Fondi për shërbimet spitalore/ QSUT ofron 42% të shërbimit publik, por merr vetëm 23% financim

Feb 1, 2024 | 12:06
SHPËRNDAJE

Qendra spitalore Nënë Tereza (QSUT) përballon rreth 42 për qind të shërbimit spitalor në rang kombëtar po merr vetëm 23% të fondit për spitalet.

qsut

Pak ditë më parë këshilli i Ministrave miratoi dhe detajoi fondin për shërbimin spitalor për këtë vit, sipas të cilit QSUT do të financohet me 7.8 miliardë lekë, shumë kjo sa 23 për qind e fondit prej rreth 33 miliardë lekësh që do të ndahet me 2024 për spitalet.

Por nga ana tjetër QSUT përballon gati gjysmën e volumit të punës që ofrojnë spitalet tona publike në rang vendi. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2022 rreth 278 mijë persona u shtruan në spital, ku rreth 115 mijë ose 42 % u shtruan në pavijonet e spitalit universitar “Nënë Tereza”.

Të dhëna të tjera tregojnë se QSUT është ofruesi më i madh të gjithave shërbimeve spitalore. Përqendrimi i shërbimeve në këtë qendër ka ardhur në rritje vit pas viti, për shkak të mungesave në burime njerëzore dhe pajisje në spitalet rajonale.

Spitalet e qarqeve kanë mungesa të mëdha në të gjitha specialitetet, duke bërë zhvendosur marrjen e shërbimeve në QSUT edhe për anomali të thjeshta në shëndet.

Por përveçse QSUT ka pak buxhet në raport me shërbimin që ofron, fondet e tij gërryhen nga koncesionet. Duke qenë se shtrimet dhe ndërhyrjet kirurgjikalë janë të shumta, një pjesë e mirë e buxhetit të QSUT shkon për koncesionet PPP dhe shërbimet mbështetëse. Psh këtë vit 10,8 për qind e buxhetit total të QSUT do të jetë pagesa për koncesionin e laboratorit, teksa shpenzime të mëdha shkojnë për sterilizimin e sallave kirurgjikale, pastrimin, ushqimin etj.

Nga ana tjetër QSUT aktualisht ka mungesa në burime njerëzore në të gjitha pavijonet si në infermieri dhe mjekë.

Shpenzimet buxhetore në shëndetësi janë deformuar nga kontratat koncesionare, të cilat po përthithin fondet për shërbime dytësore, në një kohë që shpenzimet publike për shëndetësinë mbeten ende shumë të ulëta në vendin tonë.

Shpenzimet buxhetore për shëndetësinë për vitin 2022 ishin 63.8 miliardë lekë. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ato arritën në 2.98% dhe kanë shënuar rënie vjetore me 0,44 pikë përqindje, ndërsa shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,90 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021.

Shpenzimet buxhetore për shëndetësinë në raport me PBB-në ishin në nivelin më të ulët që nga viti 2017.

Ekonomia dhe kapacitetet buxhetore janë shtuar përgjatë dekadës së fundit, por financimet për shërbimet themelore shëndetësore, të tilla si rimbursimi i barnave dhe kujdesi parësor kanë mbetur në vendnumëro, në një kohë që nevojat për produkte farmaceutike dhe shërbime shëndetësore në një popullsi në plakje po rriten./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura