Greqia përsëri në provë

Jan 24, 2015 | 13:04
SHPËRNDAJE

VALBONA ZENELI

   Më 25 janar, zgjedhjet në Greqi do të vendosin në lidhje me çështjen e rëndësishme të lidershipit të vendit. Rezultatet zgjedhore do të krijojnë mundësi të mëdha për këdo që do sigurojë qeverisjen. Kushdo që të qeverisë, duhet të kuptojë se mundësitë janë bipartizane dhe përfshijnë si opsionet e suksesit, ashtu edhe të dështimit.
Sot, siguria kombëtare dhe ajo ekonomike janë të pandashme. Dhe kur flasim për Greqinë, siguria e saj rrezikohet në shumë mënyra që mund të mos jenë të kuptuara aq mirë. Kjo është çështja e ditës në Greqi. Për këdo që të fitojë zgjedhjet.
Vetëm dy vite më parë Greqia ishte shumë pranë falimentimit të borxheve të saj, duke përfshirë edhe diskutimet për daljen nga eurozona. Në retrospektivë, asnjë nuk është në gjendje sot të thotë sa afër ishim të shikonim këtë opsion të realizohej, sepse Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar erdhën në ndihmë me një plan shpëtues për të asistuar Greqinë në kohë nevoje. Kritik, si pjesë e planit shpëtues, ishte edhe implementimi nga qeveria greke i një sërë reformash shtrënguese.
Nga ana tjetër, impakti i falimentimit të Greqisë dhe dalja nga eurozona, e më tej potenciali për të stimuluar një efekt domino te vende të tjera në vështirësi, është i vështirë të gjykohet sot.
Sot, opsioni i daljes së Greqisë nga eurozona, i referuar si “Grexit”, është ndoshta më pak alarmues se dy vjet më parë, pasi vendet e BE-së kanë hartuar plane kontigjence për t’u mbrojtur. Fondi i ri mbështetës i Mekanizmit të Stabilitetit Europian (ESM), gjithashtu ofron një garanci për të mundësuar përgjigje në rast krize financiare. Nga ana tjetër, Greqia mban vetëm 3.5% të borxhit të përgjithshëm të eurozonës, por rreziku që të bëhet precedent për vende të tjera nuk mund të përjashtohet.  
Rezultati më i mundshëm i zgjedhjeve në Greqi, sipas sondazheve të fundit, është një qeveri koalicioni e drejtuar nga Syriza, partia e majtë radikale.
Për Greqinë, rezultatet i zgjedhjeve kanë implikime për sigurinë kombëtare. Veprimet e qeverisë së re do të përcaktojnë të ardhmen e Greqisë dhe impaktin e saj te njerëzit e zakonshëm. Sapo rezultatet të shpallen dhe qeveria e re të marrë drejtimin, mundësia dhe luksi për të fajësuar qeveritë e mëparshme për problemet do të vijnë duke avulluar. Shumë shpejt pesha e plotë e qeverisjes do të jetë në shpatullat e fituesit.
Realiteti do të jenë sfidat e pashmangshme të masave shtrënguese dhe reformat jopopullore që me shumë mundësi do të divergjojnë nga premtimet fillestare politike të bëra gjatë fushatës elektorale.
Qeverisja e ardhshme do të duhet të tregojë vëmendje për anketat e fundit, që sipas Eurobarometrit tregojnë se 72% e grekëve duan të qëndrojnë në eurozonë. Kjo është një e dhënë shumë kuptimplotë.
E kombinuar me të dhëna të tjera që tregojnë se situata financiare e Greqisë është përmirësuar lehtë, shpenzimet janë vënë nën kontroll dhe janë realizuar lëvizje pozitive për të reduktuar borxhin publik,  qeverisja e ardhshme do të duhet të shmangë implementimin e masave radikale që mund të ndalojnë atë që duket se është fillimi i një rruge pozitive.
Kjo është edhe më e qartë kur konsiderohet se tkurrja e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) prej 29.6% qysh prej fillimit të krizës, ka marrë kthesë pozitive në fund të vitit 2014, kur ekonomia greke filloi të tregojë shenjat e para të rimëkëmbjes, duke shënuar një rritje pozitive prej 0.8%. Gjithsesi, Greqia ende vuan nga një borxh publik shumë i lartë, 175% i PBB, dhe problemet e saj nuk janë të lidhura vetëm me borxhin.
Në fakt, fillimi i krizës financiare në 2008 nxori në pah problemet e brendshme strukturore të një menaxhimi ekonomik të pakujdesshëm në vazhdimësi, i cili çoi në stanjacion ekonomik, rritje të papunësisë dhe kulmoi më borxhet e larta publike. Borxhi publik është akumuluar gjatë vitesh keqmenaxhimi politik, klientelizmi dhe populizmi, korrupsioni dhe inercie.
Shifrat financiare janë përmirësuar vitin e fundit, por problemet mbeten të njëjta. Ideja mbizotëruese për një fokusim në problemin kryesor – nivelin e lartë të borxhit- ka lënë jashtë vëmendjes nevojën për transformim strukturor.
Problemi me të cilin Greqia po përballet sot është ngecja e reformave strukturore. Mungesa e konkurrueshmërisë është një nga çështjet më shqetësuese, që ka impakt të madh për të ardhmen e vendit. Ekonomia greke mbetet më pak konkurruesja në Bashkimin Europian, duke u renditur në vend të 81-të në Raportin e Konkurrueshmërisë Globale.
Me evazionin fiskal që mbetet më i larti në BE, masat shtrënguese për të rregulluar financat, si edhe rritja agresive e taksave gjatë viteve të fundit nuk ndihmuan shumë në formalizimin e ekonomisë. Ekonomia informale është e dyta më e madhja midis vendeve të OECD-së (Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), duke qenë 24% e PBB-së. Sipas të dhënave të Global Financial Integrity, një fluks të ardhurash prej 260 miliardë dollarësh kanë dalë jashtë vendit në periudhën 2003-2011, për shkak të korrupsionit, evazionit fiskal dhe krimit.
Rregullat e komplikuara dhe burokracia joeficiente vazhdojnë të ushqejnë korrupsionin, i cili, i bazuar në perceptimet e njerëzve, është më i larti në BE. Papunësia ka arritur shifra marramendëse, me më shumë se 50 % të të rinjve të papunë, duke u bërë kështu burimi kryesor për pabarazi ekonomike dhe sociale.
Instabiliteti politik ka shoqëruar gjithashtu Greqinë që pas shpërthimit të krizës. Katër palë zgjedhje janë zhvilluar në pesë vitet e fundit. Paqartësia i ka bërë tregjet greke të pasigurta, duke mbajtur larg investimet vendëse e të huaja. Në 2010, kur vendi ishte i përfshirë në mjegullinë e krizës politike, Greqia arriti të tërhiqte vetëm 30 dollarë për frymë investime të huaja direkte.
Me gjithë një interesi të investitorëve të huaj në dy vitet e fundit, sidomos nga Kina, shume të tjerë janë në pritje, ndoshta edhe duke shpresuar një ulje të çmimeve të aseteve.
Greqia ka nevojë për investime, sidomos kur konsiderohet niveli jashtëzakonisht i ulët i kursimeve kombëtare, rreth 3,2% e PBB. Ajo që nevojitet për të tërhequr investimet serioze, është stabiliteti politik dhe fokusi serioz për të krijuar një klimë biznesi të favorshme dhe të drejtë. Qeveria do të duhet gjithashtu të investojë në edukim, infrastrukturë dhe teknologji për të zgjeruar bazën ekonomike.
Politika dhe ekonomia janë të pandashme: për këtë arsye, zgjedhjet në Greqi kanë tërhequr vëmendje ndërkombëtare. Në të kaluarën, konsiderohej normale për qeveritë greke qe t’u përgjigjeshin dëshirave të elektoratit, duke “hedhur para” mbi problemet për të blerë sa më tepër kohë. Tani që vendi ka mbetur pa para, politikanët duhet të fillojnë të adresojnë problemet në rrënjë. Koha është esenciale.

 *Autorja është profesore në Qendren Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”.

Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Qendrës Marshall, Departamentit të Mbrojtjes apo të Qeverisë së SHBA.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura