Flora Haka: Kartolinat, koleksioni i ngushëllimit

Dec 30, 2013 | 11:14
SHPËRNDAJE

Flora Haka, Foto: Vlasov Sulaj
Numëron mbi njëmijë kartolina. Shumica prej tyre, të përcjella si mesazhe urimi në rastet e 7-8 Marsit, e të tjerat për festat e fundvitit. Për mësuesen sot në pension Flora Haka, koleksionimi i urimeve ndër vite ka ardhur si nevojë ngushëllimi pas vdekjes së të shoqit në aksidentin tragjik të Llogarasë. E para kartolinë daton nw vitin 1986…

Sot, zor se kujtohet kush të të çojë një kartolinë urimi. Dikur, një angazhim më vete, në prag festash ishte përzgjedhja e tyre, duke ia përshtatur karakterit tw njeriut që do t’ia dërgoje. Diku me pak humor, një tjetri pak më romantike… Dhe pritja e postës ishte e bukur. Sot, në kohën e internetit, zilja e postierit është një ndjesi e harruar. Mësuesja Flora Haka vazhdon të mbetet me të “vjetrën”. Prej afro 27 vitesh, ajo shkëmben kartolina urimi, të cilat të koleksionuara në kohë i kanë shërbyer si një mal kujtimesh me të cilat largon trishtimin. Fati e deshi që në një moshë fare të re, ajo të humbte të shoqin, teknikun e avionit Enver Haka në tragjedinë e Llogarasë. Pas futjes në rrjedhën normale të jetës, e angazhimit në profesionin e saj si mësuese e Gjuhë-Leximit, nxënësit nuk do e ndanin zyshën e tyre Florën nga urimet e përvitshme, qoftë ato të 7-8 Marsit, por edhe ato në raste ditëlindjesh, si edhe festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Krejt rastësisht, e gjithë kjo u kthye në ngasje për Florën, e cila vit pas viti grumbullonte gjithë kartolinat e mesazhet e urimit të ardhura në adresë të saj. Sa herë ndihet e mërzitur, ajo shfleton secilën prej tyre, duke u harruar në kujtime me nxënësit. Sot, ajo është kthyer në një koleksioniste të vërtetë, me plot njëmijë të tilla…

Koleksioni i urimeve, si nevojë ngushëllimi

Flora Haka me koleksionin e kartolinave të saj ndër vite. Foto: Vlasov Sulaj
Bashkë me kujtimet, ato janë të vetmet që i kanë shpëtuar tisit të harresës. Sepse, sa kohë ekziston dëshira e saj për t’i ruajtur me fanatizëm e grumbulluar ndër vite, kartolinat janë aty për t’i kujtuar Flora Hakës copëza të shkëputura të së kaluarës. Dhe nuk janë pak, por njëmijë. Sidomos, pas ngjarjes që ia përmbysi rrjedhën e jetë, humbjes së të shoqit në tragjedinë e Llogarasë, kartolinat shërbyen si “pajë” e vyer e nxjerrë nga sëndukët e kujtimeve, që e bënte të harronte vdekjen e papritur të tij, duke e kthyer pas në marrëdhëniet e dashura me nxënësit e shkollave tetëvjeçare, ku ajo ka dhënë mësim. “Sa herë mërzitem, i marr dhe i lexoj. Ndihem e plotësuar, dhe kështu përpiqem të largoj mërzinë. Çdo njëra prej tyre është e veçantë dhe e bukur. I shijoj vërtet, edhe pse janë copëza letre. Nga viti në vit, ato më urojnë dhe kështu unë ndihem e plotësuar. Sidomos pas vdekjes së papritur të tim shoqi, në moshë fare të re, përpiqesha që të pasuroja arkivin e kartolinave, dhe si pa kuptuar përhumbja orë të tëra në to, në kujtimet e vyera me nxënësit. Kështu, nisi koleksionimi i tyre. I kam ruajtur me kujdes, pasi i kam vlerësuar, e sidomos për rrjedhën e papritur të jetës ku unë hyra, ato më kanë ushqyer shpirtin”, thotë Haka.

Aksidenti
Edhe pse banon në një shtëpi të vogël, e me kushte modeste në një nga zonat e njohura të kryeqytetit, thotë se ndihet mjaftueshëm e pasur, për sa kohë zotëron një koleksion urimesh nga të dashurit e saj. Pasi i shoqi ndërroi jetë, në aksidentin fatal të Llogarasë, në vitin 1989, për Florën jeta nuk ishte më ajo e para. Sikur ta kish parandier, atë mëngjes nuk e përcolli Enverin te dera e jashtme, ashtu siç bënte zakonisht. Por, e tulatur nga gjumi, me dy djemtë e vegjël që e kishin rrethuar në krevat, Flora e kish lënë të vetëm të shoqin, në ikjen e herët të tij. Lajmi i kobshëm ishte si një rrufe në qiell të hapur. Bashkë me dhimbjen e madhe, erdhi edhe ngushëllimi, ai drejtpërdrejt, e më vonë në prag festash urimet e pandara të nxënësve të shkollës… “I kam sistemuar të gjitha nëpër kuti të veçanta, sipas kategorive. Ato të ditëlindjes, ato të festave të marsit, si edhe ato të fundvitit. Pikërisht, atmosferat festive mua më kanë ardhur përmes këtyre kartolinave. Janë shkruar me fjalë të thjeshta, por plot dashur e ngrohtësi nga nxënësit dhe jo vetëm. Janë realisht ilaç për shpirtin tim”, thotë ajo.  

Historitë mes rreshtave
Përveç modeleve të gatshme, shumë prej kartolinave janë të krijuara me dorë… Një syresh është e ndërtuar me petale të thara lulesh, e një tjetër nga një kopertinë cohe të qëndisur nga dora e një nxënëseje të klasës së tetë. Ajo që i bën më të rralla këto kartolina nuk është vetëm përmbajtja, por edhe vlera që ato mbartin. Disa prej tyre janë dërguar nga ish-nxënësit “VIP” të mësueses, fëmijë politikanësh, në një nga shkollat private në kryeqytet. Nga djali i Presidentit Nishani, te vajza e Majlinda Bregut e gjithashtu fëmijët e Pandeli Majkos e Bashkim Finos kanë qenë ata më të kujdesshmit që nuk i kanë ndarë nga vetja urimet me kartolina për zyshën e dashur, Florën e Gjuhë-Leximit. “Të gjitha urimet janë të veçanta, sepse secila ka një mesazh unik për mua. Vërtet janë urime në masë, por të shkruara individualisht nga persona të ndryshëm, ato bëhen më specifike. Diku një fjalë më shumë, një histori e kujtuar nga raporti mësues-nxënës, apo edhe ndonjë shprehje e zgjedhur më afeksionon edhe më shumë me secilin prej tyre, prej kartolinave, po aq sa edhe individë që më kanë kujtuar”, përfundon Flora Haka.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura