Goditet grupi i 13 vjedhjeve të motorëve, 5 në pranga

Dec 30, 2013 | 10:34
SHPËRNDAJE

KAVAJE – Një operacion i Policisë së Kavajës bëri të mundur dje goditjen e një grupi të rinjsh, që dyshohet të kenë kryer dhjetëra vjedhje, kryesisht të motorëve. Burime nga Policia e Tiranës thanë se aksioni i Policisë ka nisur në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe ka vazhduar deri në mesditë, duke vënë në pranga 5 prej të dyshuarve kryesorë të vjedhjeve. Të njëjtat burime thanë se është shpallur në kërkim edhe një tjetër person, i cili ka bashkëpunuar me 5 të arrestuarit. Grupi kryente vjedhje motorësh në zonën e Kavajës, por edhe në Durrës, që më pas i transportonin drejt Tiranës dhe Lushnjës, ku i shisnin si pjesë këmbimi nëpër servise. Të arrestuarit janë Anduel Kodra, Ersod Ferrati, Faik Gazi, Jetnor Gaxha dhe Alfred Halili. Ndërsa është shpallur në kërkim edhe një person i gjashtë, Sali Gaxha, vëllai i njërit prej të arrestuarve, i cili dyshohet të ketë bashkëpunuar për vjedhjet. Burimet thanë se deri tani janë dokumentuar vjedhjet e 13 motorëve të tipave të ndryshëm, ndërsa numri dyshohet të jetë shumë më tepër se kaq, pasi aktiviteti i tyre ka nisur që prej fillimit të vitit. Aksioni nuk ka përfunduar me kaq, pasi, përveç arrestimit të hajdutëve, Policia vazhdon verifikimet nëpër serviset ku dyshohet se janë shitur motorët e vjedhur. Deri tani janë sekuestruar vetëm disa pjesë këmbimi, që dyshohet t’u përkasin motorëve te vjedhur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura