Gazmend Gjoka: Në “Riverside Drive” do harroni politikën

May 6, 2011 | 11:39
SHPËRNDAJE
Aktori Gazmend Gjoka në rolin e Fredit në pjesën “Riverside Drive”

Kur Kastriot Çaushi hapi derën e zyrës e iu drejtua ashpër, Gazmend Gjoka u fut menjëherë në rol. Tjetërsim i befasishëm në fytyrë, e folur e shpejtë, gjestikulacione të çuditshme.Ishte kjo një mënyrë që, mes kolegësh, praktikonin për ta mbajtur tjetrin përherë afër rolit. Sidomos një rol si i tiji. Në shfaqjen “Riverside Drive”, aktori Gaz Gjoka, profesori i asociuar i Akademisë së Arteve, vesh petkat e një skizofreni. I diagnostikuar me “dementia praecox”, Fred Seviç jep veten për ta përmirësuar pak këtë botë, veçse e bën në mënyrën e tij. Përmes dialogëve me Xhimin, Fred shpërfaq pikat e dobëta të karakterit të tjetrit, duke iu drejtuar kështu të gjithë shoqërisë. Me një pamje krejt tjetër, mjekër të dendur e syze të errëta, diktuar prej rolit të pjesës së Woodi Allen, Gjoka gati nuk njihet. Por që ta jetojë këtë rol, do duhet ta ketë me vete edhe jashtë shfaqjes, së paku në imazh. “Riverside drive” titullohet komedia që do të shfaqet nesër dhe pasnesër në Teatrin e Metropolit, në kuadrin e projektit “Qyteti i arteve”, projekt i Akademisë së Arteve, shkruar nga Woody Allen, nën regjinë e Milto Kutalit dhe interpretimin e aktorëve Gazmend Gjoka, Arben Derhemi dhe Niada Saliasi. Skenografia dhe kostumografia mbajnë emrin e Ilir Martinit, ndërsa muzika të Endri Sinës, i cili ka kompozuar enkas për këtë pjesë. Së paku për 1 orë e 15 minuta, këtë të shtunë e të diel, që do të jetë e gjitha e mbushur me hamendësime, llogari e lista zgjedhore, publiku mund të harrohet, aq sa në përfundim të shfaqjes të harroj se me cilën parti është…
Na trego për Fredin, përtej asaj që shohim. Për punën që të duhej për të mbërritur te ai?
Fred është personazhi që do të kishte fat ta luante çdo aktor, sepse të jep mundësinë që të operosh me të gjitha elementet e aktrimit, duke nisur që nga plastika, teknika dhe interpretimi. Të gjitha këto të marra së bashku kapin majën profesionale. Autori e ka vendosur personazhin në një situatë bipolare, me çrregullime psikike. Herë arrin gëzimin e menjëherë më pas bie në depresion.
Pra, përjetime ekstreme…
Ekzaktësisht. Pacientët me çrregullime bipolare janë të ngjashëm me skizofrenët nga bisedat që bëjnë me njerëzit, me planete të tjera, me galaktikën, madje marrin edhe komanda prej tyre. Flasin shpejt, japin informacione të shumta dhe e gjithë kjo mënyrë e përshpejtuar e të folurit, vjen sepse kërkojnë të japin sa më shumë informacion, aq sa nuk mendojnë ndonjëherë se do munden t’ia arrijnë nëpërmjet të folurës normale.
Përveç perceptimit të veprës, çfarë duhet tjetër për të jetuar për 1 orë e 15 minuta në ditë si Fred?
Vetë Woddy Allen diskuton për maniak, depresiv, për skizofren. Të gjitha këto më bënë t’i referohesha literaturës mjekësore, për të kuptuar më mirë nga ana shkencore se si funksionojnë këta njerëz. Mësova për shembull që për të afërmit e tyre është shumë e vështirë t’u plotësojnë tekat.
Përveç literaturës shkencore, modele ke parë?
Jo, modele nuk kam parë, sepse frikohesha mos i imitoja.
Çfarë ka ndodhur me Fred që ka kaq shumë akumulime?
Fred ka qenë skenarist profesionist. Ndihet dhe është ndier i veçuar në aspektin social dhe atë profesional. Kjo e bën atë të kërkojë shpagim ndaj kësaj kategorie që sillet kështu me të. Përpiqet të kapë pikat e dobëta të karakterit të tyre për t’i goditur pikërisht atje, e për të treguar defektet e shoqërisë.
Po në marrëdhënie me Xhimin?
Fred i bën makinën e së vërtetës Xhimit, personazhit që përmes abuzimit ka arritur aty ku është. Xhim qëmton pak tek të gjithë dhe krijon me këto copëza një imazh të tijin, ashtu siç rëndom jemi mësuar të shohim në realitetin tonë. Prandaj edhe kjo pjesë ka impakt, sepse paralelet që hiqen me shoqërinë, mesazhet e veprës, janë të shumta.
A arrin gjë personazhi në fund?
Në fund, Fred e tejkalon shoqërinë, problemet dhe e mbyll duke thënë: “Ju nuk mund të më kuptoni mua. Unë u përpoqa, por nuk munda. Unë nuk i takoj këtij realiteti. Jepi Xhim jepi…”. Ky është edhe momenti vendimtar i përpjekjes për të sensibilizuar shoqërinë.
Të shoh kaq të përpirë nga ky rol… Pse nuk ka pasur të tjera më parë? Janë 8 vjet që nuk ju kemi parë…
Unë këtu kam qenë. Nuk mund të thuhet se kam qenë i shkëputur, edhe pse nuk kam pasur shfaqje të bujshme. Bashkë me regjisorin Altin Basha kemi vënë në skenë shfaqen “Çifti i shqyer” dhe, më pas, prapë me Milto Kutalin, regjisorin e pjesës aktuale, kemi vënë “Vdekja e antagonistit”. Kam qenë i angazhuar në produksione televizive, kam qenë pjesë e një produksioni grek, “Eduard”, në rolin e një të burgosuri. Që prej vitit 2008 jam shef i Departamentit të Aktrimit, regjisë së filmit dhe televizionit, kështu që edhe pjesa akademike ka dashur përkushtimin e saj e më ka lënë paksa mënjanë. Gjithsesi, këtë periudhë nuk e quaj boshllëk, por një angazhim më pak të bujshëm.
Shfaqja e radhës është nesër dhe pasnesër, për të vazhduar në fundjavat në vijim. Nuk po rrezikoni pak që e latë në këtë kohë të turbulluar nga listat e rezultatet zgjedhore?
Mendoj se njerëzve ka për t’u shërbyer shumë pikërisht në këtë javë. Aq shumë kanë për t’u kënaqur, sa do të harrojnë në fund edhe se më cilën parti janë. Mesazhet e pjesës do jenë çliruese për ta. Në fund, pas 1 orë e 15 minuta, mund të shkojnë të marrin rezultatet e zgjedhjeve.

 

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura