Greqia do të vazhdojë rrugën europiane

Jan 16, 2015 | 13:30
SHPËRNDAJE

QEMAL LAME

   Zgjedhja e Presidentit të ri të Greqisë, kandidati Stavros Dimas, ish-komisari i Komisionit të Bashkimit Europian, tre muaj para përfundimit të mandatit të Papulias, siç pritej, dështoi edhe në raundin e tretë.
Moszgjedhja e Presidentit
Moszgjedhja e Presidentit të ri krijoi kushtet për zgjedhjet e parakohshme më 25 janar 2015, nga zgjedhjet e parashikuara për në muajin qershor 2016. Ekstremistët e djathtë të “Agimit të artë”, të njohur për sjelljet kundër dinjitetit parlamentar, demonstruan edhe një herë qëndrimet e tyre brutale, akuzuan qeverinë për politikën aktuale dhe bashkuan votat me të majtët. Nga 16 deputetë të saj, në çdo dy prej tyre, njëri është i burgosur dhe qëndron në qeli, si pjesëtar i një organizate kriminale.
Situata e re politike shton mundësitë për partitë opozitare, kryesisht të Partisë Syriza, të drejtuar nga Alexis Tsipras, të cilat kërkojnë të largojnë nga pushtetit konservatorët me Kryeministrin Samaras. Nga anketa më e fundit del se për Syriza shprehen në favor 28 për qind dhe për Nea Demokratia 25 për qind. Të dhënat e disa muajve të fundit tregojnë për 7 për qind ulje të besimit te konservatorët.
Sipas të dhënave të Institutit Public Issue, për anketimet e mendimeve publike, 68 për qind e të anketuarve shprehen për një fitore të Syriza. Në rast se do të vërtetohen këto parashikime, atëherë kjo parti do të jetë fituese e zgjedhjeve dhe do të marrë 50 deputetë më shumë, sipas ligjit elektoral në fuqi të Greqisë.
Politika e opozitës, rreziqet dhe shqetësimet për këta tregues, si dhe situata e disfavorshme për zgjedhjen para kohe të Presidentit të ri, diheshin përgjithësisht edhe më parë. Në këto rrethana, maxhoranca konservative, me gjithë arritjet e deritanishme pozitive, nuk arriti të sigurojë mbështetjen e shumicës së cilësuar në Parlament.
Aleksis Tsipras në vitet e mëparshme në Parlament dhe hapur në rrugë ka propaganduar kundër politikës së kursimeve të qeverisë së Samaras, kritereve të vendosura nga Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ai ka kërkuar me forcë zgjedhje të parakohshme dhe ka paralajmëruar se në rast se do të fitojë, do t’i japë fund politikës neoliberale dhe planeve të kursimit, pasi grekët nuk duan më të sakrifikojnë për borxhet.
Një pjesë e grekëve shprehen publikisht se nuk duan që të shtrëngojnë më tej rripin dhe shpresojnë te planet “guximtare” të Tsipras. Por në këto shfaqje të pakënaqësisë dhe optimizmit të pabazuar nuk vlerësohet fakti se borxhet e mëdha kishin shkaktuar gjendjen e rëndë të një shteti në prag të falimentimit, një ekonomi private të pafuqishme për të konkurruar në ekonominë e tregut të brendshëm dhe atë ndërkombëtar, duke e futur vendin në krizën më të rëndë financiare dhe politike. Terapia e shpëtimit ishte e rëndë, ishte e pashmangshme, por filloi të japë efektet e para pozitive.
Prandaj shtrohet me të drejtë pyetja: përse Kryeministri konservator Samaras vendosi që të zgjidhet para afatit Presidenti i ri dhe të krijojë rrezikun e dëmtimit të arritjeve të deritanishme? Koalicioni i tij nuk arrin të ketë shumicën e cilësuar të deputetëve, të domosdoshëm për zgjedhjen e Presidentit. Humbi Samaras shpresën në të ardhmen e qeverisë që drejtonte? Nuk parashikoi rrezikun e humbjes?! Ishte i ndërgjegjshëm për këtë humbje, për të larguar përgjegjësinë e tij nga presionet për ndryshimin e kursit të stabilizimit dhe të reformave të kërkuara si kusht për ndihmën financiare?
Në vazhdim të këtyre paqartësive që ka shkaktuar politika qeveritare, ka edhe analistë që shprehin dyshimet se Samaras do në fakt që pushteti t’i kalojë Tsipras. Këto dyshime janë spekulime. Edhe po të nënkuptohen këto dyshime si ide të brendshme, ato do të ishin një djallëzi greke, me pasoja të dëmshme për vetë grekët.
Zgjedhjet e reja
Menjëherë pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit, bursa e Athinës reagoi me rënien 3 për qind të kursit të aksioneve greke. Megjithatë, letrat me vlerë me afat dhjetëvjeçar ruajtën rritjen prej 9 përqindësh.
Me ndihmat e dhëna, gjendja ekonomike dhe e buxhetit të Greqisë janë përmirësuar. Bashkimi Europian është i bindur se nuk ka rrezik gjendja në Greqi të përkeqësohet përsëri dhe grekët të kërcënohet nga një katastrofë ekonomike e financiare.
Optimizmi është i bazuar, megjithëse ekonomia dhe financat greke janë akoma në rezonancë. Këto i japin goditje edhe politikës zyrtare. Partitë pro europiane po vihen në gjendje të vështirë. Programet e tyre nuk arrijnë sa duhet të bindin e garantojnë dhe sigurinë e opinionin e gjerë publik. Për këto arsye, ato nuk arrijnë mbështetjen e nevojshme nga populli.
Retë e zeza të politikës çorientuese të luftës për pushtet ndikojnë padrejtësisht të krijojnë përshtypjen se mund të përsëritet gjendja e krizës financiare dhe po ringjallin shqetësimet e mëparshme.
Euroja dhe aksionet e vendeve kryesore europiane u ngadalësuan përkohësisht, por përsëri morën kursin në rritje.
Me kërkesat e opozitës kundër euros, Greqia rrezikon rezultatet e deritanishme dhe të krijohen rrethana të paparashikuara që do të dobësonin më tej gjendjen e saj ekonomike, në rast se do të ndodhte pezullimi i ndihmës financiare deri në krijimin e qeverisë së re.
Për këtë situatë, Samaras akuzoi deputetët që abstenuan për këtë gjendje të rëndë të krijuar, duke theksuar se zgjedhësit nuk do ta harrojnë këtë përgjegjësi të tyre për situatën e rëndë politike dhe ekonomike të shkaktuar.
Ndërsa partitë opozitare akuzojnë dhe vënë theksin në përgjegjësinë e qeverisë dhe njëkohësisht të Trojkës ndërkombëtare.
Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, që nga viti 2010 i kanë dhënë këtij vendi të futur në borxhe të mëdha një ndihmë prej 240 miliardë eurosh për ta shpëtuar nga falimentimi. Vendi që ndikoi edhe në krizën financiare europiane, tani është në rrugë të drejtë. Greqia zbatoi planin e kursimeve të hartuar në bashkëpunim me Trojkën. Me shumë dhimbje u përballuan vështirësitë e mëdha dhe gjendja arriti të stabilizohej në masën e mundshme. Për herë të parë, më 2014, u arrit që të stabilizohet buxheti dhe treguesit ekonomikë e financiarë po shkojnë me tendencë në rritje.
Parashikimet e qeverisë së Samaras dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë krizën greke evidentojnë prognozën pozitive për përmirësime të mëtejshme edhe në vitin 2015 e në vazhdim. Masat e efektshme është e domosdoshme të ruhen për të garantuar reformat. Në këto momente delikate, dhanë goditje negative zgjedhjet e parakohshme. Treguesit e bursës po luajnë me tendenca të frikshme dhe ekonomia e brishtë e Athinës po dëmtohet e rrezikohet të shkatërrohet përsëri nga gjykimet e papërgjegjshme të disa mesazheve politike që specialistët i vlerësojnë si çmenduri.
Rruga europiane
Konkretisht Greqia është në fushatën elektorale të zgjedhjeve të parakohshme. Përgjegjësia e politikës është shumë e madhe. Është e domosdoshme që të ruhen interesat kombëtare dhe të mënjanohet rreziku i mundësisë së përkeqësimit përsëri të gjendjes, në rast se do të ndryshojë drejtimi i politikës dhe masave të miratuara deri tani.
Ndikim me rëndësi në zgjedhjet e parakohshme mendohet se do të ketë partia e re e deklaruar më 3 janar 2015, e sapokrijuar nga ish-kryeministri Papandreu, që dha dorëheqjen në vitin 2011. Largimi i tij nga Partia socialiste PASOK, që kishte krijuar i ati i tij, kritikohet si një përçarje në radhët e socialistëve në kushtet e fushatës së zgjedhjeve të parakohshme.    
Populli është e nevojshme të kuptojë mirë gjendjen politike dhe ekonomike, si dhe programet e partive politike, që të japë me bindje votën e tij. Ruajtja e ekuilibrit në fushatën intensive elektorale ka rëndësi për të ardhmen e vendit. Mendimi i përgjithshëm i opinionit publik evidenton se është në interes të vetë popullit grek që të ruajë rrugën europiane.
Bashkimi Europian ka mundësitë që të përballojë edhe ndonjë masë të njëanshme që mund të merret për daljen e Greqisë nga zona e përbashkët monetare e euros. Banka Qendrore Europiane, institutet ekonomike dhe specialistë të ekonomisë e të financave në shtetet europiane, sidomos në Gjermani, Francë etj., theksojnë se gjendja në Greqi do të ndikonte në përmasa të vogla te vendet e tjera të eurozonës.
Europa është e përgatitur edhe për situata të mundshme të shkëputjes së ndonjë shteti. Për këtë qëllim është në veprim mekanizmi i ndihmës së shpejtë SMS, me një fond prej 500 miliardë euro. Presioni ndaj bashkësisë është ulur në mënyrë të dukshme në krahasim me tre vjet më parë. Shtetet e tjera si Irlanda dhe Portugalia kanë punuar kundër krizës financiare. Përparime institucionale janë bërë edhe nga sistemi bankar europian.
Një qeveri greke nën drejtin e mundshëm nga Tsipras, në rast se do të kërkonte të ndryshonte statusin aktual të integrimit të Greqisë, do të krijonte ndaj Bashkimit Europian një pozicion të vështirë në bisedime.
Në rast se do të krijohet një qeveri e re, e cila do të tentonte të reagonte kundër planit të ndihmës, institucioneve ndërkombëtare e të partnerëve që japin fondet financiare, atëherë do të mbetet pa mjete dhe burime plotësuese financiare. Situata do të shpërthente. Partnerët europianë nuk do të ishin të gatshëm për të dhënë mirëkuptim dhe për të bashkëpunuar me këtë qeveri që do të vepronte në kundërshtim me marrëveshjet e mëparshme. Banka Qendrore Europiane nuk do të garantonte më huan shtetërore të Greqisë, si dhe nuk do të furnizonte bankat greke me nevojat që të kishin për monedhën e euros. Kjo do të shënonte edhe fundin e shtetit grek.
Në rast se do të vendosej largimi nga monedha e euros, atëherë do të duhet të rivendoset monedha vendase që do të mund ta kishte nën kontroll sistemin financiar.
Politika e Syriza-s të rikujton politikën skoceze për shkëputje nga Britania e Madhe. Diskutohet shumë dhe në fund përfundimi është mbetja në pozitat e mëparshme.
Populli grek është e domosdoshme që të mendojë mirë nëse do të orientohet gabimisht, që në zgjedhjet e reja të ndryshojë rrugën e tij. Dalja nga monedha euro, si dhe avancimi i mëtejshëm me daljen nga Bashkimi Europian, do të kërcënonte konkretisht gjithë këtë vend me rritjen e mëtejshme drastike të goditje nga varfëria.
Këto nuk janë vetëm parashikime teorike politike. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bllokuar menjëherë ndihmën financiare. Zëdhënësi Gerry Rice, i FMN (IWF), më 29 dhjetor 2014 njoftoi ndërprerje të bisedimeve për pagesat e ndihmës financiare. Ato do të mund të rifillojnë vetëm pasi të jetë formuar qeveria e re greke. Pagesa e këstit të kredisë do të paguhet vetëm pas rezultateve të zgjedhjeve të reja. Raundi i bisedimeve për kredi emergjente do t’i drejtojë FMN së bashku me Komisionin e Bashkimit Europian dhe Bankën Qendrore Europiane. Bisedimet e Trojkës me Athinën do të rifillojnë “në rast se do të zgjidhet qeveria e re”. Mendimi i përgjithshëm i partnerëve ndërkombëtarë është se Greqia nuk ka “nevojë të ngutshme” për ndihmë financiare.
Ministri i Financave të Gjermanisë, Wolfgang tSchäuble, duke reaguar për zgjedhjet e parakohshme në Greqi, vinte në dukje: “Në rast se Greqia do të japë goditje për një rrugë tjetër, atëherë do të jetë e vështirë”.
Më 29 dhjetor 2014, komisari për ekonominë i Komisionit Europian, Pierre Moscovici, kërkonte që Greqia të qëndrojë fort në kursin e reformave: Është vendimtare një deklarim i qartë për Europën dhe për mbështetjen e kursit të reformave, me qëllim që Greqia të lulëzojë përsëri brenda eurozonës.
Eurozona
Gjendja në Greqi ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen dhe është reaguar me masat e mundshme efektive për përmirësimin e gjendjes. Njëkohësisht janë diskutuar edhe mendimet më pesimiste me skenarët për daljen e mundshme nga zona e euros, ndryshimin e monedhës nga euro në dollar apo kalimin përsëri te dhrahmia, si dhe shkëputjen nga Bashkimi Europian. Këta skenarë janë ndikuar sidomos nga pakënaqësitë në rritje për pasojat e planit të shpëtimit financiar dhe masave të rënda të kursimit të buxhetit të shtetit.
Skenarët e mundshëm nuk mund të nënvleftësohen. Mendimet për daljen e Greqisë nga zona e euros janë rritur si asnjëherë më parë. Nga të dhënat e institucioneve studimore e shkencore del se në krahasim me vitin 2010, në vitin 2015 shqetësimet do të shtohen më tej. Për këtë shprehen 19,9 për qind e të pyeturve dhe 18,7 për qind e investitorëve të huaj.
Të dhënat tregojnë se krahas rreziqeve reale, skenarët e euroskeptikëve nuk do të arrijnë të realizohen. Gjermania ka reaguar kundër politikës së Tsipras, duke theksuar se nuk ka për qëllim që të kërkojë të mbështesë me çdo kusht çdo kërkesë që mund të bëhet nga politikanët që këtë vend e kanë zhytur thellë në borxhe. Nga ana tjetër, Merkel deklaron se nuk do të kërkohet të vazhdohet me insistim plani i kursimeve. Grexit nuk do të jetë më një tabu. Mendimi i përgjithshëm i grekëve është lehtësimi nga barra e rëndë e borxheve dhe e lidhin të ardhmen bashkë me atë të popujve të tjerë të Bashkimit Europian. Afro 68 për qind e grekëve duan të qëndrojnë në monedhën euro.  
Populli grek do të shprehë i lirë dhe i sigurt vullnetin e tij për të ardhmen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura