Heronjtë që nuk vdesin kurrë/ Beteja e Margëlliçit, çfarë ndodhi më 29 mars 1944

Mar 29, 2024 | 11:44
SHPËRNDAJE

ylli durajYLLI DURAJ

NË VEND TË PROLOGUT…

Në rrugëtimin e historisë së një kombi, ka ngjarje që bëjnë dhe shkruajnë histori, epope.

Edhe pse kohët kalojnë e kërkojnë të largojnë sadopak ngadhënjimin dhe lavdinë e tyre, që dje shkruajtën historinë e mbijetesës së kombit, kur bëhej fjalë për ekzistencën ose jo të tij, Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare ishte, mbeti dhe sot përcjell me madhështi inkandeshenten më të lartë njerëzore, që brezave të sotshëm dhe të ardhshëm, do t’i shndrisë si pishtar në rrugëtimin e tyre historik.

Ngjarje, episode, trimëri lufte kur altari i lirisë kërkonte që gjaku të derdhej e jeta të flijohej, sot jo vetëm tregojnë histori të ndritshme, por vijnë si një thirrje për të ndërtuar atë për çka u sakrifikua, përçojnë atë mesazh të madh universal të ndërtimit të qytetarisë, paqes, dashurisë njerëzore, si ekzistencë e shenjtë e çdo populli, e çdo kombi.

Një ndër ngjarjet që mbeti si yll, si pishtar i gjithë Luftës Antifashiste është beteja e Kalasë së Margëlliçit, që u zhvillua në ato ditë të egra të okupacionit nazi – fashist më 29 mars 1944.

dino kalenja mustafa matohiti

KOHA TREGON HISTORI…

Në fillim të marsit 1944, Grupi i III Mallakastër, pas riorganizimit, nisi një varg sulmesh kundër forcave gjermano – kolaboracioniste dhe arriti të çlirojë shumicën e fshatrave të Mallakastrës. Nga fundi i muajit mars lufta po ashpërsohej së tepërmi në kodrat e Belishovës dhe Kasnicës, sepse pushtuesit gjermanë këmbëngulnin për të mos lëshuar zonën naftëmbajtëse të Patosit dhe rrugëkalimin Fier – Berat.

Gjermanët, të përqendruar në hapësirën kodrinore Margëlliç – Rrërës – Lalar, krijuan një barrierë të fuqishme edhe për mbrojtjen e forcave kryesore të dislokuara në Fier e në zonën bregdetare Seman. Nga ai rajon ata nisën edhe Operacionin e Dimrit (1943 – 1944) në zonën e Mallakastrës.

Forcat partizane të Grupit të III Mallakastër, e në veçanti batalioni “Ismail Klosi”, me t’u kthyer nga zona e Kurveleshit, ku kishin shkuar gjatë Operacionit të Dimrit, nisën me furi veprimet luftarake kundër forcave të Ballit Kombëtar dhe çliruan njëra pas tjetrës fshatrat e Mallakastrës.

Kurse në fund të muajit mars 1944, gjithë forcat e Grupit të III filluan luftimet me sulme e kundërsulme kundër forcave gjermane në rajonin Patos – Belishovë – Kasnicë.

Në një prej atyre ditëve Komanda e Grupit mori një informacion të sigurtë se forcat gjermane dhe ato të Ballit Kombëtar, me në krye Kadri Cakranin, po përgatiteshin për një operacion tjetër ndëshkimi në Mallakastër. Komanda e Grupit informoi menjëherë Komandën e Shtabit të Zonës së pare operative Vlorë – Gjirokastër për situatën politike e luftarake në Mallakastër, por edhe me planin për të sulmuar e asgjësuar garnizonin gjerman të dislokuar në Kalanë e Margëlliçit, para se ata të nisnin operacionin kundër Mallakastrës.

Meqenëse vendi i dislokimit ishte shumë i fortifikuar dhe forcat gjermane ishin të pajisura me artileri, mortaja, mitralozë të rëndë, automatikë e bomba, u kërkua që t’u dërgonin në ndihmë edhe forca të tjera partizane që vepronin në Zonën e parë Operative. Komanda e Shtabit të Zonës së parë operative Vlorë – Gjirokastër e miratoi planin dhe ngarkoi Komandën e Brigadës VI – S që të dërgonte një batalion në ndihmë të Grupit III të Mallakastrës. Më datë 26 mars në fshatin Lapulec u bë takimi i komandës së Grupit të III me komisarin e brigadës Mustafa Matohitin dhe komandën e batalionit “Naim Frashëri”. Nga Grupi III morën pjesë Gjon Banushi, Halit Kaçanolli, Qemal Klosi e Dino Kalenja. Bashkërisht përgatitën planin e sulmit, përqendrimin e forcave, drejtimet e goditjes, kohën për të filluar sulmin dhe për të koordinuar veprimet në dinamiken e luftës, komunikimi do të bëhej me korrier. Për të njohur më mirë terrenin nga do të fillonte sulmi dhe si forcë mbështetëse u vendos që Batalionit “Naim Frashëri” t’i bashkoheshin edhe 40 partizanë të Grupit të III të Mallakastrës, me në krye Qemal Klosin. Në drejtimin Margëlliç – Qafa e Rërrësit – Lalar do të sulmonin forcat e Brigadës së VI – S, kurse forcat e Grupit të III dhe batalioni territorial do të sulmonin në drejtimin Kasnicë – fshat Patos – Lalar, ku kalonte edhe rruga automobilistike Margëlliç – Fier nga ku gjermanëve mund t’u vinte ndihmë, por edhe për t’i goditur gjatë tërheqjes për në Fier. U ra dakord që sulmi të fillonte më datën 29 Mars në orët e para të mëngjesit. Në krye të forcave partizane të Grupit III u caktua Dino Kalenja.

Po jo çdo gjë shkoi sipas planifikimit, çka të bën të dyshosh se ka pasur rrjedhje të informacionit për përgatitjen e këtij sulmi, të kohës dhe drejtimeve nga do të bëhej ai.

Kështu, kur forcat e Grupit të III, që drejtoheshin nga Dino Kalenja, po shkonin për të zënë vijën e sulmit, u goditën befasisht e me të gjithë forcën e armeve, me mitralozë, automatikë e granata nga një detashment zbuluesish gjermanë, që në fshehtësi të plotë kishte udhëtuar për gjithë natën nga Fieri dhe ishin pozicionuar në kodrën mbi Kasnicë, me synim që, pasi të bllokonin e shpartallonin forcat e Grupit të III, të dilnin në shpinë të batalionit “Naim Frashëri” të Brigadës VI – S. Ishte meritë e Dinos, që me gjakftohtësinë e aftësitë luftarake që e karakterizonin, organizoi menjëherë mbrojtjen e forcave dhe duke shfrytëzuar terrenin, sulmuan furishëm për kapjen e kodrës.

Ishte një nga aksionet më të guximshme e më të suksesshme se jo vetëm u ruajtën partizanët nga humbje të paimagjinueshme, por u arrit të futeshin në llogoret e gjermanëve dhe t’i shpartallonin plotësisht ata, duke e bërë të pamundur realizimin e planit për të vënë midis dy zjarresh forcat e batalionit “Naim Frashëri”.

Në atë përleshje dhëmb për dhëmb e bajonetë për bajonetë, ranë në fushë të betejës për të mos vdekur kurrë partizanët Sabri Merkaj nga Drizari, Faik Dulja nga Aranitasi, Hamit Jonuzi nga Çorrushi, Dëshmorë të Atdheut.

Edhe pse një karikator i një automatiku gjerman, preu Dinon gati në fund të betejës, Dino nuk ra, por me dorën përpara drejtonte partizanët drejt armikut. Ai nuk do të binte lehtë pasi ideali i tij i hyjnizues për atdheun, flamurin e kombin, do të bënte ta priste vdekjen në këmbë.

Kështu ngeli Dino Kalenja, hero në këmbë, duke shkruajtur me gjak historinë. Ata pak gjermanë që mbetën gjallë, në panik të plotë, u tërhoqën përrenjve e pyjeve për në Fier.

E njëjta situatë u krijua edhe në Margëlliç. Kur forcat e batalionit “Naim Frasheri” po afroheshin për të zënë pozicionet, u goditën befasisht nga forcat gjermane me mortaja e mitraloz të rëndë. Po kjo nuk i pengoi të mos vazhdonin sulmin, dhe duke shfrytëzuar terrenin, iu afruan mbrojtjes gjermane dhe hapën zjarr të fuqishëm kundër tyre, bile kaluan deri në luftime trup me trup. Po kështu, luftuan edhe partizanët e Grupit të III që sulmuan nga drejtimi Fshat Patos – Lalar. Heroizmi e vetëmohimi partizan e shkatërroi mbrojtjen gjermane dhe i detyroi ata të lënë pozicionet e të çorganizuar e në panik të tërhiqeshin në Fier, duke lënë 46 të vrarë, disa dhjetëra të plagosur e disa dhjetëra u kapën rob.

Kështu u realizua objektivi, çlirimi i Margëlliçit dhe gjithë zonës nga pushtuesit gjermanë, por kjo fitore pati edhe koston e saj se, përveç të rënëve në Kasnicë, flijuan jetën nga Brigada VI – S Heronjtë e Popullit Mustafa Matohiti, Meleq Gosnishti dhe Lefter Talo, si dhe dëshmorët Stefan Zhuku, Faik Sako, Tahir Derishi, Demir Kono, Hamit Jonuzi, Faik Dule, Mario Marini dhe Mikele Troli. Në krah të Mustafait u plagos shumë rëndë Qemal Klosi. Mbas betejës të rënët e Brigadës VI – S u varrosën me nderim e mirënjohje ne fshatin Ngraçan dhe vetëm mbas çlirimit trupat e tyre prehen tek varrezat e dëshmoreve.

Më 1 prill 1944, u bë riorganizimi i Grupit të III të Mallakastrës dhe një batalioni iu dha emri “Dino Kalenja”.

Lavdi të përjetshme jetës dhe veprës së heronjve e dëshmorëve për çlirimin e Margëlliçit dhe të gjithë Shqipërisë.

Ngjarje të tilla si beteja e Kalasë së Margëlliçit ku u derdh gjaku dhe u shkruajt historia, shndrisin si yje heronjtë e saj dhe skaliten me germa në trashëgiminë e artë të panteonit të kombit.

Ylli DURAJ 29 mars 2024 Kolonel në lirim

leftertalo meleq gosenishti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura