Ftesa e Alibeajt për kandidatët e Berishës, Edmond Budina në Panorama TV: Hipokrizi, ai i hodhi në gjyq. Disa ‘çapaçulë’ e sakatuan siglën e PD-së, duan t’i tregojnë babait arat

Mar 17, 2023 | 17:23
SHPËRNDAJE

Edmond Budina ka folur ditën e sotme në Panorama TV në lidhje me krizën në Partinë Demokratike dhe zgjedhjet e 14 Majit.

Ai e cilësoi hipokrizi ftesën e Enkelejd Alibeajt për kandidatët e dalë nga primaret që të kandidojnë me siglën e Partisë Demokratike.

“Për mua së pari është një hipokrizi. Hajde konkurroni me mua pasi unë ju hodha në gjyq. Ata ishin kundër primareve. Kundërshtuan procesin dhe tani thonë hajde garoni për ne. Ta mbajnë atë vulën por të mos qasen askund. E kanë shkatërruar Partinë Demokratike. Me këta njerëz nuk duhet të ketë kompromis. Ata njerëz duhet të flaken jashtë.

Nuk është se ata kanë një mbështetje të jashtëzakonshme në popull. Ata janë disa kokrra, kanë disa të tjerë që ju servilosen sepse kanë përfituar prej tyre. Ja more dy bashki më shumë ose dy bashki më shumë. Unë i pari që votoj PD do të distancohesha nëse ata do të bëheshin pjesë e Partisë Demokratike. Le të krijojnë një parti tjetër, ta mbajnë edhe vulën dhe të rrijnë atje ku janë. Bëjnë vetëm pallavra lart e poshtë sikur ju vjen keq për demokratët. Njerëzit rrinin me netë të tëra që e bënë atë siglën që këta e sakatuan. Tani të vijnë disa çapaçulë dhe të flasin për historinë dhe t’i tregojnë babait arat. Ata kanë zënë karriget dhe nuk duan t’i lëshojnë”, tha Budina.

Ai tha se personat që mbajnë peng Partinë Demokratike kanë interesa të mëdha dhe qëndrojnë në ato karrige për përfitimet e tyre. “Ata të tërhiqnin padinë dhe PD të dilte me siglën e saj. Nëse nuk kannë interesa të vogla personale, çdo njeri mund të ishte tërhequr. Unë kur luftoja për teatrin kombëtar nuk mendoja të merrja ndonjë post. Ika. Unë nuk pranova të kandidoj për deputet. Edhe këta njerëz nëse kanë si synim të mirën e PD çfarë ndodh po të tërhiqen. Ata rrinë atje sepse benefitet që marrin nga karriget dhe vula që kanë me sa duket është shumë i madh. E keqja qëndron te karakteri i dobët i atyre njerëzve.

Edhe Berisha ka përgjegjësitë e veta. Sali Berisha e ka ushqyer Lulzim Bashën. E ka mbështetur dhe ato ishin qëllime e PD atëherë. Mund të kishte luftuar shumë më tepër që të mos digjeshin mandatet dhe të mos bojkotoheshin zgjedhjet lokale. Berisha ka bërë edhe autokritikë. Është penduar për këtë që ka ndodhur. Por kjo nuk do të thotë që meqë janë bërë disa gabime të vazhdojnë. Unë e kam thënë që kur Berisha u shpall non grata se nuk kishin për t’u bashkuar. Sepse interesat e atij grupi të vogël ishin shumë të mëdha. Të gjitha ato, jo non grata, jo na mbështet Europa janë të gjitha pallavra”, u shpreh ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura