Cherie Blair në Tiranë: Gjyqësori, sot më keq se në 2005

May 5, 2012 | 13:33
SHPËRNDAJE

Universiteti “Luarasi” organizon konferencën për reformën në Gjyqësor, marrin pjesë personalitete.

Cherie Blair: 2/3 e qytetarëve nuk kanë besim te Drejtësia.

Cherie Blair, këshilltare juridike e Mbre-tëreshës së Anglisë dhe bashkëshortja e ish-kryeministrit britanik, Toni Blair, u shpreh dje se dy të tretat e shqiptarëve nuk besojnë te Drejtësia e vendit të tyre.
Deklarata u bë në një konferencë mbi Gjyqësorin, organizuar nga universiteti “Luarasi” dhe organizmat ndërkombëtare. Duke iu referuar një sondazhi të fundit të organizmave ndërkombëtarë në Shqipëri, Bler tha se besimi i shqiptarëve te Drejtësia ka rënë pas vitit 2009. Blair nuk kurseu kritika ndaj avokatëve që bëhen shkak për zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe shprehu habi se pse asnjë prej tyre nuk është pezulluar. Deklaratat e bashkëshortes së ish-kryeministrit Britanik ishin pjesë e fjalës së saj në konferencën me temë “Reforma gjyqësore, si një ndër 12 prioritetet e sfidës së integrimit të Shqipërisë në BE”. Konferenca e organizuar nga universiteti “Luarasi”, Unioni i Gjyqtarëve dhe organizmat e huaja në mbështetje të Drejtësisë në Shqipëri mblodhi dje gjyqtarë, prokurorë dhe juristë, si edhe përfaqësues të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg. Konferenca nxiti debatin akademik dhe profesional mbi reformën e Gjyqësorit, ku spikatën ide si ajo e rektorit të universitetit “Luarasi”, Kristaq Traja, për hartimin e një projektligji që do të rregullojë procedurat e gjykimit brenda një afatit të arsyeshëm. Vizita e zonjës Bler, këshilltare juridike e Mbretëreshës së Anglisë, u bë pas një ftese private të universitetit “Luarasi”, Unionit të Gjyqtareve dhe Qendrës Europiane, me mbështetjen e programit të USAID-it për forcimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”.
BLAIR
Në fjalën e saj, Blair u shpreh se reforma në Gjyqësor është prioritet kyç për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Dy të tretat e shqiptarëve kanë pak, ose aspak besim në sistemin e drejtësisë. Shumë shqiptarë besojnë që faktori kryesor në përcaktimin e një vendimi të një gjyqi nuk varet nga faktet objektive, por me konsiderata që kanë të bëjnë me paratë e paguara, apo për të tjera lidhje të gjykatësit në sfera politike”, u shpreh Blair. Referuar sondazhit, Blair tha se shqiptarët përballen me ryshfetin tri herë më shumë sesa qytetarët e vendeve fqinjë në Europën Juglindore. “Këto pikëpamje kanë ulur besimin ndaj sistemit të Gjyqësorit, që në 2009, në një farë mënyrë, duke kthyer mbrapsht një lloj tendence pozitive që ishte shënuar në 2005-n”, u shpreh Blair. Zonja Blair i konsideroi të patolerueshme sjelljet e avokatëve që bëhen shkak për zvarritjet e proceseve gjyqësore. Njëkohësisht, bashkëshortja e ish-kryeministrit britanik kërkoi rritjen e buxhetit për Gjyqësorin, duke theksuar se financimi dhe shpenzimet duhet të jenë transparente për publikun. Në lidhje me përzgjedhjen e gjyqtarëve, Blair kërkoi që çdo gjyqtar të riafirmojë me sjelljen e tij besimin te Gjyqësori. “Gjyqtarët e pakualifikuar dhe politikë minojnë Gjyqësorin”, pohoi Blair.

Merdano: Drejtësia, jo presione
TIRANE – Josep Casadevall Merdano, zëvendëskryetar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, u shpreh dje se gjykatat duhet t’i rezistojnë influencave me karakter negativ. “Sistemi në tërësi të tij duhet të ofrojë kushteve kundër presioneve të jashtme”, u shpreh Merdano. Më herët ai referoi për konceptin e një gjykate të paanshme dhe të pavarur. Merdano i ilustroi argumentet e tij me shembuj të ndryshëm të proceseve gjyqësore në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ai përmendi raste kur nga Strasburgu, një gjyqtar ushtarak në trupë ishte parë si element pavarësie.

Ardian Nuni: Gjykatat kanë rrëzuar KLD-në
Gjyqtari Ardian Nuni, anëtar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, shprehu rezerva dje në lidhje me miratimin e ligjit të Gjykatës Administrative, pak ditë më parë në Kuvend. Gjyqtari Nuni kritikoi efektshmërinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Duke u shprehur se përbërja e KLD-së përbëhet nga gjyqtarët në dy të tretat e saj, Nuni tha se “ky element nuk ka qenë gjithmonë efektiv për punën e KLD-së”. Sipas tij, në vitet e fundit tridhjetë gjyqtarë janë shkarkuar nga detyra nga KLD-ja, me vendime që më pas janë deklaruar antikushtetuese me vendime gjykate. “Anëtarët e KLD-së, pasi zgjidhen, fitojnë një status të ri dhe harrojnë që janë zgjedhur nga gjyqtarët”, u shpreh Nuni.

Kristaq Traja: Projektligj për kohëzgjatjen e gjyqeve
Në fjalën e tij në konferencë, rektori i universitetit “Luarasi”, ish-gjyqtar në Gjykatën Ndërkombëtarë të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Kristaq Traja, lajmëroi hartimin e një projektligji mbi rregullimin e kohës në proceset gjyqësore. Ai u shpreh se në fund të kësaj konference do të propozohet hartimi i një projektligji që do t’i japë të drejtë individit të gëzojë të drejtat e tij në procesin gjyqësor brenda një kohe të arsyeshme. Do të kërkohet gjithashtu dëmshpërblimi i qytetarit për të drejtën e vonuar. Në vijim, profesor Traja paraqiti disa pika sipas të cilave mund të ekonomizohej koha e proceseve gjyqësore. Ndër të tjera, ishin bashkimi i çështjeve të ngjashme, apo praktika e vendimeve pilot.

Mariana Semini: Magjistratura tenton rritjen e cilësisë
Drejtorja e Shkollës së Magjistraturës, prof.dr. Mariana Semini, prezantoi dje para të pranishmëve misionin e institucionit të drejtuar prej saj në formimin dhe trajnimin vazhdues të gjyqtarëve. “Objektiv është rritja e pavarësisë dhe paanshmërisë së Gjyqësorit. Po ashtu, përmirësimi i kapaciteteve profesionale në drejtim të etikës dhe të shkrimit të arsyetimit ligjor”, u shpreh Semini. Sipas drejtueses së Shkollës së Magjistraturës, 350 gjyqtarë dhe 314 prokurorë, që veprojnë në vend, duhet të marrin pjesë në seminare nga 12 deri në 20 ditë në vit. “Pjesëmarrja në seminare është e kënaqshme dhe ka ardhur në rritje”, u shpreh Semini.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura