“Gati të surprizojmë në Europë”, Musta tregon si e ka justifikuar besimin: Jam i lumtur tek Egnatia, sivjet është luftë

Jun 9, 2023 | 22:38
SHPËRNDAJE

I përket grupit të futbol listëve me shumë përvojë që ka aktualisht Egnatia. Emiljano Musta, tashmë 31- vjeçar, luajti një sezon tepër të suksesshëm te rrogozhinasit. “Sallaksi”, që bën më shumë se një pozicion në fushë, duhet thënë se ishte një kontributor, krahas gjithë futbollistëve të tjerë, në këto arritje që pati skuadra.

Musta Emiljano

Si në kampionat, ashtu dhe në Kupën e Shqipërisë, ku Egnatia arriti të fitojë për herë të parë trofeun. Edhe pse në një ditë pushimi, Musta iu përgjigj dje në mesditë interesimit të “Panorama Sport”, duke dhënë këto përgjigje në intervistën e mëposhtme…

U mbyll një sezon që mund të quhet thuajse i jashtëzakonshëm për Egnatian. Një impresion për këtë?

Ishte një sezon shumë i mirë për ekipin e Egnatias. Në fillim jo shumë njerëz e besonin këtë. Por me punën e përkushtim arritëm të bënim realitet arritjet, që duhet pohuar se nuk janë të vogla për një ekip të ri si ne.

Me luajtjen për herë të parë në Europë në Konferencë League, Egnatia është përpara një tjetër hapi historik. Si po e prisni këtë kampionat, ashtu dhe në Kupë, ku arriti të fitojë për herë të parë trofeun në këtë përfaqësim?

Të gjithë janë entuziastë për këto arritje dhe përfaqësim që ne do të bëjmë për herë të parë në arenën ndërkombëtare, ku shpresojmë të jemi sa më dinjitozë.

Statistikat tuaja tregojnë 32 ndeshje dhe 2652 minuta në fushën e lojës. Jeni në pesëshen e parë të titullarëve të Egnatias. Keni qenë në superformë. Si e gjykoni këtë moment të karrierës suaj?

Personalisht ndihem mjaft i lumtur, i qetë dhe mjaft i motivuar në ambientin ku stërvitem e luaj. Kjo më ka bërë që të jap më të mirën nga vetja dhe shpresoj ta kem justifikuar më së miri besimin që drejtuesit kanë pasur nga fillimi e deri në fund të sezonit tek unë.

U fitua një trofe si Kupa e Shqipërisë dhe u bë realitet një ëndërr e madhe nga një ekip me pak histori në elitë siç është Egnatia. Tani shtrohet pyetja, deri ku mund të shkojë kjo skuadër?

Pas fitimit të Kupës dhe kualifikimit për në Europë, normalisht që na pret një sezon akoma më i vështirë nga ai që kaluam. Pasi nuk do të na shohin më si ekip surprizë. Por ne me përkushtim e punë mendoj se do të arrijmë gjëra akoma më të mëdha në të ardhmen.

Linja e majtë me Memollën prapa, ju në mes dhe Fernandon përpara duket se ka qenë ndër më të mirat për potencialin e lojës. Në harmoni edhe me lojtarët e tjerë, çfarë duket se është bërë mirë në ndeshjet e Egnatias, si në kampionat ashtu dhe në Kupë?

Jo vetëm me lojtarët e lartpërmendur, por i gjithë ekipi ka pasur një harmoni të madhe njëri me tjetrin dhe besoj se ky ka qenë çelësi i suksesit në arritjen e objektivave.

Tek Egnatia flitet që nuk do të ketë largime në këtë periudhë. Sa do të ndikojë ky fakt në ruajtjen dhe përsosjen e vlerave sportive të grupit aktual?

Me përbërjen që mbyllëm sezonin e fundit duhet thënë se gjërat lëvizën shumë pozitivisht. Por, megjithatë në politikat e saj KF Egnatia ka treguar shumë aftësi, se ka ditur t’i menaxhojë më së miri të gjitha lëvizjet që do të gjykohet se vlejnë si në hyrje, ashtu dhe në dalje.

Drejtuesit e Egnatias tanimë kanë një strategji të kombinuar mirë mes momentit e perspektivës. Çfarë avantazhi sjell kjo mënyrë të vepruari?

Strategjia që funksion në klub në lidhje me kontratat afatgjata bën që të mos ketë shumë hyrje-dalje futbollistësh. Kjo është diçka vërtet e mirë, që i ka shërbyer mjaft konsolidimit të skuadrës. Kështu mendoj se duhet të veprojnë edhe skuadrat e tjera të futbollit tonë.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura