaq, “vrapin” e koloneles, do ta pengonte paragjykimi klasor i strehës së saj si një vatër e hershme nacionaliste.

E megjithatë, Bardha Pali nuk u ligështua, nuk trokiti në asnjë zyrë, por e kërkoi të drejtën vetëm tek organet gjyqësore dhe aty e fitoi. Fitoi të drejtën, por pengu që nuk e preku dot yllin e gjeneralit i mbeti në shpirt.

© Panorama.al

Te lidhura