“Fitore spektakolare e Izrael-USA ndaj sulmit të Iranit”

Apr 23, 2024 | 8:11
SHPËRNDAJE

piro ahmetaj 1GJENERAL PIRO AHMETAJ

Siç është botërisht e njohur, mbrëmjen e së premtes datë 13, duke u gdhirë e shtunë 14 prill 2024, një sulm/shi me 300 raketa dhe dronë vrasës goditën brutalisht hapësirën ajrore (territoriale) të Izraelit. Nga ky sulm ushtarak i paralajmëruar i Shtetit Islamik të Iranit u testuan dhe sprovuan jo vetëm aftësitë luftarake të mbrojtjes ajrore të Izraelit, por edhe besimi te fuqia e pamposhtur e flotës ajrore të USA dhe UK.

Në “kapacitetin e ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s”, kam ndjekur me vëmendje të shtuar dhe në vijim po paraqes një përmbledhje me vlerësime, mësimet e nxjerra, impaktet si dhe rekomandime gjeopolitike rreth këtij sulmi ushtarak:

I. Pesë mësimet/mesazhet gjeopolitike nga humbja e Iranit si dhe fitorja spektakolare e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit si dhe fuqia flotës Ajrore të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/UK/BE):

Mësimi nr.1: Mbas sulmit barbar, u konfirmua se 99% e raketave dhe dronëve vrasës të Iranit u asgjësuan nga Forcat Ajrore të Izraelit si edhe nga flota ajrore/ avionët e gjeneratës së fundit të SHBA, UK, etj..

Përtej ‘show’-t mediatik mbi pjesën spektakolare të përballjes së suksesshme të Izraelit të mbështetura nga USA/UK, profesionalisht jam ende i surprizuar, pasi shifra 99% e raketave dhe dronëve vrasës të asgjësuara në ajër kapërcen të gjitha historitë, skenarët, pritshmëritë dhe doktrinat e luftës.

E gjej surprizuese këtë shifër (99%) dhe profesionalisht besoj se ishte: “një kurth i mirëplanifikuar dhe mirëkoordinuar i shërbimeve të Inteligjencës së USA, Izraelit, UK, NATO, ndaj qeverisë (mëndjendryshkur) të Teheranit”, me qëllim: “për t’u demonstruar 32 vendeve të NATO-s, Izraelit dhe mbarë botës, fuqinë ushtarake të pakonkurrueshme, të pamposhtur dhe shkatërrimtare të Aleancës Transatlantike”.

Mësimi nr.2: Sulmi ushtarak i Iranit ndaj sovranitetit të Izraelit u dënua nga USA, NATO, UK etj., duke e konsideruar si kërcënim jo vetëm për paqen e rajonit. Kjo mbështetje demonstron solidaritetin me Izraelin, si dhe kohezionin mes vendeve dhe vlerave demokratike dhe botës së qytetëruar. Duhet theksuar po ashtu se edhe OKB, edhe BE kërkuan sanksione shtesë për ta izoluar Iranin nga projektet bërthamore. Ndërsa prezenca ushtarake e SHBA, UK në rajon konfirmon mbështetjen pa kompromis të Izraelit edhe për shkak të një lobi të fortë Izraelit në vendimmarrjet e Uashingtonit dhe Londrës.

Për marrëdhëniet SHBA-Izrael po bëjmë edhe një koment shtesë: “Shumica dërrmuese e 195 shteteve të OKB (përfshi Kosovën) e kanë vetëshpallur SHBA aleat strategjik, ndërsa në dijeninë time Izraeli dhe Islanda mbeten ndër të vetmet shtete të konfirmuara nga Uashingtoni si aleat strategjik”. Shifrat flasin më fort se fjalët, dhe si shembull të kësaj “Aleance Strategjike” mund të përmendim se paketa e ndihmës ushtarake të USA ndaj Izraelit që prej themelimit/1948 kap shifrën rekord me 130 miliardë dollarë.

Nga ana tjetër, nga ky sulm barbar u identifikua edhe lista e vendeve që mbështetën Qeverinë Islamike të Iranit, si RusiaPutiniste, Koreja e Veriut, organizatat terroriste Houthi, Hezbollahu, Hamas, apo Dodikët mendjendryshkur dhe të korruptuar në Ballkanin Perëndimor etj.. Prandaj ky mësim (nr.2), mbart edhe një mesazh mbi domosdoshmërinë kritike, për t’u bashkëpunuar në rrafshin rajonal dhe global në luftën me të keqen e përbashkët, që mbeten shtetet apo organizatat terroriste të sipërpërmendura.

Mësimi nr.3: Ky sulm neonazist i Qeverisë Islamike të Iranit (300 raketa kundër një vendi sovran/Izraelit) edhe nëse nuk është planizuar “drejtpërdrejt nga Kremlini”, është shumë e sigurt që u shërben përpjekjeve të dëshpëruara të Rusisë Putiniste për të hapur një front të ri lufte krahas asaj në Ukrainë. Por dështoi me turp, ashtu si edhe në përpjekjen për ta tërhequr Kinën në luftë me Tajvanin; apo për ta frymëzuar Beogradin deri në aventurën e “ripushtimit ushtarak të Republikës së Kosovës, edhe pse prej Marrëveshjes së Kumanovës (1999), ajo mbetet ende nën përgjegjësinë e trupave të KFOR-it”!

Prandaj fitorja spektakolare e Izraelit dhe Aleancës Euroatlantike duke asgjësuar 99% të raketave dhe dronëve vrasës të Iranit i dha një mësim të madh posaçërisht edhe Putinit, që: “Nëse do të guxonte të kërcënonte dhe sulmonte qoftë edhe 1 metër të cilido nga 32 vendet anëtare, do të përballej, do të mposhtej dhe do të poshtërohej nga fuqia shkatërruese e Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/UK/BE)”.

Kështu, ky mesazh spektakolar force qëndron njësoj edhe për ish-ministrin e propagandës se Millosheviçit dhe ushtarin-kamikaz të Kremlinit (z. Vuçiç) që, “Serbia të mos armatoset duke harxhuar kot së koti mbi 1.3 miliardë në vit nga mundimet e popullit serb. Kjo pasi jo vetëm që asnjë nga vendet e rajonit nuk kërcënon Serbinë por s’ka as fuqi, pra as këllqe, për t’u përballur me vendosmërinë strategjike për të rritur aftësitë mbrojtëse të Kosovës (psh., pajisjen e FSK nga USA me 246 raketave Javelin); as me fuqinë e pamposhtur ushtarake të Aleancës Euroatlantike”.

Mësimi nr.4, përtej mendjeve të deformuara në Teheran, Kremlin, Korenë e Veriut, (përfshi në Ballkan) duke u përpjekur t’i japin dimension fetar apo “legjitimuar” sulmin barbar të Iranit ndaj integritetit të Izraelit, kurrsesi nuk kanë të përbashkët me vlerat e fesë Islame. Në fakt, frymëzuesit e Teheranit zyrtar e keqpërdorin fenë për axhendën politike duke diskredituar vlerat e besimit Islam, ndërsa është e mirënjohur se feja Islame mbjell paqe, tolerancë, mirëkuptim dhe bashkëjetesë paqësore etj..

Pikërisht për këtë arsye, mbas sulmit të dështuar me 300 raketa të Iranit mbi Izraelin, SHBA, UK, NATO dhe BE i kanë adresuar mesazhe të qarta Jerusalemit zyrtar që: “Të vetëpërmbahet në ushtrimin e së drejtës reciproke të shpagimit”. Kjo mbetet një “këshillë e mençur”, për t’i “çarmatosur propagandistët e Teheranit dhe jo vetëm”, për t’i cilësuar sulmet e Izraelit si: “fashiste ndaj popullsisë civile”. Pikërisht për këtë, z. Netanyahu ka konfirmuar se “do të vijojnë sulme ajrore, gjithsesi të kufizuara si dhe të precizuara vetëm ndaj infrastrukturave kritike/ushtarake të Iranit”! Ndërsa qendra e gravitetit të sulmeve të Izraelit do të vijojë ndaj terroristëve të pafe (Hamasit etj.), që në tetor 2023 masakruan qindra qytetarë të pafajshëm, therën si monstra fëmijë, morën si barbare robër pleq/gjyshër, gra dhe vajza etj., akte çnjerëzore!

Mësimi nr.5, për të tejkaluar keqkuptimet, ndoshta edhe cinike, më duhet ta përsëris se përtej rrethanave specifike që i janë imponuar Izraelit për mbijetesë, “ushtrimi i së drejtës së hakmarrjes proporcionale ndaj shteteve apo organizatave terroriste”, imponohet edhe si një sfidë e përbotshme, pasi: “Nëse terroristët e Hamasit, apo Shteti Islamik i Iranit do të gjunjëzonin (në mos shfarosnin) Izraelin, nuk do të krijonte kjo precedent fatal për sistemin e sigurisë dhe vlerat e qytetërimit në mbarë botën”?!

Ndërsa, për këdo egocentrik mendjendryshkur por të mirëpaguar, pyetja mbetet: “Nëse Izraeli dorëzohet dhe në një akt të ngjashëm kështu do gjunjëzohej edhe Uashingtoni, Londra, Berlini, Parisi dhe çdo vend demokratik ndaj shteteve ose organizatave terroriste, çfarë pasojash do të kishte kjo mbi shoqërinë njerëzore, harmoninë fetare, bashkëjetesën paqësore”?!

Situata në terren dhe historia e pasluftërave na mësojnë se rrugëtimi drejt paqes kërkon vizion, përkushtim dhe kompromise të mëdha. Siç dihet, konflikti izraelito-Iranian është një çështje shume komplekse, e shtrirë në dekada dhe që përfshin një mori faktorësh historikë, fetarë, kulturore, territorialë, identitetin kombëtar, interesa gjeopolitike, ekonomike etj..

Sigurisht, për të mbjellë klimën e bashkëjetesës paqësore do duhet të prevalojnë mekanizmat e diplomacisë dhe një akt faljeje mes Izraelit dhe vendeve të rajonit mbi një marrëveshje me një paketë gjithëpërfshirëse masash për mirëbesimin reciprok, demilitarizimin, balancat e fuqisë ushtarake, bashkëpunimi ekonomik etj., ku aktorët ndërkombëtarë, SHBA, OKB, NATO, BE të mbajnë peshë thelbësore.

II. Historia e konflikteve si dhe përpjekjeve për paqe në rajon

Konfliktet dhe përpjekjet për paqe në rajon kanë një histori të gjatë dhe i ka rrënjët në “Palestinën historike”, që përfshin Izraelin, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Edhe pse perceptohen brenda “dimensionit fetar”, konfliktet përfshijnë çështje të territorit, identitetet dhe interesave kombëtare. Me këtë rast, sjellim në vëmendje listën dhe impaktet e luftërave nga fundi i shekullit të 19 fillimin e shekullit 20-të.

Në fund të shekullit të 19-të, komunitetet hebraike anembanë Europës u përballën me persekutim, ndërkohë që “Sionizmi” i udhëhequr nga Theodor Herzl, u shfaq si projekt për krijimin e një atdheu hebre në Palestinë. Pas Luftës së I Botërore, OKB-ja propozoi një plan paqeje me ndarjen e Palestinës në dy shtete, hebreje dhe arabe, me Jerusalemin si qytet ndërkombëtar. Ndërsa udhëheqësit hebrenj e pranuan këtë plan, arabët e refuzuan kategorikisht. Në 1948, David BenGurion shpalli themelimin e Shtetit të Izraelit, ndërsa shtetet arabe, duke përfshirë Egjiptin, Jordaninë, Sirinë dhe Irakun, e kundërshtuan dhe u përfshinë në luftën e parë arabo-izraelite.

Në vitin 1956, Izraeli së bashku me UK e pushtuan Egjiptin gjatë krizës së Suezit, por presioni ndërkombëtar dhe rrethanat e luftës së ftohtë i detyruan të tërhiqeshin. Lufta 6-ditore (1967) midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë, përfshi Egjiptin, Jordaninë dhe Sirinë, rezultoi me pushtimin nga Izraeli të Gadishullit Sinai, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

(1973): Egjipti dhe Siria filluan një sulm të befasishëm ndaj Izraelit gjatë festës hebreje të Yom Kipur. Izraeli jo vetëm e zmbrapsi sulmin, por mori edhe më shumë territore. Marrëveshjet e Camp David (1978) të ndërmjetësuara nga SHBA, i normalizuan marrëdhënieve mes Izraelit dhe Egjiptit, i cili u bë vendi i parë arab që njohu Izraelin.

1987) Protestat dhe kryengritjet palestineze kundër pushtimit izraelit në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës shënuan Intifadën e Parë (1993): Negociatat sekrete të Oslos themeluan Autoritetin Palestinez dhe siguruan një kornizë për vetëqeverisjen në pjesë të Bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës. Përpjekje të tjera, si Samiti i Camp David (2000), Samiti i Tabës (2001) dhe Konferencën e Annapolis (2007) nuk kanë prodhuar ndonjë zgjidhje të qëndrueshme në rajon. Marrëveshjet e Abrahamit (2020): Izraeli normalizoi marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe duke thyer qëndrimin tradicional arab për mosnjohjen e Izraelit pa një zgjidhje për çështjen palestineze.

Gjithsesi, mesazhi përbashkët i paskonflikteve të sipërpërmendura mbetet: “Izraeli me mbështetjen e aleatëve euroatlantikë jo vetëm që ka triumfuar në të gjitha rastet, por edhe ka zgjeruar territorin dhe pozitat strategjike dhe bashke me të ka rritur edhe peshën gjeopolitike në Rajon”.

III. Peshime krahasuese mes fuqisë ushtarake së Izraelit dhe Iranit si dhe reciprokisht vendet/aleatët:

“Irani me 90 milionë banorë, 575 mijë ushtarë aktivë dhe 350 mijë rezervë kundrejt Izraelit me rreth 8 milionë banore, 173 mijë ushtarë aktivë dhe 500 mijë rezervë. Buxheti i mbrojtjes së Izraelit është 24.3 miliardë dollarë, ndërsa buxheti i mbrojtjes i Iranit është 9.9 miliardë dollarë. Izraeli ka 612 avionë të gjeneratës së fundit (përfshi F-35), ndërsa Irani ka 551 avionë luftimi. Izraeli ka 67 anije luftarake moderne, ndërsa Irani ka një flotë prej mbi 100 luftanijesh. Irani ka 4071 tanke, pra dyfishin e Izraelit me 2200 tanke moderne. Izraeli ka 43 mijë automjete të blinduara, ndërsa Irani 65 mijë automjete të blinduara”.

Aleati Strategjik i Izraelit janë SHBA (në rastin e fundit Shtëpia e Bardhë konfirmoi se mbështetja e SHBA për Izraelin mbetet e patundur, ndërsa për mbrojtjen raketore, ushtria amerikane ka dislokuar në rajon avionë shkatërrues, falë të cilëve u shkatërruan pothuajse të gjithë (99%) të raketave). Ndërsa befasoi edhe Jordania që afroi hapësirën ajrore për avionët e Izraelit, USA/UK, si dhe “shtetet e Gjirit Persik dhe Arabia Saudite me mbështetje logjistike”!

Aleatët e Iranit (ashtuquajtur boshti rezistencës) janë Rusia, Siria, shtetet dhe grupet terroriste në Irak dhe Jemen, si lëvizja Houthi, Hezbollahu në Liban, Hamas etj.. Kështu, besoj edhe aleancat bëjnë diferencën mes fuqisë që buron nga fuqia ushtarake sovrane si dhe cilësia e mbështetja së tyre/aleateve.

Pra, përtej rreshtimit të 14-in në listën e fuqisë ushtarake dhe numrave, historitë e përballjes me Izraelin, përfshi në rastin e fundit tregojnë se Irani kurrsesi nuk ka as aftësi luftimi dhe as mbështetje të konsiderueshme nga aleatët për t’u krahasuar, aq më pak për të kërcënuar mbijetesën apo mposhtur fuqinë ushtarake të një kombi sovran si Izraeli (që përveç fuqisë ushtarake, zotëron armë bërthamore).

E thënë si konkluzion, Izraeli ka treguar se jo vetëm ka fuqi dhe aleanca për ta “mposhtur Iranin dhe grupe terroriste”, por ka kapacitete dhe aftësi operacionale, pra fuqi ushtarake dhe aleanca të qëndrueshme për t’u përballur, mundur dhe dominuar të gjitha vendet arabe së bashku.

Në shtesë, si në çdo nga qindra vlerësimet për interesat kombëtare, edhe këtë opinion dëshiroj ta përmbyll me disa “rekomandime strategjike” për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare:

I gjej tërësisht qesharake që “bollshevikët e vetëprangosur nga sindroma e Stockholmit” i risjellin opinionit kombëtar oshilacionet e Enver Hoxhës: “Izraeli një kobure në duart e SHBA/UK, një shtet i krijuar nga imperializmi dhe sionizmi reaksionar”. Kjo pasi, për interesat gjeopolitike të kombit tonë të vetëm nuk ka opsion tjetër përveçse t’i bashkohet pa hezitim “flamurit të solidaritetit të mbarë botës së qytetëruar”. Ndërsa pushtetarët e të dy vendeve sovrane (e Shqipërisë dhe Kosovës) e kanë detyrim shtetëror të dënojnë “me një zë të përbashkët” si dhe të mbështesin përballjen e Izraelit, USA, UK dhe aleatëve euroatlantikë në këtë betejë ndaj Iranit, terrorizmit, pra të keqen e përbashkët.

Po ashtu, Tirana dhe Prishtina zyrtare do të duhet të konfirmojnë mbështetje të pakushtëzuar për Izraelin jo vetëm për shkak të lidhjeve historike dhe reciprocitetit të mirënjohjes që ka Izraeli ndaj kombit tonë për shpëtimin e hebrenjve nga nazistët gjatë Luftës II Botërore, por edhe për t’u rreshtuar pa kompromis krah SHBA-ve (aleate strategjike e Izraelit) që ka luajtur rol përcaktues jo vetëm për çlirimin dhe faktorizimin gjeopolitik të Kosovës, por edhe specifikisht për njohjen si “surprizë e mençur” në Dhomën Ovale (në kuadër të Projektit të Presidentit Trump) nga Izraeli në kuadër të paketës 12 miliardë euro, përfshi autostradën e paqes, linjën hekurudhore, portin në ujërat e thella të Adriatikut etj..

Në përmbyllje përsëris se “përtej luftës, paqja sigurisht mbetet mision i vështirë, por opsioni i vetëm”. Prandaj mbetem besimplotë që Izraeli jo vetëm do të dalë fitimtar nga kjo përballje për mbijetesë, por paqja, vlerat demokratike, fuqia ushtarake dhe interesat euroatlantike do të triumfojnë mbi Iranin, Rusinë Putiniste, Kim-Jong-un si dhe ndaj çdo shteti, diktatori, apo organizate terroriste tjetër në botë.

*Autori, gjeneral Piro Ahmetaj:
Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,
Zv.president i Këshillit Atlantikut,
Anëtar i Bordit të “Izraeli House” dhe
ish-këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,
Këshilltar i Presidentit, zv.ShShPFA,
Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura