Fotot nga paparazzi/ Efi Dhedhes lë pas miqësitë e vjetra, fotografohet me Anxhela Peristerin në Tiranë

Jun 10, 2023 | 19:50
SHPËRNDAJE

Efi është në momentin më të mirë të sajin mediatik. Ishfinalistja e “Big Brother” është ndër personazhet më të ndjekura dhe të paguara aktualisht në rrjetet sociale. E teksa shijon famën, Efi natyrisht që po tenton të vijojë edhe më tej me karrierën e saj. Ashtu si vetë ajo u shpreh, synimi i saj tashmë është që të ketë një studio të vetën të “make-up”, por edhe televizioni është një ëndërr e madhe.

Përditë e më shumë, ish-banorja është shfaqur pranë personazheve të njohur të “showbizz”-it në vendin tonë, duke pasur kështu një tjetër rreth, nga ai çfarë kishte para se të bëhej pjesë e lojës. Paparaci ynë ka mundur ta fotografojë në zonën e ishBllokut me këngëtaren e famshme, Anxhela Peristeri. Efi u shfaq e gjitha e veshur sportive dhe me të zeza, ashtu si shpesh e shohim në të përditshmen e saj.

Me grim minimal dhe krejtësisht e lirshme ajo ka vijuar rrugën me Anxhelën, ndërkohë që edhe bisedonin së bashku. Nga ana tjetër edhe këngëtarja kishte zgjedhur që të vinte sportive, ku xhinset e gjera i kishte kombinuar me një “T-shirt”. Por ndryshe nga Efi, Anxhela kishte zgjedhur një grim më të rëndë, ndoshta i realizuar nga mikesha e re. Qëkur mbaroi “Big Brother”, për Efin mbaroi edhe një periudhë miqësie, e nisur nga Përputhen.

E kemi fjalën pikërisht për Mikelën, e cila ishte dhe mikesha e ngushtë, ku të dyja u bënë pjesë e lojës së “Big Brother. Mikela Pupa dhe Efi Dhedhes ishin dy banoret, të cilat u futën si “një” konkurrent brenda shtëpisë së Big Brother VIP. Vajzat të cilat kishin krijuar një miqësi të ngushtë që prej eksperiencës së tyre në programin e “Për’puthen” vendosën të luanin së bashku deri në momentin kur ato morën vendimin të ndaheshin dhe vetëm njëra prej tyre të merrte biletën e kthimit.

Mirëpo tashmë që spektakli ka mbaruar, dy mikeshat nuk janë parë më nën shoqërinë e njëra-tjetrës duke u aluduar se raporti mes vajzave mund të jetë krisur. Por, këto zëra i ka hedhur poshtë vetë Mikela, e cila gjatë një video “live” në “Instagram” sqaroi se ato janë ende shoqe por nuk janë takuar për shkak të angazhimeve që kanë. “Çfarë të them për Efin? Sigurisht që flasim. Por nuk jemi takuar shpesh prej angazhimeve. Por, do na shihni bashkë shumë shpejt”, tha ish-konkurrentja. Por, ndjekësit duket se kanë ende dyshime pasi më pas Mikela publikoi një thënie në “InstaStory” ku shkruhej: “Rreth i ngushtë, jetë private, mendje e qetë”.

Dhe në fakt, që pas përfundimit të “Big Brother”, Efi nuk është takuar më me Mikelën, por tashmë ka preferuar të frekuentohet më së shumti me miq të rinj e të famshëm, që me shumë gjasa do ti hapin dyert për një karrierë të re. Nga ana tjetër Efi ka deklaruar më parë se që pas daljes së dytë nga “BBVIP”, ka filluar të mos i besojë me njerëzve. “Nuk besoj shumë njerëz, më ka ndryshuar dalja e dytë… thjesht e dija se do vinte një ditë se më kanë thënë që njerëzit që ke pranë do pakësohen dhe do mbeten shumë pak njerëz dhe tani ka ndodhur dhe po flasim për njerëz që kanë qenë para “Bigut”, më duhet pak kohë të vërtetoj mendimet e mia thjesht nuk janë më gjërat njësoj.”, është shprehur ishfinalistja.

Kujtojmë se Mikela ishte ndër mbështetëset më të zjarrta të Efit në kohën që ajo ishte pjesë e lojës. Në rrjetet sociale, por edhe në studio televizive, ajo nuk e kurseu mbështetjen ndaj asaj që quhej mikesha e ngushtë. Por jashtë, rrugët e tyre tashmë janë ndarë njëherë e mirë, duke I dhënë fund një raporti miqësor të krijuar rreth 2 vite më parë. E teksa me Mikelën mbyllet një raport, duket se me Anxhelën, sapo është hapur dhe këtë foto janë prova më e mirë për këtë shoqëri të re.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura