Gjobat progresive dhe marrëzia e Qeverisë

Dec 30, 2015 | 10:44
SHPËRNDAJE

markuMARK MARKU

Ministri i Rendit Tahiri ka deklaruar dje para mediave se nga viti i ri, Policia Rrugore do të vërë në zbatim një gjobë të çuditshme të quajtur, sipas tij “gjoba progresive”. Në një përpjekje të admirueshme për ta bërë të qartë gjobën e tij progresive, ai argumentoi po aq admirueshëm se nuk kishte kuptim që një drejtues automjeti luksoz të paguante të njëjtën gjobë që paguan drejtuesi i një automjeti modest për të njëjtën shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Sipas tij, drejtuesi i një automjeti luksoz ka më shumë përgjegjësi për shkeljet e Kodit Rrugor sepse ai është më i pasur, domethënë ka më shumë mundësi për ta mbajtur makinën e tij në standarde teknike të tilla sa për të mos shkaktuar aksident. Për këdo që ka kulturën minimale të funksionimit të shtetit të së drejtës, një masë e tillë është në të gjitha kuptimet një nonsens i paparë juridik, një shembull i injorancës së pashoqe të qeverisjes së një vendi.

Është e tepërt të thuhet se një masë e tillë shkel parimin bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës: barazinë e qytetarëve para ligjit. Ligji në vendet e shtetit të së drejtës vepron njësoj si për të pasurit, ashtu edhe për të varfrit, si për të pushtetshmit, ashtu edhe për të papushtetshmit, si për të rinjtë (kur mbushin moshën e ndëshkimit nga ligji), ashtu edhe për të vjetrit, si për burrat, ashtu edhe për gratë.

Pa përjashtim, për të gjithë njëlloj. Të ngatërrosh ligjin me politika sociale apo parime ideologjike, do të thotë të ndërtosh jo shtetin e së drejtës, por shtetin e luftës së klasave. Dhe duket qartë se ministri Tahiri dhe ministra të tjerë të qeverisë socialiste me Kryeministrin e tyre, nuk kanë model tjetër të shtetit dhe ligjit, përveç modelit të shtetit klasor të Enver Hoxhës.

Është e tepërt të kërkosh argumente për ta hedhur poshtë një marrëzi të tillë, njohja e një parimi bazë të shtetit të së drejtës e hedh poshtë atë pa asnjë ekuivok. Por me sa duket, argumentet e kësaj natyre nuk sjellin më asnjë reflektim dhe nuk ka gjasa t’i kthejnë në rrugën e arsyes ministrat e “rilindjes”.

Sa e sa marrëzi të ngjashme janë shndërruar ose kanë tentuar të shndërrohen në ligje për qytetarët shqiptarë. Mjaft të kujtojmë këtu projektligjin për kompensimin e pronarëve, që synonte t’i vlerësonte pronat e tyre të marra me forcë nga shteti komunist me çmimet e viteve kur u ishin marrë pronat, rastin e ligjit që kishte të bënte me kuponët tatimorë, ku u tentua t’u jepej e drejta qytetarëve për të mos paguar mallrat e blera nëse shitësi nuk u jepte faturën tatimore, ligjin që ngrinte taksat për prodhimet e vendit dhe ulte taksat për prodhimet e importuara, ligjin për kriminalizimin e shpifjes (ligj që synonte t’u mbyllte gojën gazetarëve kërcënimin dhe kundërshtarëve politikë) e sa të tjera marrëzi të propozuara gjatë këtyre dy viteve si reforma juridike.

Nuk ka pse të habitemi nëse me këtë mentalitet totalitar të socialistëve të rinj, nesër të ketë edhe ndonjë propozim që të ulen dënimet për njerëzit që vjedhin, përdhunojnë apo vrasin të pasurit.

Sipas kësaj logjike, pse të dënohet njësoj një vrasës i varfër dhe një vrasës i pasur, kur ky i pasuri nuk ka asnjë arsye të vrasë, pasi i ka të gjitha kushtet për mos e bërë një gjë të tillë, ka para, ka shtëpi, ka luks, ndërkohë që i varfri nuk ka asgjë nga ato që ka i pasuri, madje, në disa raste, mund të jetojë më mirë në burg se në varfërinë e skëterrshme ku e ka lënë qeveria.

Në kushte normale, një propozim i tillë do të duhej marrë me shaka. Madje, do të duhej kuptuar edhe si pjesë e projektit për ta argëtuar popullin shqiptar në këtë fund viti. Ja, Kryeministri të tillë e kishte takimin me gazetarët.

Mbajti një fjalim ku u tha që e kishin mërzitur shumë gjatë këtij viti, që e kishin shndërruar në kavje dhe që ia kishin shkatërruar çdo qelizë të trupit, por që ai, megjithatë, nuk ua merrte për inat, pasi ai nuk i kishte lexuar fare dhe se vetëm në fund të vitit para takimit me ta u kishte thënë këshilltarëve të tij t’i bënin një përmbledhje të shkurtër të asaj që mediat kishin thënë për të gjatë gjithë vitit. Pastaj u tregua zemërgjerë dhe u dha leje të qeshnin, edhe pse gazetarët për herë të parë as nuk po qeshnin më me të.

Edhe nëse pra kjo masë e deklaruar nga ministri Tahiri është diçka e projektuar nga specialistët e agjitpropit qeveritar për të na shkaktuar humor fundviti, nuk besoj se të shkakton më humor. Ajo është e rëndë dhe tregon se maxhoranca që qeveris, nuk ka tjetër kulturë juridike, politike, qeverisjeje, përveç kulturës së shtetit klasor.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/