Fondi rajonal i sfidave të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor shpall thirrjen e parë të interesit në Shqipëri

Mar 2, 2021 | 15:44
SHPËRNDAJE

rcf event foto (2)

2 Mars, 2021 Tiranë, Shqipëri–Fondi Rajonal i Sfidave organizoi të martën, eventin kombëtar për shpalljen e thirrjes së parë të interesit në Shqipëri, në mbështetje të projekteve të trajnimit bashkëpunues në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë webinar morrën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Ambasadës Gjermane, Bankës për Zhvillim KfW, Unionit të Dhomave, GIZ, Swiss Contact, Fondit Rajonal të Sfidave, organizatave të huaja institucioneve përgjegjëse, komunitetit të biznesit dhe ofrues të arsimit profesional në vend.

Në fjalën e saj, zv/ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen u shpreh se Fondi Rajonal i Sfidave do të ofrojë një mbështetje financiare prej EUR 19 milionë në total për të gjithë ofruesit e arsimit dhe aftësimit profesional dhe kompanitë e angazhuara në projektet e trajnimit të dyfishtë ne vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas saj, nxënësit e aftësuar janë më të prirur për tu punësuar në treg se nxënësit që kanë marrë një formim të përgjithshëm.

“Që në vitin 2017, me mbështetjen e GIZ ne kemi zhvilluar një instrument gjurmimi për mundësitë e punësimit për nxënësit e aftësuar. Të dhënat tregojnë se 15 % e nxënësve të arsimuar në shkollat profesionale, mund të punësohen brenda 6 muajve nga diplomimi,” tha ajo.

Sorensen solli shembullin e  Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AFP) ku në 2 vitet e fundit ka pasur një rritje të numrit të të regjistruarve sidomos nga zonat rurale dhe grupet e margjinalizuara.

Një nga sfidat por edhe cilësitë kryesore të sistemit shqiptar të arsimit dhe formimit professional është angazhimi i qëndrueshëm i sektorit privat.

“Shqipëria e ka parë me prioritet të strategjisë kombëtare përfshirjen e sektorit privat në AFP dhe po bëhen shumë përpjekje për të rritur mundësinë e bashkëpunimit kur bëhet fjalë për mësimin e bazuar në propfesion. Në vitin 2020, ne kemi miratuar aktin nënligjor që rregullon praktikën e të mësuarit në vendin e punës  mes shkollave profesionale dhe sektorit privat,” tha Sorensen duke shtuar se pjesëmarrja e sektorit privat do të nxitet falë një plani aktivitetesh prej 3 nivelesh: mikro, të mesëm dhe makro.

Duke ftuar të gjitha shkollat profesionale dhe sektorin privat të aplikojnë në RCF, Sorensen nënvizoi se ky projekt do të përmirësojë komunikimin mes institucioneve dhe sektorit privat dhe falë programeve të dyfishta do të përmbushë nevojat e tregut.

Të njëjtin mendim ndau edhe Judith Hoffman, në krye të departamentit për Zhvillim dhe Bashkëpunim pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë.

“Në Shqipëri vërehet një numër i madh të rinjsh të papunë dhe nga ana tjetër kërkesa për profesionistë është e lartë. Ky është një mekanizëm inovator që zbatohet për herë të parë në rajon dhe qëllimi i Fondit është që të forcojë formimin professional dhe të rrisë aftësitë e nxënësve të regjistruar në AFP për tu punësuar nga kompanitë private,” tha Hoffman.

Bjoern Thies, drejtor i Zyrës së KfW në Tiranë nënvizoi se infrastruktura e arsimit dhe formimit profesional do të ndihmojë sipërmarrësit dhe të rinjtë në Shqipëri të ndryshojnë tërësisht të ardhmen e tyre. Fondi Rajonal i Sfidave, sipas tij, është një mekanizëm inovator dhe konkurues që duhet shfrytëzuar në mënyrë maksimale në mënyrë që si sipërmarrësit ashtu edhe të rinjtë të përafrohen më shumë me standardet e Bashkimit Evropian.

Presidentja e Dhomës së Tregtisë në Shqipëri, Ines Mucostepa shpjegoi se përgatitja aktive për në tregun e punës është një shtysë e nevojshme për hapjen e ekonomive të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

“Ne ndajmë të njëjtin qëllim me Fondin Rajonal të Sfidave, pra prosperitetin e Ballkanit Perëndimor. Ky Fond do të ofrojë financim për të rritur punësimin e nxënësve të shkollave profesionale por në të njëjtën kohë, do të rrisë produktivitetin dhe aspektin konkurues të ndërmarrjeve në Ballkan,” tha ajo.

Sipas Mucostepës, përfshirja e biznesit në praktikat profesionale është minimale në Shqipëri.

“Ligji aktual nuk ka arritur të ofrojë fuqinë punëtore të kualifikuar që u përshtatet nevojave  të bizneseve. Dhoma e Tregtisë, bizneset, shkollat profesionale, qeveria dhe donatorët, janë aktorët të cilët mund të sjellin ndryshimin në legjislacion. Bashkëpunimi mes bizneseve dhe shkollave profesionale në RCF do të sjellë përfitime të mëdha, jo vetëm për kompanitë por edhe për nxënësit që do të dalin në treg më të përgatitur dhe më të aftë për punë,” tha ajo.

Mucostepa premtoi angazhimin e fortë të dhomave të tregtisë dhe industrisë për të rritur përfshirjen e sipërmarrësve në këtë projekt të rëndësishëm.

Fondi Rajonal I Sfidave është një instrument financimi, i pari në llojin e tij, i krijuar për të rritur punësimin e të diplomuarve nga sistemi i arsimit profesional, por edhe për të fuqizuar produktivitetin dhe konkurueshmërinë e ndërmarrjeve në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në të njëjtën kohë.

Për informacione të mëtejshme jeni të lutur të kontaktoni: Renato Vasili, [email protected]

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura