Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën e fundvitit

Dec 30, 2013 | 18:13
SHPËRNDAJE

Rama gjate konferences se sotme

Mirëdita të gjithëve, kjo është konferenca jonë e fundvitit.

E fundit të Viti 2013, që njësoj si viti 1992, do të shënohet në historinë e re politike të Shqipërisë, si viti i votës popullore që siguroi kthesën e madhe demokratike të vendit tonë.

Mes rrënimit të mëtejshëm dhe një rilindjeje shqiptare, 1 milionë shqiptarë u bënë bashkë për Rilindjen, duke zgjedhur në 23 qershor “Aleancën për Shqipërinë Europiane”.

Vigjilja e Vitit të Ri 2014 e gjen Shqipërinë me energjinë e re që krijoi bashkimi i Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Pesimizmi që karakterizoi fillimin e këtij viti, i’a ka lënë vendin shpresës së rilindur me të cilën ky vit po mbyllet. Duke votuar për ndryshimin, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, e bënë këtë vit vitin e një ndryshimi të madh që do të vazhdojë më tutje, mbi themelin e fortë të votës së tyre dhe mbi bazën e punës së nisur nga qeveria e re në 100 ditët e para të saj.

Edhe pse 100 ditë janë fare pak për punët e mëdha për të cilat jemi zgjedhur, ato mjaftuan për të përcaktuar qartë kursin e ri të drejtimit të Shqipërisë nga e ardhmja.

Buxheti i vitit 2014 dhe vendosja e taksimit të ndershëm, përbëjnë shprehjen më kuptimplotë të ndryshimit që përcaktoi për Shqipërinë vota e 23 qershorit.

Me votën e tyre, mësuesit, mjekët, policët, nëpunësit e shtetit dhe punonjësit në sektorin privat, si edhe të vetëpunësuarit me një biznes të vogël, gjithsej 97% e shqiptarëve që kontribuojnë në arkën e shtetit, vendosën të taksohen më pak. Si rrallë ndonjëherë, Kuvendi i Shqipërisë, u bë zëdhënësi dhe zbatuesi i vullnetit të tyre.

Nisja me vendosmëri e rikthimit të Policisë së Shtetit në krye të detyrës dhe fillimi i rënies muaj pas muaji të kriminalitetit, shënuan kthesën e shumëkërkuar nga njerëzit që, pa asnjë dyshim, do të thellohet qartë e më qartë, vitin e ardhshëm. Zotimi ynë për të pasur, brenda 300 ditësh, një polici të shtetit në lartësinë e detyrës së vet në mbrojtje të njeriut e të pronës publike e private, do të jetë realitet i padiskutueshëm i vitit 2014.

Rikthimi i Ministrisë së Drejtësisë në rolin e vet kushtetues e ligjor, duke rimarrë distancën e munguar deri dje nga krimi, korrupsioni, paligjshmëria dhe padrejtësia e kudondodhur, është vetëm fillimi i rrugës së një reforme të thellë të sistemit të drejtësisë. Shqiptarët duan drejtësi dhe qeveria nuk do të tërhiqet përpara kësaj kërkese, po do të përfshihet fuqimisht, bashkë me shumicën parlamentare në Kuvend dhe shpresoj edhe me opozitën, si edhe padyshim me të gjithë të interesuarit në sistemin e drejtësisë, me shoqërinë civile, mediat dhe padyshim me partnerët ndërkombëtarë, në rrugën e reformimit të një sistemi që nuk mund të lejohet të funksionojë si një korporatë e cila e ka kthyer nevojën e këtij populli për drejtësi në një burim përfitimesh të paligjshme.

Një politikë e jashtme e mbështetur fort në vijën përcaktuese të interesave tona kombëtare dhe aktive në promovimin e një Shqipërie të re, ambicioze e dinjitoze në rajon dhe në Europë, ka lindur për t’u zhvilluar vitin e ardhshëm dhe në vijim si zëdhënëse e një populli e kombi që refuzon të pranojë etiketat e vjetra dhe gjykimet e padrejta të të tjerëve mbi vete.

Rimarrja e detyrës së qeverisë në mbrojtjen e mjedisit; ndalimi i importit të plehrave dhe pastrimi i plehrave të mbledhura nëpër rrugë; nxjerrja e Krujës nga mjegulla kanceroze e guroreve të barbarisë kundër natyrës dhe furrave të paligjshme të gëlqeres; ndalja e masakrës mbi pyjet dhe lumenjtë; përbëjnë vetëm pikënisjen e një rruge të re të bashkëjetesës sonë me natyrën që do të shtrihet me vendosmëri përpara vitin e ardhshëm.

Bazat për t’i çuar në një nivel të ri marrëdhëniet mes shqiptarëve në rajon, si edhe në radhë të parë, marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare këtej dhe andej kufirit mes Shqipërisë e Kosovës, janë hedhur tanimë. Viti i ardhshëm do të nisë më mbledhjen e parë të bashkëqeverisjes strategjike të shqiptare, mes qeverisë sonë dhe qeverisë së Kosovës.

Rivendosja në vend e dinjitetit të njeriut të zakonshëm, solidariteti jetik me njerëzit në nevojë, respekti i domosdoshëm për mësuesin, nxënësin, prindin, vëmendja e pandarë ndaj të sëmurëve, përbëjnë tiparet e lexueshme tanimë të shërbimeve tona publike në arsim, shëndetësi, përkrahje sociale, që vitin e ardhshëm do të përfshihen nga reforma rrënjësore për t’u ngritur drejt nivelit të pritshmërisë legjitime të qytetarëve ndaj shtetit.

Plani i Përgjithshëm Kombëtar që ka nisur tanimë, së bashku me masat e para të vendosjes së kontrollit mbi territorin, do të pasohet vitin e ardhshëm me një reformë të thellë ligjore dhe veprime të njëpasnjëshme që do ta nxjerrin, njëherë e mirë Shqipërinë, nga rruga e kaosit të ndërtimtarisë pa leje, duke dhënë njëkohësisht shembujt e parë të një rikualifikimi urban të nivelit europian.

Shlyerja e borxheve të papërgjegjshme dhe kërcënuese për ekonominë tonë ndaj kompanive, si edhe sipërmarrjet e reja ligjore të qeverisë për standartet e duhura të sigurisë dhe të shërbimeve të infrastrukturës kombëtare të transportit rrugor e ajror, bashkë me kantieret e reja që do të hapim kudo për përmirësimin e infrastrukturës në tërësi, do ta bëjnë vitin e ardhshëm një vit të rilindjes dhe të rimëkëmbjes edhe në këtë drejtim.

Qasja e re ndaj fshatit, politikat e reja të zhvillimit rural, investimet e reja në mbështetje të familjeve që jetojnë në fshat, shoqëruar me dhënien e titujve përfundimtarë të pronësisë mbi tokën e bukës bazuar mbi ligjin 7501, me synimin e përfundimit të këtij procesi brenda tre vjetësh, do ta bëjnë vitin e ardhshëm një vit plot punë të dobishme për fshatin.

Rimarrja e kontrollit mbi pasuritë tona kombëtare, lufta e nisur pa kompromis kundër grabitësve të naftës e të mineraleve, reforma e domosdoshme ligjore në këtë drejtim si edhe nxjerrja e përfitimeve të drejta për shoqërinë nga shfrytëzimi i këtyre pasurive, sapo kanë nisur dhe do të vazhdojnë me përparësi vitin e ardhshëm.

Vendosja e një rendi të ri ligjor mbi sistemin elektroenergjitik, sigurisht duke nisur nga pagesa një për një e faturave të prapambetura të vet qeverisë dhe shtetit, është një objektiv për të cilin jemi përgatitur në 100 ditët e para, dhe do ta ndjekim hap pas hapi gjatë vitit të ardhshëm, së bashku me racionalizimin e gjithë kuadrit të investimeve dhe të ecurisë së përgjithshme të këtij sektori jetik për ekonominë.

Shqiptarët që mbijetojnë në zonat informale dhe presin prej vitesh të tëra të legalizojnë shtëpitë e tyre, do të prekin frutet e para të mundimeve të tyre të mëdha dhe rezultati i 23 qershorit do të jetë për shumë prej tyre, rezultati konkret i përfundimit të një kalvari të stërmundimshëm në rrugën e gënjeshtrave dhe të korrupsionit mbytës me legalizimet. Janari do të shënojë çeljen e një procesi tanimë të përgatitur për jetësimin e zotimit tonë për t’i dhënë fund njëherë e mirë, brenda tre vjetësh, kësaj historie të dhimbshme, duke krijuar kushte të reja ligjore dhe nisur dhënien në masë gjatë vitit 2014 të çertifikatave të pronësisë mbi shtëpitë e tyre.

S’ka dyshim se ky vit mbyllet nën shenjën e një kujdesi të rilindur ndaj trashëgimisë kulturore dhe kulturës në tërësi; vendosja e ndalimit të ndërtimeve të reja në Gjirokastër, Berat dhe Krujë, është vetëm fillimi i një rruge të re shpëtimi të pasurisë sonë shumë të dëmtuar kulturore.

Besoj se 100 ditët e para mjaftojnë për të nënvizuar se liria mediatike dhe editoriale në këtë vend, nuk është më e kërcënuar nga dhuna e ftohtë e pushtetit, nga gjobat dhe nga presionet mafioze të taksidarëve të pushtetit, ndërkohë që padyshim ndryshimi i madh i 23 qershorit ka hapur një epokë të re edhe në marrëdhëniet e njeriut me shtetin, për sa i takon lirisë së shprehjes dhe të protestës. 

Episodi i armëve kimike tregoi qartë se qeveria e re e Shqipërisë, mund të jetë një partner i mirë ndërkombëtar për të mirën e përbashkët të botës ku jetojmë, po edhe një mbrojtës i sigurt i interesit qytetar të njerëzve të këtij vendi.

Të dyja këto anë të së njëjtës medalje, karakterizuan edhe përpjekjen tonë për statusin e kandidatit, në kushtet e vështira të një trashëgimie aspak të favorshme dhe të një kohe shumë të shkurtër në dispozicion nga mesi i shtatorit, kur hymë në qeveri, në mesin e dhjetorit, kur vendet anëtare u shprehën për kërkesën e Shqipërisë.

S’ka asnjë dyshim se mosdhënia e statusit kandidat për Shqipërinë, nuk ishte vendimi më i mirë që Bashkimi Europian mund të merrte për vendin tonë këtë dhjetor.

Por po ashtu s’ka dyshim se ishte fare e qartë, që hapat e qeverisë sonë u vlerësuan me notat më pozitive nga Bashkimi Europian. Pjesë e këtij vlerësimi, ishte edhe përcaktimi si asnjë vit më parë, i qershorit e jo i dhjetorit të ardhshëm, si koha për vendimin e mundshëm përfundimtar.

Viti i ardhshëm do të jetë viti i vazhdimit me vendosmëri në rrugën e integrimit dhe ne do të bëjmë ashtu siç duhet gjithçka që Shqipërisë i takon të bëjë. Le të shpresojmë se rezultati i qershorit do të varet kryekëput nga puna jonë dhe nuk do të ndikohet dot, siç ndodhi fatkeqësisht këtë herë, nga influenca e disa forcave ekstremiste në Europë të cilat s’kanë asgjë të përbashkët me idealin e me vlerat e Bashkimit Europian.

Si kryeministër i këtij vendi, nuk do të gjej dot kurrë fjalët e mjaftueshme për t’i falenderuar njerëzit për nderin e madh që më bënë duke më besuar këtë rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e një rruge të re për Shqipërinë.  Por dua t’i siguroj të gjithë se asnjë minutë në kryerjen e kësaj detyre kaq të lartë, nuk më kalon pa vetëdijen se detyra është e imja kurse pushteti është i njerëzve që ma besuan detyrën e kryeministrit. Dhe si kryeministër u them të gjithëve se rrugën e re as unë, dhe as i gjithë kabineti ynë, s’mund ta ndërtojë dot pa mbështetjen, ndihmën dhe mirëkuptimin e tyre. Prandaj i ftoj të gjithë të ndjekin debatet tona dhe të marrin pjesë aktivisht në to, për t’i dhënë politikës gjithnjë e më shumë përmasën e ëndrrave, shpresave, nevojave e shqetësimeve të tyre.

Lejomëni t’ju kujtoj se sot një vit më parë, jetonim në një vend ku kryeministri përdorte oborret e shkollave për mitingje kundër opozitës; ku sipërmarrësit as nuk ftoheshin nga qeveria të jepnin mendimet e tyre për ekonominë dhe për projekt-buxhetin dhe as u shkonte ndërmend të uleshin me opozitën për të qarë hallet e tyre; ku kush punonte në shtet, ulte kokën dhe fshihte mendimet e veta nga frika se humbte vendin e punës; ku popullit i thuhej se duhet të ishte i lumtur për qeverinë që kishte dhe për Shqipërinë që ishte e dyta në botë pas Gjermanisë në ekonomi dhe në standarte jetese; ku parlamenti ishte arena e konfliktit dhe e moslejimit të opozitës për të marrë fjalën sa herë e kërkonte.

Ka kaluar vetëm një vit dhe duket sikur në fakt ka kaluar një jetë, nga ajo kohë që nuk është më. Kjo dhe padyshim, shpëtimi i vendit nga një përflakje e dytë në dhimbjet e parave të humbura dhe borxheve të padurueshme, po është merita ekskluzive e atyre 1 milionë shqiptarëve që morën në dorën e tyre fatin e Shqipërisë. Ky vit, 2013-ta, është viti i tyre. 

Faleminderit për vëmendjen dhe tani është koha që gjithë përfaqësuesit e shtypit të bëjnë gjithë pyetjet që kanë në zemër për vitin 2013.

 Pyetje Përgjigje:

Zoti Kryeministër, nëse në qershorin e vitit të ardhshëm, Shqipëria nuk arrin të marrë statusin e vendit kandidat sikurse ju thatë, a do të mbajë përgjegjësi kjo qeveri, ju dhe ministrat tuaj?

E dyta, a do të vazhdojë situata me prishjet e ndërtimeve pa leje dhe vendosjen e kontrollit mbi territorin, sikurse keni thënë, sidomos në zonat bregdetare?

Qeveria do të mbajë përgjegjësi për gjithçka i takon qeverisë. Ne do të bëjmë gjithçka që ne na takon që qershori të jetë momenti i vendimit të duhur për Shqipërinë. E ritheksoj, mbetemi me shpresë që ato forca ekstremiste që këtë herë ndikuan në vendimmarrjen e padëshiruar të mos kenë ndikimin që patën këtë herë dhe Shqipëria të vlerësohet për atë që është dhe për atë që meriton dhe të mos kthehet në peng zhvillimesh dhe interesash që nuk kanë asnjë lidhje me rrugën tonë të integrimit europian dhe me përmbushjen e detyrave tona.

Për sa i përket pyetjes së dytë, është një pyetje retorike, sepse pa asnjë pikë dyshimi, ne do të vazhdojmë me betejën për të rimarrë tërësisht kontrollin mbi territorin. Do të vazhdojmë me shembjen e ndërtimeve të paligjshme që pengojnë zhvillimin e Shqipërisë evropiane, e Shqipërisë turistike, e Shqipërisë normale. Është pak por e sigurt, që shembjet, edhe ato më spektakolaret, janë vetëm fillimi i një vazhde që nuk do të ndërpritet në vitin 2014.

Zoti kryeministër, ka pak ditë që është miratuar buxheti për vitin 2014, mes dilemash dhe diskutimesh, sigurisht. A ka ndonjë shpresë për shqiptarët që pas një viti kalendarik ta ndjejnë veten më mirë ekonomikisht, meqenëse ka pasur shumë dilema për taksën progresive, për biznesin, për sipërmarrjen dhe për të gjitha pikëpyetjet që është e natyrshme të ngrihen, pas një analize tjetër që ju i bëtë mënyrës së orientimit të taksave të shqiptarëve?

Faleminderit! Unë nuk besoj se dilemat i kanë pasur shqiptarët. Shqiptarët, pa asnjë dilemë, kanë votuar në 23 qershor për të paguar më pak, kur fitojnë më pak. E, pa asnjë dilemë, Kuvendi ka ratifikuar shprehjen e vullnetit të tyre në 23 qershor. 97 % e kontributorëve në arkën e shtetit do të paguajnë më pak taksa. Këtë thonë shifrat dhe, sigurisht, kjo do të çojë më shumë para për konsumin e tyre familjar.

Nga ana tjetër, viti 2014 do të jetë, padyshim, viti i fillimit të rimëkëmbjes ekonomike. Do të kemi një rritje ekonomike më të lartë me një trajektore të sigurt rritjeje, vit pas viti, për 4 vitet e këtij mandati. Sigurisht, që viti 2014 do të jetë një vit ku gjithkush do të ndjejë efektet e para të dobishme të politikës sonë të re ekonomike dhe të politikës sonë të re të taksimit të ndershëm. Ata që deri sot kanë mbajtur barrën e pabarazisë që ka në vetvete taksa e sheshtë, me siguri do ta bëjnë lehtësisht diferencën, sapo të fillojnë të shohin se sa para reale do të mbeten në xhepat e tyre nga ulja e taksave.

Zoti Kryeministër, më lejoni ju lutem një pyetje për bashkëpunimin me opozitën. Bashkimi Evropian, populli shqiptar, të gjithë e kërkojnë një bashkëpunim, një mirëkuptim, në çdo hap, me opozitën në Parlament. Cili është projekti juaj? Cilat do jenë përpjekjet tuaja në vitin në vazhdim për të siguruar këtë mirëkuptim, me gjithë fitoret e thellë që keni me gjithë mazhorancën dhe koalicionin e fortë që keni në Parlament?

Fitorja e thellë na ka bërë thellësisht të vetëdijshëm se njerëzit nuk kanë votuar thjesht për të zëvendësuar disa me disa të tjerë, por kanë votuar për një ndryshim rrënjësor. Ne jemi bërë zëdhënës të një ndryshimi rrënjësor në të gjithë drejtimet. E, besoj jemi bërë zëdhënës të një ndryshimi rrënjësor edhe në raport me opozitën. Mjafton të shikoni se sa kohë flet kryeministri dhe sa kohë flet lideri i opozitës, për të kuptuar që opozita ka prioritet absolut në jetën parlamentare.

Nga ana tjetër, sigurisht që ne jemi të gjithëvullnetshëm të dëgjojmë çdo gjë që thotë opozita, por jemi po aq të gjithëvullnetshëm të udhëheqim. Ne do të dëgjojmë dhe do udhëheqim. Kjo është deviza jonë.

Zoti Kryeministër, a mund të jepni më shumë detaje a ka një hendek midis premtimit të legalizimeve falas dhe nismës konkrete të qeverisë suaj në këtë proces? Ku ndalon lapsi i llogarisë falas? Ky proces ka edhe një anë tjetër të medaljes që janë pronarët. A ka menduar qeveria për pronarët që preken nga legalizimet?

Duhet vetëm të keni pak durim, besoj mijëra herë më pak durim se ata që kanë duruar gjithë këto vite për të legalizuar shtëpitë dhe të prisni janarin, kur ne do të shpallim platformën tonë të re të legalizimeve, që është në përputhje të plotë me zotimin tonë. Pa asnjë dyshim, procesi i legalizimeve do të fillojë mbi zotimin tonë dhe do të zhvillohet në përputhje të plotë me zotimin tonë, duke u dhënë të gjithë atyre që kanë shtëpitë e tyre në zonat informale, e theksoj këtë, në zonat informale, mundësinë që të marrin certifikatën përfundimtare të pronës së tyre, pavarësisht kushteve në të cilat ndodhen. Pra, legalizimi falas nuk është një premtim elektoral, është një zotim mbi të cilin ngrihet e gjithë platforma jonë e re e legalizimeve.

Për sa i përket pronarëve dhe marrëdhënies së zotëruesve të truallit mbi të cilin është ngritur shtëpia, me pronarët, edhe këtë do ta përcaktojë qartë platforma e re e legalizimeve.

Gjatë vitit 2014 a do ta realizoni premtimin elektoral për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit? Pyetja e dytë, mazhoranca juaj qeverisëse, gjatë vitit të ardhshëm, a do të përfshihet në ndryshime kushtetuese?

Agjencia Kombëtare e Bregdetit kërkon një bazë ligjore tërësisht të re. Jemi pothuajse në përfundim dhe me fillimin e vitit të ardhshëm, Parlamenti do të miratojë krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe, praktikisht, çeljen e një kapitulli të ri në administrimin e kësaj pjese jashtëzakonisht të rëndësishme të pasurisë sonë kombëtare, që është bregdeti.

Ne nuk kemi asnjë objektiv për ndryshime kushtetuese si qëllim në vetvete. Kemi të domosdoshme një reformë rrënjësore të drejtësisë, e cila mund të kërkojë ndryshime kushtetuese dhe ne jemi të gatshëm që t’i bëjmë ato ndryshime, në rast se projekti i reformës do t’i kërkojë.

Kisha dy pyetje për të bërë. E para, duke e pranuar, unë të paktën, se ju jeni një nga politikanët që flet më mirë në Shqipëri, do të doja të shihja më shumë shifra në atë që thoni. Duke ju dëgjuar me vëmendje, unë kam regjistruar vetëm dy shifra një milion shqiptarë dhe 97% e taksapaguesve. Shifra e parë nuk mendoj se është e qartë, duhet azhornuar, sidomos pas aleancave të fundit të krijuara, duhet të jetë më e madhe, duhet ta ketë kaluar këtë numër. Megjithatë kisha dëshirë të dëgjoja më shumë numra, më shumë shifra për të konkretizuar atë që ju thoni.

E dyta, unë kam ndjekur me vëmendje problemin e emërimeve dhe largimeve nga puna dhe kam në dorë një poezi të Dritero Agollit që thotë Kali dhe gomari. Besoj ju e dini mirë përmbajtjen……….

Pyetja është për kalin, për gomarin apo për mua?

Jo, ju jeni në rolin e fshatarit. Të lutem i thotë kali, vër gomarin mbrapa, mua të parin dhe  bjeri gomarit, jo mua. Ju çfarë do bëni për të realizuar këtë. Pra, pyetja e parë është, çfarë është e mundur të bëjmë që të kemi më shumë shifra kur ju flisni dhe e dyta, çfarë do bëjmë për të pasur kalin përpara dhe gomarin mbrapa.

Sa i përket të parës, besoj se shqiptarët kanë dëgjuar shumë shifra këto 3-4 ditët e fundit dhe në paraqitjen time unë nuk u përqendrova tek shifrat, aq më tepër pastaj se besoj që shumë shifra vrasin kuptimin e asaj që thuhet.

Ndërkohë që përsa i përket kalit dhe gomarit, jam i bindur që edhe pse ju më bëtë komplimentin që flas më mirë se shumë të tjerë, kush ishte këtu para meje ishte më kompetent, qoftë për kuaj, qoftë për gomerët. Unë s’e kam atë kompetencë, kështu që do mendohem e do t’i referohem atyre që kanë më shumë njohuri dhe këtë përgjigje do t’jua jap në konferencën e fundvitit tjetër.

Një pyetje që lidhet me integrimin dhe një pyetje tjetër që lidhet me rajonin. E para, presidenca e BE-së dihet që 6 muajt e ardhshëm do të kontrollohet nga Greqia. Plani i saj është që brenda 2014 të përfundojë çështjen e kufirit detar, që ju e keni kundërshtuar kur u miratua nga qeveria e kaluar dhe më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Mendoni se mund të ketë një problem të përsëritur, ashtu sikundër pati kundërshtime në mbledhjen e fundit të dhjetorit, mund të vendoset vetoja nga Greqia, në qoftë se nuk do të jetë e kënaqur nga ndarja e kufirit detar?

Së dyti pyetja për rajonin, ju keni deklaruar se Turqia është shpallur një partner strategjik i qeverisë suaj. Çfarë përfitimesh mendoni se mund të keni nga ky partneritet në terma konkrete, në dobi të qytetarëve të paktën për vitin 2014?

Sa i përket të parës, modestish do t’i bëja një redaktim. Kush ka presidencën e radhës nuk kontrollon Bashkimin Evropian, por thjesht koordinon Bashkimin Evropian. Nuk besoj që çka përbën një çështje të axhendës së marrëdhënieve dypalëshe, mund të kthehet në një çështje të Bashkimit Evropian me një vend. Aq më tepër pastaj, që ne e kemi thënë dhe unë e përsëris: Ne jemi të hapur të trajtojmë çdo çështje të axhendës të marrëdhënieve dypalëshe, duke respektuar të drejtën e palës tjetër për të konsideruar çështjen në fjalë dhe duke kërkuar që të respektohet edhe e drejta e jonë për të konsideruar edhe disa çështje të tjera, të cilat janë çështje që kërkojnë zgjidhje. Nuk po i përmend këtu, ato dihen dhe janë çështje që, në frymën e kohës së re që jetojmë për rajonin, meritojnë të zgjidhen për të mos qenë më përpara nesh, në rrugën e përbashkët drejt të ardhmes.

Për sa i përket Turqisë, e panatyrshme ka qenë koha kur Turqia nuk konsiderohej partner strategjik. Konsiderimi i Turqisë partner strategjik është krejt i natyrshëm, në kontekstin e një influence të pamohueshme që Turqia, ashtu si Italia dhe Greqia, kanë për rajonin tonë. Nëse ju me pyetjen tuaj nënkuptoni se çfarë përfitimesh të drejtpërdrejta monetare ka ky partneritet, unë do ju thosha se partneritetet strategjike nuk janë si pazaret “më jep, të jap”, por janë shumë më tepër se kaq. Pa asnjë dyshim, përfitimet e Shqipërisë, në kuadrin e partneritetit strategjik me Turqinë, me Italinë apo me Greqinë, janë të mëdha. Janë të mëdha si për çdo vend tjetër të rajonit, besoj unë.

Kam një pyetje në lidhje me transparencën publike. A ka ndonjë arsye pse qeveria juaj refuzon të publikojë vendimet e Këshillit të Ministrave në faqen e vet zyrtare? Në mënyrë të përsëritur nuk i publikon, ose publikon vetëm titullin e tyre. Ju faleminderit!

Unë e përjashtoj këtë dhe besoj që mund të jetë diçka që mund të ketë ndodhur në një rast, që është thjesht një përjashtim që e përforcon rregullin që çdo vendim i qeverisë pasqyrohet menjëherë në faqen e vet zyrtare. Kjo ndodh gjithmonë dhe pa asnjë përjashtim. Nëse nuk ka ndodhur, me siguri ka qenë thjesht arsye teknike. Ju do të më ndihmonit në qoftë se do të më referonit ndonjë vendim, ku mungesa e transparencës ka qenë e lidhur me përmbajtjen e vendimit si dyshim, por nuk ka të tilla. Pra, është thjesht mangësi e natyrës teknike.

Ju i jeni referuar duke pasur parasysh refuzimin e statusit, rrymave politike potencialisht të fuqishme, ekstreme, të cilat ndikuan në këtë përgjigje, pjesë e të cilës janë edhe paragjykimet për shkak të çështjeve të fesë, apo dhe anëtarësimeve që Shqipëria ka në forume të caktuara. A ka qeveria juaj ndonjë plan për të iniciuar në të ardhmen lëvizje për ta tërhequr Shqipërinë nga Konferenca e Vendeve Islamike?

Pyetja e dytë, përtej vullnetit të dukshëm politik për të bashkëpunuar mes faktorit shqiptar në rajon, kryesisht Kosovës, duke qenë se edhe mbledhjen e parë të vitit të ardhshëm do ta bëni në Prizren, në praktikë biznesi në Kosovë ka patur shumë vërejtje për krijim barrierash të reja në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë, buruar edhe nga paketa e re fiskale. A ka ndonjë përplasje mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet, përsa i përket bashkëpunimit ndërshqiptar në rajon. Faleminderit. 

Po e filloj nga e dyta. Unë nuk e di kujt i referoheni kur flisni për barriera të reja. Nuk ka asnjë barrierë të re. Di që ka pasur një diskutim lidhur me birrën “Peja”, në kuadrin e dy niveleve të akcizës së birrës. Por, nga ana tjetër, ne i jemi përmbajtur në konformitet të plotë direktivës së Bashkimit Evropian dhe kemi mbajtur dy nivele, duke ndryshuar një situatë paksa qesharake dhe duke e normalizuar nga pikëpamja ligjore, trajtimin e produkteve vendase me produktet e importit, konform direktivës së Bashkimit Evropian.

Sa i përket pastaj, asaj që ne do të bëjmë, ju siguroj se me mbledhjen e parë të dy qeverive shënohet dhe fillimi i bashkëqeverisjes strategjike mes dy shteteve tona. Dy shtete shqiptare në rajon, që i ndan një kufi, të cilin ne e konsiderojmë të pandryshueshëm si shprehje e besës që i kemi dhënë komunitetit ndërkombëtar, por që nga ana tjetër do ta bëjmë të padukshëm në ndërtimin e politikave të përbashkëta strategjike, në të mirë të shqiptarëve po njësoj, në Shqipëri dhe në Kosovë, por besoj edhe si model bashkëpunimi në rajon.

Kurse referuar atyre forcave ekstremiste, ato janë një problem i Bashkimit Evropian, janë një çështje shqetësuese për Bashkimin Evropian, janë burime të një politike që i bie ndesh idealit dhe vlerave të Bashkimit Evropian. Nuk na takon dhe nuk është në fuqitë tona që ta trajtojmë dhe zgjidhim çështjen e tyre, por ajo çka na takon është të bëjnë ne maksimumin tonë, që çështja jonë e integrimit të mos pengohet prej tyre. Sigurisht, dhe ju falënderoj, që ju e nënvizuat në pyetjen tuaj, ata nuk e fshehin, s’kemi pse e fshehim dhe ne, që përkatësia e një pjesë të popullsisë sonë ndaj fesë myslimane, prej tyre konsiderohet si problem. Ndërkohë që, përsa më takon, fakti që Shqipëria është një vend multireligjioz dhe i bashkëjetesës në harmoni mes feve është një vlerë e shtuar për ne. Jo vetëm që unë dhe besoj të gjithë bashkë duhet t’i neverisim këto forca dhe këto pikëpamje, por me krenari për këtë vlerë dhe për këtë harmoni, që ne e shprehim zakonisht kur kemi festat tona fetare, ne duhet t’i shohim në sy të gjithë dhe t’ju themi se ne nuk lejojmë askënd që të stigmatizojë Shqipërisë si të tillë apo si të atillë. Shqipëria është një vend evropian, i përket Evropës qysh në krye të herës dhe në programin tonë të rilindjes, jo rastësisht, ne kemi folur për ribashkim me Evropën.

Zoti kryeministër, në këto 100 ditët e para ju keni bërë një çertifikim të borxhit, por nuk keni bërë një çertifikim të ekonomisë informale. Agjenci të huaja prestigjioze, e çertifikojnë atë në masën e 60 %, që do të thotë se 40 %-i që paguan dhe është e rregullt, paguan edhe për pjesën tjetër. Ku do ta çoni ekonominë informale në fund të këtij viti apo në fund të 4 vjeçarit? Pyetja e dytë, në pozitat tuaja, si kryetar i opozitës, ju keni propozuar hapjen e një shkolle apo dhe të një materniteti në Preshevë. Ku ndodhet ky propozim, sot që jeni dhe në qeveri? Ju faleminderit!

Faleminderit! Po e filloj nga e dyta. Në mbledhjen e parë të bashkëqeverisjes strategjike, një nga vendimet do të jetë akordimi i një fondi për maternitetin e Preshevës. Është një fond i paraparë prej nesh, i paraparë edhe nga qeveria  e Kosovës dhe bashkërisht do ta akordojmë. Por, meqë gazeta “Panorama” e kërkon panoramën gjithmonë para kohe, nuk po ju privojmë nga kjo panoramë, duke ju uruar dhe juve “Gëzuar Vitin e Ri!” dhe një panoramë sa më të shëndetshme, edhe për vetë “Panorama”-n, se borxhet janë një problem i të gjithëve, nuk janë vetëm një problem i qeverisë.

Ndërkohë që, përsa i përket ekonomisë informale, padyshim ky është problem kryesor. Unë e kam dëgjuar me shumë vëmendje edhe përpjekjen e përfaqësuesve të biznesit për ta shmangur tatim-fitimin 15 %, me argumentin që “le te formalizojmë njëherë ekonominë”, pastaj ne jemi gati të paguajmë, ata thanë dhe 20 %, por besoj e thanë më shumë për të theksuar argumentin e tyre. Sigurisht, kjo është pjesë e planeve tona dhe për vitin e ardhshëm, edhe e bashkëpunimit tonë me biznesin, në kuadër të një pakti me shkrim, që ne po përgatitemi ta bëjmë me biznesin. Nuk mund të premtojmë që në fund të viti 2014, në Shqipëri nuk do të ketë më ekonomi informale, por mund të premtojmë që do të kemi me shifra të prekshme dhe të verifikueshme, rritje të formalizimit të ekonomisë. Se në ç’masë? – këtë do ta shikojmë vetëm në fund të vitit të ardhshëm.

Pyetja ime vjen për mbledhjen e parë të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Kjo mbledhje do të jetë në kuadrin e një strategjie të mirë apo le të themi të projekteve konkrete? Nëse po, cilat do të jenë ato? A mund të na zbardhni ndonjë?

Zakonisht vendimet zbardhen pas mbledhjeve. Ju jeni të gjithë të ftuar në Prizren, ku së bashku me kryeministrin e Kosovës, pas mbledhjes, do të bëjmë zbardhjen me gojë të gjithë vendimeve të mbledhjes, që pastaj do të zbardhen, sigurisht, edhe me shkrim.

Ju dëgjova me vëmendje në nisje të fjalimit tuaj, që filloi me reformën në drejtësi. Çfarë do të bëni ju, ndryshe nga qeveritë e kaluara, të cilat, gjithashtu e kanë patur reformën në drejtësi një pjesë të rëndësishme. A do të fillojë kjo reformë me një kërkesë për shkarkimin e Presidentit Bujar Nishani? Pyetja e dytë ka të bëjë me institucionin e KQZ, i cili vijon të jetë me 4 anëtarë. A do të kemi një reformim të këtij institucioni apo do të kemi një rishikim të Kodit Zgjedhor?

Zakonisht ngarkimet dhe shkarkimet vijnë pasi bëhet reforma, nuk vijnë para reformës dhe nuk quhen reformë, por quhen zbatim i reformës. Kështu që, besoj se i dhashë përgjigje dhe pyetjes suaj, edhe pse nga ana tjetër është e vërtetë që të gjitha qeveritë e kanë patur prioritet, jo vetëm drejtësinë; kanë patur prioritet integrimin; kanë patur prioritet formalizmin e ekonomisë; kanë patur prioritet liritë dhe të drejtat e medias. Të gjitha i kanë patur prioritet, problemi është se çfarë kanë bërë. Ne jemi të gatshëm dhe jo të gatshëm sepse e kemi prioritet, por jemi të gatshëm me një dokument të përgatitur nga ministri Drejtësisë për t’u bërë pjesë e procesit të reformës në drejtësi, që nuk është si reforma e sistemit të taksave, ekskluzivitet i qeverisë, por është shumë më tepër se kaq; Kërkon një përfshirje të plotë të shumicës parlamentare dhe të opozitës mundësisht, në Kuvend. Kërkon një përfshirje të njerëzve brenda sistemit që janë të interesuar ta reformojnë sistemin. Kërkon një përfshirje të shoqërisë civile, të medias, padyshim të partnerëve ndërkombëtarë. Ne jemi të gatshëm të luajmë rolin tonë dhe ta luajmë rolin tonë me gjithë detyrimin dhe kompetencën që na takon.

Në një intervistë dhënë për gazetarin Mustafa Nano, pak kohë më parë, keni deklaruar se statusi nuk i është dhënë Shqipërisë edhe për shkak të videos Meta-Prifti. I qëndroni ende kësaj deklarate? Pyetja e dytë, për afro tre muaj ju kemi parë të merreni me rikonstruksionin e godinës së kryeministrisë dhe shumë mirë bëni. Por, në pjesën ballore të kësaj godine shohim që keni dalë pak nga territori ekzistues, pra i keni marrë disa centimetra, le të themi, apo metra, trotuarit të qytetarëve. Keni marrë ju leje për këtë zoti Kryeministër dhe a është zhvilluar tender për këtë gjë? Nëse jo, kush është ai donator që ju ka dhënë një shumë të tillë parash për të bërë një financim të tillë.

E para përgëzime për kompetencat, si polici ndërtimore, që keni marrë. Në fakt, si njohës të ndërtimeve pa leje, juve dini mirë të dalloni se ku fillon një me leje dhe ku mbaron një pa leje. Por, ju siguroj që në restaurimin e pjesës së përparme, siç e quajtët ju, nuk ka mbrapa asgjë. Është thjesht ajo që duhet bërë për të patur një mjedis të pastër dhe të mirëmbajtur, pas një periudhe të gjatë pisllëku edhe dëmtimesh. Nga ana tjetër, ju u referuat TV Ora News dhe aq afër sa e keni mund ta kishit parë shumë më mirë se ç’e kanë parë të tjerët intervistën time. Referenca që ju bëni është tërësisht e pavërtetë. Unë kam thënë të kundërtën. Por, duke qenë se ju jeni këtu për të informuar të kundërtën, unë nuk ua marr për keq. Është pjesë e zgjedhjes suaj dhe unë e respektoj plotësisht. E rëndësishme është që sot KLAN-i dhe çdo televizion tjetër është i lirë të bëjë zgjedhjen e vet dhe nuk ndodh si deri dje, me ata që zgjedhjen e tyre për të qenë përballë qeverisë e paguan shumë shtrenjtë. E vetmja faturë, që juve do u duhet të paguani, dhe këtë e merrni përsipër vetë, është në raport me publikun. Në raport me qeverinë, jeni të lirë të bëni çfarë të doni.

Duke qenë se vitin që vjen fillon ndërtimi i infrastrukturës, në kuadër të projektit TAP, çfarë masash do të marrë qeveria në gazifikimin e Shqipërisë, duke mos e lënë Shqipërinë thjesht si një vend tranzit?

E vërteta është që ne e kemi përgëzuar qeverinë paraardhëse dhe unë personalisht e kam shprehur edhe përgëzimin për paraardhësin tim, lidhur me marrëveshjen ku Shqipëria u përfshi për TAP-in. Por, po kaq e vërtetë është që duke i parë nga brenda zhvillimet dhe duke parë marrëveshjen e bërë nga ne dhe nga vendet e tjera, qeveria paraardhëse ka bërë marrëveshjen më diskriminuese të mundshme për vendin. Pra, nuk ka arritur dot të bëjë një marrëveshje, ku Shqipëria të merrte përfitimet që marrin edhe vendet e tjera nga pjesëmarrja në këtë projekt. Sigurisht, marrëveshjet janë marrëveshje. Ne do të bëjmë çmos, që të rikuperojmë sa të mundemi, ndërkohë që pjesën e kryer, ne s’mundemi, veçse ta zbatojmë. Por, përshembull, qeveria nuk ka bërë asgjë më parë, për të përfshirë edhe gazifikimin e Shqipërisë në këtë marrëveshje. Qeveria nuk ka bërë asgjë më parë, për të përfshirë edhe Kosovën në këtë marrëveshje. Këto janë dy pika, që ne i kemi objektiv dhe do të bëjmë çmos që t’i realizojmë hap pas hapi, në bashkëpunim, sigurisht me partnerët e tjerë në këtë marrëveshje.

Do të doja edhe njëherë t’i riktheheshim edhe në një moment tjetër statusit. A mos ndoshta po konsiderohet si një justifikim shqiptar, çështja e Holandës? A është Holanda aq e fuqishme sa të bindë edhe dy vende të tjera tejet të rëndësishme në BE, për të mos akorduar statusin për Shqipërinë? Pyetja e dytë, keni vendosur një standard të ri që në fjalimin tuaj të fitores falënderuat dhe uruat njëkohësisht kundërshtarin tuaj politik. Jemi në prag festash. A keni një urim edhe për kundërshtarin tuaj? Ju faleminderit!

Kam një urim për opozitën në fakt, se kur themi për kundërshtarin duket si njëjës, edhe pse opozita sot është njëjës, nuk është shumës. Por, unë e kam për opozitën që të jetë shumës, mos të jetë njëjës. Le të jetë viti 2014, viti kur opozita do ringjallet, sepse mbas zgjedhjeve praktikisht opozita është si ilustrim i asaj shprehjes së famshme të Biblës, “të vdekurit që merren me të vdekurit”. Është një urim shumë i sinqertë, sepse realisht besoj nuk është në të mirën e vendit, por nuk është as në të mirën tonë si qeveri, që i gjithë parlamenti të ketë vetëm një program. Qoftë shumica, qoftë opozita të kenë vetëm një program, programin e qeverisë. I gjithë parlamenti të flasë vetëm për një program, për programin e qeverisë. I gjithë diskutimi të bëhet vetëm për një program, atë të qeverisë, dhe nga ana e opozitës të mos ketë alternativë, sepse s’ka program, s’ka ide alternative, por vetëm si të thuash, një monitorim të programit tonë. Ne, sigurisht, nuk jemi këtu për të rindërtuar opozitën, por urojmë megjithë zemër rindërtimin e opozitës, sepse kjo na bën dhe ne me të fortë.

Ndërkohë që, për sa i përket Holandës, do thoja unë, kjo është një çështje që nuk ka shumë vend për të debatuar, sepse është e qartë që vendet e përfshira së fundi nën ndikimin e atyre forcave, i kanë ato forca brenda vendit të tyre. Nuk është thjesht çështja e një partie në Holandë. Janë disa parti në Evropë, të cilat predikojnë fundin e Bashkimit Evropian, predikojnë daljen nga euro, predikojnë sovranitet mbi Bashkimin Evropian dhe kështu me radhë. Kështu që, ky është fakt, s’është një shpikje e jona.  

Ashtu sikundër, i keni parë dhe i keni dëgjuar vetë edhe çfarë thonë pastaj për Evropën, si klub ekskluziv kristian apo për ne, si një vend mysliman dhe për këtë i papranueshëm në Evropë. Këto janë shprehje të rrezikshme, të një rreziku që e kërcënon vetë Bashkimin Evropian. Sot për sot, është një rrezik që nuk ndikon drejtpërdrejt në fatet e Bashkimit Evropian, por kjo nuk është e thënë që të mos kthehet në një rrezik real që mund të sjellë transformime të atilla dhe të padëshirueshme, që ta vinin vetë Bashkimin Evropian në një pikëpyetje më të madhe. Kjo është një çështje më e madhe sesa ne, por është një çështje e njohur nga të gjithë. Megjithatë, ne do të vazhdojmë me besim dhe bindje të plotë rrugën tonë të integrimit, sepse Shqipëria Evropiane, për ne, është amanet i të parëve tanë dhe nuk është një taktikë e kohës që jetojmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura