“Gjyshi, që ishte kryetar i Degës së Brendshme vinte i mërzitur, se i kërkonin që të torturonte të arrestuarit dhe…”/ Dëshmia e rrallë e punonjëses së Bashkisë së Tepelenës

Aug 2, 2022 | 7:28
SHPËRNDAJE

Collage Maker-02-Aug-2022-07.27-AMNga Marçel Hila

                          Vizitë në vendet e vuajtjes, të vdekjes dhe të zhdukjes

Ishte data 23 gusht, e vitit 2019. U nisëm nga Tirana për në Tepelenë. Mbërritëm pas rreth tre orësh e gjysmë. Sepse, besoj se dihet nga të gjithë, kjo ditë është përkujtimorja e viktimave të totalitarizmave, botërisht e tillë: të nazizmit, të fashizmit e të komunizmit. Autoriteti për Informim për Dosjet e Sigurimit të Shtetit, aty ku unë punoj, kishte planifikuar vizitë përkujtimore në ish-kampin e Tepelenës, vend internimesh në periudhën 1949-1953.

Autobusi që sillte personelin e punës mbërriti. Disa kishin ardhur me makina e tyre. Hymë në oborrin e madh, në fushimin e ish-kampit, dikur repart ushtarak, i ndërtuar nga italianët, në kohën e luftës italo-greke 1940-1941 dhe i tillë mbeti, deri në largimin e tyre.

– Sa vjeç ishin?

– Shumë të rinj, shumë…!

– Si qe takimi me ju, me nënën?

– Kanë ardhur ata në Savër dhe kur kanë mbërritur, paskan pyetur një njeri se a gjendej këtu nëna dhe ia kanë thënë emrin. Ata i treguan me drejtim se ku rrinim ne. Atëherë, kanë ardhur nga vendi ku banonim. Nëna ishte tek çezma e fshatit, aty pranë, ku jetonim. Ata, kur kanë parë nënën, kuptohet se nuk e kanë njohur, dhe kanë pyetur për të. Nënës gati i ka rënë të fikët, sepse djali i madh ishte kopja e babait. E ka njohur në pamje të tij. Ai ia ka thënë se a e njihte një grua me këtë emër, ndërsa nëna, që gati u alivanos, e thirri me emër vëllanë e i tha: – Bir të keqën nëna, unë jam! Aty, pastaj, ajo ka shpërthyer në lot, në vaj, ndërsa të dy djemtë i janë hedhur sipër dhe nuk kishte kush t’i ndante. Hajde e mos u përlot ne që po merrnim intervistën…!

Pastaj u mbajt një takim në kinemanë e Tepelenës. Foli e kush nuk foli. Dikush kërkonte dëmshpërblim që nuk e kishte marrë; një tjetër se pse nuk u dënua Saliu se prishi Shoqatat e të Përndjekurve, një tjetër kërkonte eshtrat e të vdekurve në kamp, por që nuk kishte mundur t’i gjente e t’i çonte në fshatin e tij të largët, në Kukës. Foli edhe kleriku Bektashi, Dervishi, që kalonte në argumente aq shpejt e pa u thelluar shumë, si zogu degë më degë, e që në fund pak morëm vesh. Foli edhe kryetari i bashkisë.

Pas kësaj u nisëm për Këlcyrë. Në një restorant buzë Vjosës, do të hanim drekën. Na shoqëronte një kuadro i bashkisë Tepelenë. Në diskutim e sipër, marrim vesh, prej gojës së tij, “se më shumë se 70 për qind e Tepelenës ka ikur, ia ka mbathur. Tani, edhe pse kanë ardhur të gjithë fshatarët e zonës në qytet, prapë ikin. Pas dhjetë vitesh nuk e di se sa do të jetë kush në apel!”,  – na thotë me gaz në buzë Aleksi.

Hëngrëm bukë e u nisëm për Gjirokastër. Mbërritëm, se është afër. Pasditja iku shpejt. Të nesërmen, ashtu si kryetarja e kishte akorduar, shkuam për një takim me kuadro të lartë të Bashkisë, për t’u prezantuar atyre me pak fjalë aktivitetet që kryejmë si institucion i Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Ndërtesa ku do të mbahej takimi ishte në një pikë të lartë të qytetit, në atë që quhej obelisku, godinë që dikur kishte qenë shkolla fillore, aty ku diktatori, në fëmijërinë e tij, kishte mësuar e tani ishte në pronësi të bashkisë, kuptohet, e riparuar dhe e pajisur me mjetet moderne, me kompjuterë e tryeza luksoze. Muret plot harta, kuadro piktorikë, fotografi të spikatura nga qytetit.

Në fakt, u lodhëm shumë kur u ngjitëm atje. Aty merrte pjesë një përfaqësuese e lartë e ekipit të bashkisë së qytetit, si dhe drejtoresha e objekteve muzeale dhe dy a tre persona të tjerë, të gjithë me detyra në entet kulturorë e social historikë. Ia filluam bisedës. Na treguan, me pak fjalë, shifrat, që për ta janë të suksesshëm e premtues, sepse…ja, sesi numri i turistëve ishte në rritje, se kështu kishin siguruar të ardhura të mira si muze, se restorantet, kafenetë dhe hotelet punonin mirë, por edhe sesi duheshin bërë riparime në disa rrugë e zona.

Pastaj erdhi radha e jonë të tregonim se çfarë bënim. Për këtë foli kryetarja e pak e nga pak dolëm në temë: “Jemi hedhur të kërkim të të vrarëve të zhdukur nga komunizmi, që janë të shumtë në numër, viktima të gjitha, të gjithë të pafaj e të gjithë pa varr. Në atë shkëmbim të shkurtër përvojash, marrim vesh se përfaqësuesja e lartë e bashkisë, e pranishme në takimin tonë, ka pasur gjyshin Kryetar të Degës së Punëve të Brendshme. Hapim sytë. Pra i përket një familjeje jo të përndjekur por… e merr fjalën vetë e thotë: – “jo e përndjekur, por me pozitë dikur. Unë nuk di gjë, se kam qenë e vogël kur ra komunizmi, diku gjashtë vjeçe, por më vonë gjyshja më ka treguar se gjyshi vinte nga puna i mërzitur, se i kërkonin që të torturonte të arrestuarit e t’ia merrte me zor deklaratën se ishin fajtorë, se donin të bënin këtë e këtë, por që nuk kishin asnjë faj, por kështu ia kërkonin…“.

– Po nuk mund të jepte dorëheqjen gjyshi nga kjo detyrë – pyet dikush? – Pse të bënte një punë që nuk i shkonte, meqë qenka mërzitur?

Vajza u trazua, pastaj u ngrys e shikoi me pak zemërim pyetësin guximtar. Hapi sytë dhe përballoi sfidën që kishte edhe pak ironi, por që kishte kërkuar një kurajë, që i kujtoi se gjyshi i saj nuk e kishte atë lëndë njerëzore – moralin – që të largohej vullnetarisht, dhe me gjysmë zëri, e zënë keq, tha: – jo, nuk është dorëhequr!

– Pse?

– Nuk e di, nuk jeton më. Nuk mund ta pyes! – tha me inat këtë radhë. Ndjeshmëria e duhur për të munduarit, për të torturuarit e të vrarët, nuk shihet të pasqyrohet në fytyrën e saj. E, sa për një ndërhyrje me politesë, pasi merr veten, thotë:

– Gjyshja, me demokraci, më ka thënë se njerëzit që arrestoheshin e dënoheshin nuk kishin faje, por oficerët dhe personeli i Degës së Punëve të Brendshme ishin të detyruar, se kështu ua kërkonin nga lart, nga Tirana, ministria e Punëve të Brendshme. Ai është bindur, kuptohet, sepse, nëse do të ikte ai, do të vinte një tjetër në vend të tij. Çfarë ndryshimi kishte? Pse të largohej, kur nuk do të arrihej asgjë?

– Asgjë! – mbështet folësen një dikush aty.

– Asgjë! – plotëson plot gaz në buzë zyrtarja e lartë, e kënaqur që i erdhi ndihma në çastin e duhur.

– Ju jeni me Partinë Socialiste, besoj? – ndryshon kahun e bisedën kureshtari guximtar.

– Po, po, nuk diskutohet, është partia më e mirë në Shqipëri … mirë, – vazhdon dhe kërkon që biseda që ka marrë një rrugë tjetër tashmë, të ndërrojë drejtim. – Do të shkojmë të shohim kalanë e qytetit? – pyet.

– Patjetër!

– Kati lart, krejt lart, ka shërbyer si burg. Ka shumë turistë që vijnë ta shohin. Ejani, nisemi!

Dolëm. Zbritëm nga ishim ngjitur. Morëm rrugën duke i rënë shkurt sokakëve të ngushta e gjarpëruese, marrim drejtimin për në kalanë e famshme. Qe bërë burg që në vitin 1928 e kjo përmendet edhe në raportet e dikurshme të ish-Ministrisë së Brendshme, të Drejtorisë së Burgjeve. Ka ca shkresa që inspektorët e dërguar atje nga ky institucion për kontroll flasin për këtë burg, për vitin e hapjes dhe karakteristikat e tij. Thuhet në një vend, në një raport, se disa qeli ishin më të fortifikuara se të tjerat, sepse brenda gjendshin vrasësit, të quajtur katilë. Pastaj, sapo komunistët erdhën në pushtet, merr emrin e burgut të shtatë penxhereve. Një vend i tmerrshëm vuajtjesh.

Kujtimet e ish të burgosurve flasin për masakra e tortura të kryera aty. Hyjmë, ngjitemi, më mirë të thuash, sepse krejt kalaja është në të përpjetë, derisa mbërrin sipër fare. Shëtisim në korridoret. Hyjmë në qelitë e dikurshme, që sot janë pjesë e muzeut. Bën të nxehtë. Kërkojmë ujë. Një çezme gjendet pranë e ka ujë të rrjedhshëm. Një roje na shërben që të mbushim shishet prej plastike, që kemi me vete. Pastaj, në fund të korridorit, një flamur i madh, me shqiponjën, flamuri ynë. Kur jemi të gjithë bashkë, një ftesë na vjen nga drejtuesi, ciceroni, meqë ne kërkojmë të zhdukurit. Na thotë se, e këtë e dinte mirë, se:

– “Në anën e majtë të kështjellës, lart fare, nga lartësia, hidheshin të vdekurit që jepnin shpirt në kohën e komunizmit, në vitet e fillimit, për aq kohë sa qe burg, në rrëpirë e drejtë e poshtë. Aty rridhte një përrua“, – vazhdon ai – “që vjeshtave e dimrave ishte plot me ujë e, madje edhe të rrëmbyer”!

Marrim për andej. Hapet një derë e madhe me dy kanata hekuri. Dalim jashtë kështjellës, gjithnjë nga ana jugore. Ecim në atë hapësirë të vogël, që vetëm ata që e kanë parë, ia kanë idenë. – “Ja” – thotë ai, dhe tregon nga poshtë. Hedhim sytë e shohim se skarpati është shumë i rrëpirët e, ndërsa të hutuar përpiqemi të sqarojmë se për çfarë bëhet fjalë, ciceroni vazhdon të tregojë:

– “Të vdekurit nga torturat, nga plagët apo nga sëmundjet nuk i varrosnin, nuk i nxirrnin nga burgu nga dera kryesore e kalasë për t’i çuar diku, por i hidhnin poshtë, e kufoma e të vdekurit thyhej e sakatohej. E copëtuar  mbërrinte poshtë”! – Shohim. Ka shumë mundësi që e thepisura ka një largësi edhe më shumë se dyqind metra poshtë. – “Nëse ishte kohë shirash, binte në ujërat e rrëmbyer, që e merrnin të vdekurin me vete e, pasi ai të ishte kalbur, eshtrat nuk dihej se ku përfundonin me kohën”!

 – Po verës?

– Kur nuk kishte ujë përroi, një evgjit, Visho Rrahimi, që kishte një karrocë dore, shkonte me një koleg të tijin, Rrahmanin dhe e mblidhte kockat e të vdekurit, të thyer në copa dhe e fuste në karrocë. Prej aty e çonte diku …

– Ku?

– Nuk është marrë vesh kurrë!

– Pse?

– Ishte i porositur që të mos tregonte kurrë vendin, ku përfundonte i vdekuri i burgosur. 

Hedhim sytë të tmerruar.

– Ja, atje poshtë mbërrinin të bërë copa e cika. Visho Rrahimi i merrte të nesërmen në mëngjes herët, sepse kontrollonte në atë orë.

– Ky evgjiti ka vdekur apo jeton?

– Ka jetuar deri vonë, por kur është pyetur nga familjarët e atyre që kërkonin të vdekurit, nuk dinte të tregonte se kush qenë ata.

– Po vendin se ku i shpinte, ia ka treguar?

– Disa herë tha se nuk mbante mend se ku i kishte groposur.

– Ai të mos i mbante mend?

– Ndoshta edhe nuk e mbante mend – përgjigjet ciceroni, – ndoshta i ka çuar në shumë vende dhe e kishte humbur kujtesën, ndoshta nuk ka dashur të tregojë se ka pasur frikë, ka menduar se mund t’i dilnin telashe, plak ishte, fëmijë kishte, nuk donte t’i linte havale atyre…!

– Po është pyetur ndonjë nga fëmijët e tij?

– Një djalë i tij jeton ende dhe kur është pyetur, thotë se nuk i ka treguar asgjë babai i tij…!

– Për cilat vite bëhet fjalë?

– Për fillimet e deri andej nga viti 1950-ta. 

– Diku te pesë vite?

 – Po aq, – vazhdon folësi, – por gjatë kësaj periudhe kanë vdekur shumë, shumë të burgosur, kryesisht nga Veriu, sepse familjarët nuk kishin mundësi të vinin e t’i takonin e ishin pa ndihma, pa ushqime, pa ilaçe e vdisnin shumë, shumë të rinj, të gjithë të akuzuar si banditë e kaçakë, si ata që u ishin kundërvënë Luftës Nacionalçlirimtare, diversantë apo që kishin strehuar diversantë, apo që ishin bashkuar me ta…! 

M’u kujtua njëri, Gjin, Gjin Lleshi, nga Manatia e Lezhës, nipi i të cilit bën ende sot shumë përpjekje të gjejë axhën e tij, që ka vdekur në vitin 1948 në këtë burg të kësaj kalaje. Një ditë, ndërsa po merrja elementë sqarues prej tij, ky nipi më tha se – “Axha ka bërë përpjekje të ikte me gjermanët, në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur ata po e linin Shqipërinë. Ka hipur në kamionët e tyre dhe është nisur. Thjesht se kishte frikë nga komunistët! Ishte i ri, vetëm njëzet vjeçar, që nuk i kishte mbushur ende. Me askënd nuk ishte përzierë gjatë Luftës: as me komunistët, as me ballistët e as me zogistët. Kamionët kishin marrë rrugën nga Hani i Hotit e prej andej në Kroaci e në Austri. Për fat të mirë, i shpëtoi të gjithë bombardimeve.

 Mbërriti në Gjermani. I lumtur se e mbërriti tokën që ëndërronte. I shkreti shqiptar naiv! Nuk e kishte kuptuar se duhej të zgjidhte territoret e çliruara nga aleatët, anglezë dhe amerikanë. Ai mbërriti ku kishin hyrë rusët. Pastaj, si është zanat i komunistëve, që duan të dinë gjithçka e të kontrollojnë edhe qimen, kishin bërë kontrolle të pafund, për të parë se kush banonte në territorin e pushtuar prej tyre. E ky Gjin Lleshi i shkretë, meqë duhej të regjistrohej diku, që të strehohej e të ushqehej, u deklarua shqiptar, që kishte ikur me trupat gjermane

 … – Po pse erdhe këtu me kamionët me nazistë? – ishte pyetja që i bënë? – Desha të ikja! – Po ti ke braktisur vendin tënd, tani që ka më shumë se kurrë nevojë për krahë pune dhe angazhim? Ai mbeti pa fjalë. U arrestua dhe i lidhur u soll në Shqipëri. Iu bë gjyqi. U dënua me burg të përjetshëm. Akuza? I ka dhënë mbështetje nazistëve pushtues. Ai bënte be e rrufe se kishte dashur vetëm t’i largohej luftës. Por jo. – Në asnjë mënyrë nuk na mashtron. Ti ke shkuar me trupat gjermane dhe ke sabotuar Luftën Nacionalçlirimtare të popullit tonë dhe atij jugosllav’.

 Burg i përjetshëm. Në burgun e Gjirokastrës! E pas shumë e shumë kërkesave që i shkreti kishte bërë për t’u transferuar në një burg më të afërt, ku të mund t’i vinte familja ta shihte, të riun njëzet e një vjeçar, një ditë vdiq nga sëmundja: ishte ftohur keqas si dhe nga mos ushqyerja”. Nipi i tij më tha po këtë që pashë me sytë e mi: “i vdekur, i hedhur poshtë nga ky skarpat thikë, nga kjo rrëpirë e fortë!“. Aty, ka shumë mundësi që evgjit Visho Rrahimi dhe shoku i tij, kolegu Rrahman, ta kenë marrë ashtu, të bërë copë, të thyer në disa pjesë, me kafkën e çarë e me shtyllën kurrizore gjithë fraktura, dhe e kanë vënë në atë karrocën dhe e kanë çuar diku.

 – Ku? – e pyeta unë nipin.

Ai më tha se nuk e dinte se ku. “Kam shkuar edhe tek varreza e qytetit, në dalje rrugës që të çon për Sarandë, por atje nuk ka asnjë gjurmë“. – “Thonë“, – vazhdoi nipi pesëdhjetë e shtatë vjeçar, – “se këta të vdekurit, i groposnin në një vend, që më vonë u bë Shkollë Industriale e kur hapeshin themelet për ndërtimin e saj, ekskavatori ka nxjerrë shumë eshtra, por askush nuk di se ku kanë përfunduar ato mbetje njerëzore”!

Ja, kështu pra, merr vesh njeriu se kaq vlente jeta e njeriut dhe e drejta e familjarëve që të afërmit e tyre të kenë një varr ku të prehen eshtrat, ka marrë fund me kohë.

Na thonë, na rekomandojnë, na këshillojnë që, kur të dëshpëruarit familjarë të na pyesin se a duhet të mbajnë shpresa se do të gjendet ndonjë varr, duhet t’u themi atyre se do të bëjmë diçka, do të përpiqemi, shumë, patjetër, se kjo është në qëllimet tona, në detyrat tona!

Por të paktën, për këta të shkretët, kjo fjalë nuk do të bëhet kurrë realitet. Evgjiti Visho, me zellin e tij, ishte shumë më efikas se çdo përpjekje e jona, e ndihmuar edhe nga teknologjitë moderne, që pritet të na vihen së shpejti në dispozicion. Memorie.al 

© Panorama.al

Te lidhura