Guximi i Ismail Kadaresë 20-vjeçar, edhe student e i papërvojë, shkrimtari gjithmonë i papajtueshëm me letërsinë konformiste të realizmit socialist

Feb 20, 2024 | 12:53
SHPËRNDAJE

SHPENDI TOPOLLAJ/ Romanin e tij të parë “Qyteti pa reklama”, Ismail Kadareja e shkroi kur ishte fare i ri, pra kur nuk kishte provuar të shkruante në këtë gjini, të cilin e nxori në qarkullim më vonë shtëpia botuese me prestigj “Onufri”.

ismail kadare

Si e lexova, sepse m’u duk shumë qesharake një thënie plot ligësi e maniakut dashakeq të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Kapllan Resulbegoviçit, në librin me titullin pretencioz “Autopsia e një morali” (1999), ku sikur të mos mjaftonin shpifjet inatçore të bëra në librat e tij haluçinantë (i kërkoj falje Nderit të Kombit) “Fytyra e vërtetë e Kadaresë” (1997) dhe “Shpifjet e Kadaresë nuk e ndryshojnë të vërtetën” (1997), shprehet: “Kadareja… ka shkruar për çdo gjë që s’është dashtë me shkrue dhe ka heshtë për çdo gjë që është dashtë me folë e shkrue”.

Megjithëse Molieri ka thënë se: “Njeriu i mençur nuk ulet nga të sharat e llafazanëve”, përsëri perifrazimeve të tilla edhe në formë të konsumuara, Kadareja ua ka dhënë me dinjitet përgjigjen e merituar me tërë veprën e tij që është mburrja dhe krenaria e padiskutueshme e letërsisë tonë, që është në fund të fundit, fondi i artë i thesarit tonë kulturor. Por ky roman i shkruar me aq talent dhe aq kurajë qysh kur ai ishte i papërvojë, e për më tepër student në Institutin “Gorki” në Moskë, tregon më së miri se Ismail Kadareja ka qenë gjithmonë i papajtueshëm me letërsinë konformiste të realizmit socialist.

Duket paradoksale, por mosbotimi i këtij libri në atë kohë ka qenë fat për letërsinë tonë, pasi ne do të kishim romanin e parë disident të periudhës së diktaturës, por s’ishte çudi, të mos kishim vetë Kadarenë dhe veprën e tij. Rrallëherë mund të ketë ngjarë si me të, që të ketë një koherencë dhe mirë kuptim kaq të admirueshëm, midis gjenisë krijuese dhe shqetësimit për fatet e vendit. Ja pse edhe kur ai u largua fizikisht në Francë, ne s’ia kemi ndjerë asnjëherë mungesën, ja pse ai, me veprën e tij e cila oshilonte sipas rrahjeve të pulsit të kombit tonë, ka qenë ato vite më i pranishëm se kurrë. Në luftën jo të lehtë për vendosjen e demokracisë, por dhe kur nga plagët e Kosovës pikonte gjaku i pastër i vëllezërve tanë, pra në momentet kyçe të historisë tonë, fjala e Ismail Kadaresë pritej me dashuri e interes të veçantë.

Me publicistikën e tij të pareshtur, ai bëri ndoshta punë që duhet t`i bënin shkencërisht, institucionet tona më të specializuara. Atdheu nuk do t`ia harrojë kurrë birit më të shquar të tij, kontributin e jashtëzakonshëm që ai dha, si për të sqaruar e bashkuar rreth një ideje shqiptarët, ashtu dhe për t`u bërë apologjeti i aspiratave të tij të drejta, para tërë organizmave dhe autoriteteve ndërkombëtare. Kadareja, në gjithë veprat e tij, ka pasur në qendër të vëmendjes lartësimin e dinjitetit të Atdheut të vet. Por, ai e kishte kuptuar shumë herët, se kjo nuk mund të arrihej me një letërsi që glorifikonte socializmin. Elozhet për sistemin do i topisnin mendjet e njerëzve dhe do t’u thyenin atyre vullnetin për të kërkuar diçka më të mirë. Dhe po t’i vendosësh librat e tij në kohën kur u shkruan, do të shohësh se vetëm një mendje e qartë dhe e fuqishme si e tij, dinte të gjente zgjidhjen e kërkuar, ashtu siç dhe e realizon me shumë mjeshtëri një gjë të tillë te “Qyteti pa reklama”.

Ngjarjet e këtij romani, ai i vendos në qytetin e tij të lindjes, qytet të cilit i është kthyer sa e sa herë dhe gjithmonë me një joshje e freski të re ngjarjesh, njerëzish e mjedisesh. Do të spekuloja me kureshtjen e lexuesve, sikur të zija e të tregoja se Gjoni, personazhi më i rëndësishëm i librit, pas diplomimit dhe emërimit si mësues letërsie në gjimnazin e qytetit provincial N. zgjedh si mjet për t`u kthyer në kryeqytet, falsifikimin e një dokumenti – pergamen që një famullitar i panjohur i dërgon një farë Arqipeshkvi Pjetër, gjë që do vërtetonte se shqipja, bile jo fetare, qe shkruar së paku qysh në vitin 1387, siç kishte pohuar dikur murgu udhëtar Brokhard, dhe fletët e pagjetura të Çajupit “Këngë e vome, për luftën e madhe”.

Me përpjekjen dhe ndihmën e dy shokëve të tjerë, në një shtet ku gënjeshtra ishte pranuar në heshtje, Gjoni triumfon, duke bërë papritur emër si zbulues i dokumenteve mjaft të rëndësishme dhe ia arrin të transferohet. Por, për të mbërritur deri në këtë pikë, rruga kalon nëpër shumë situata komike e shpesh diskredituese. Në pamje të parë, në qytetin N. ka njerëz që kënaqësinë më të madhe e kanë kur presin autobusin që vjen nga Tirana. Mirëpo, në këtë qytet, ka edhe kënaqësi të tjera. Kështu, mund të shkosh në kinema, për të parë ndonjë film korean a mongol e për të cilin fëmijët pyesin biletarin: “Shoko! A ka luftë?”.

Hyn brenda dhe s`ka përse të çuditesh, kur operatori Sherif, filmin e fillon sërish nga e para, meqenëse ka ardhur me vonesë kryetari i Komitetit Ekzekutiv me të shoqen. Në dhomat e beqarëve, ku krahas fotografisë së Sami Frashërit është vendosur dhe ajo e Xhina Lolobrixhidës, pihet ndonjë gotë, por dhe të dëgjojnë veshët ndonjë frazë të dëshpëruar:

– Dëgjo Mentor, ti e kupton se kjo që bëjmë ne s`është jetë… Në qytet ka njerëz që marrin poza poeti, që ngjiten sipër kalasë gjoja për frymëzim dhe që mbajnë për më të talentuar, atë që kishte vargëzuar Historinë e PKBS dhe vendimet e dy Plenumeve të PPSH.

Në këtë rrugë do ndeshje gagarelin dhe don Zhuanin Qimo Papa, një hoxhë pederast, mishërim i ndyrësisë apo me një patriot që kishte qenë drejtor shkolle më 1910 dhe që zgjidhej në të gjitha presidiumet e mbledhjeve solemne. Në libër përshkruhet kështu takimi i dy intelektualëve: Dy figurat u afruan duke diskutuar. Se përse grindeshin. U njohën. Këthë ishte i gjatë, me flokë si komit, Jorgoja i shkurtër, me ca sy që i ngjanin me asgjë.

– Ç`kemi Këthë, mora vesh se u bë Kongresi i Ndërzimit Artificial. Do të shkruash ndonjë gjë për të?

Në këtë qytet edhe prezantimet janë të habitshme:

– Ky është matrapazi më i madh, çalon ca, ndaj e quajnë eksiqi.

– Ja, ai atje në rreshtin e tretë, Leonidha Dilua, një matuf që për çdo gjë i bën letra Komitetit Qendror.

Në qytetin me rrugët me kalldrëm, aty ku në çatinë e një shtëpie hedh themelet tjetra, ndodh që Taqi i Kekezajve vjedh varret. Por ç`e do. Puna s`mbetet me kaq. Korrespondenti i “Zëri i Popullit” e fotografon varrin e hapur dhe të vdekurin e grabitur, shkruan një artikull alla amerikançe, e dërgon në gazetë dhe pas një jave i vjen pushimi nga puna. Guximi i Kadaresë njëzetetre vjeçar, për t`u tallur me fetishe është i madh. Ai arrin deri atje, sa diskutimet e mësuesve që kishin mbetur pa lek, përqendrohen në tema banale, ku arsyetohet se revista me Brixhit Bardonë apo leximet e “Doni i Qetë”, ishin eksituese, kurse “Çlirimtarët” aspak.

Pika kulmore arrin kur tre falsifikatorët mendojnë se dokumenti i parë i shqipes i “gjetur” prej tyre, duke qenë laik… “Ka një domethënie të madhe, më kuptoni? Kurse nga ana politike, është ideale fare”. Veç këtu do qe mirë të fusnin dhe ndonjë aluzion për luftë klasash me qenë se famulltari në emër të fshatarëve i lutet kishës, për shkak të zisë së bukës që t`u falë të dhjetat. Gjithashtu, miqtë, duke pirë për gjuhën shqipe të shkruar para formulës së pagëzimit, kujtohen se do të qe mirë që te vjersha e Çajupit, të vihet theksi te tema kundër luftës që është kaq aktuale sot. Për këtë rekomandojnë:

– Lexo dhe një herë leksionin e luftërave në imperializëm dhe do të jesh brenda.

Dhe s`e kishin keq fare. Pergamena e gjuhës para Buzukut dhe vjershat e humbura të Çajupit, u brohoritën me entuziazëm. Mbajti fjalim Presidenti i Akademisë. Kurse zëvendëspresidenti u ndal te përmbajtja klasore e dokumentit. Në Lidhjen e Shkrimtarëve, një çajupolog tha: “Kjo vepër e nxjerr Çajupin si poet demokrat – revolucionar me tendenca antifashiste”.

Sipas kësaj, Çajupi ishte i pari që kishte hedhur parullën e kthimit të luftës imperialiste në luftë civile, gjë që e vinte atë mbi Leninin, por që u prit me skepticizëm nga të pranishmit. Shihni ç’ngjet më tej: “U ndez pastaj një diskutim i tërbuar. S`u mor vesh si mbaroi. Sidomos u godit një profesor që pohoi se vepra e re e zbuluar s`përbënte sukses nga ana artistike. Fill pas kësaj pati disa influenca konkrete të zbulimeve. Një zëvendëspresident i Akademisë ra, një docent u bë kryetar katedre dhe dy kryetarë katedrash u hoqën. Pati dhe ndryshime të tjera më të parëndësishme. Bujë bëri zbulimi dhe jashtë shtetit. Gazetat botuan me radhë përgëzimet e albanologëve të famshëm Tharwer, Hekelber, Tomas, Semojnov, Hacstrup”.

Dhe pse s’u ndala te prirjet perëndimore apo shmangiet nga morali zyrtar i të rinjve, shumë vlerësime mund të bëhen për këtë libër. Ai është aq i arrirë, sa do t`i bënte nder autorit edhe sikur të shkruhej sot, që ai është ky që është. Përveç kënaqësisë që ai të jep gjatë leximit, të bind edhe një herë se sa të drejtë kishte Ismail Kadareja, kur në intervistat e botuara në “Kohë barbare” shprehet se: “Një shkrimtar është më tepër se një parti, ai është një Atdhe më vete. Ai flet në emër të këtij Atdheu. Një shkrimtar (dhe i referohet Dantes) e rilind atdheun e vet, ai është ekuivalenti, zëdhënësi i vlerave të epokës së tij”. Romani “Qyteti pa reklama”, mua personalisht më solli ndërmend një ndodhi të lashtë me Aristofanin, të cilin kur e pyeti një mik se:

– Cilin libër ju pëlqeni më shumë? – iu përgjigj: – Atë që filloj ta lexoj duke shpresuar shumë dhe që i jap fund duke përfituar edhe më shumë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura