Fillesat i kishte që në vitin 1946, pse vonoi 11 vite hapja e Universitetit të Tiranës! Ja kush ishte rektori i parë i USHT-së

May 31, 2024 | 13:36
SHPËRNDAJE

Më 30 maj të vitit 1957 u themelua Universiteti Shtetëror i Tiranës, me vendim të Këshillit të Ministrave të kohës.

politekniku-universiteti-tiranes

Në mbledhjen e kësaj date, qeveria vendosi emërimin e Zija Këlliçit si rektor të USHTsë, të Kolë Paparistos si zëvendësrektor për anën shkencore dhe të Hasan Dumës si zëvendësrektor për anën mësimore. Ky vendim do të hynte në fuqi më 1 qershor dhe përcaktonte që USHT-së t’i kalonin kuadrot dhe mjetet materiale e financiare.

Sipas projektdekretit, USHT do të përbëhej nga 6 fakultetet e poshtërenditura:1) Fakulteti i Histori-Filologjisë; 2) Fakulteti Juridik; 3) Fakulteti Ekonomik; 4) Fakulteti i Inxhinierisë; 5) Fakulteti i Shkencave të Natyrës; 6) Fakulteti i Mjekësisë. Universiteti i Tiranës është themeluar me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Nr. 207, datë 30.05.1957, me emrin “Universiteti Shtetëror i Tiranës”.

Universiteti i Tiranës në krijimin e tij kishte 6 fakultete. Fillesat e para për ngritjen e këtij institucioni të parë të arsimit të lartë në Shqipëri i gjejmë në vitin 1946, kur u hap Instituti i Lartë Pedagogjik dy vjeçar dhe në vitin 1947, kur u hap Instituti i Shkencave. Gjatë viteve 1946- 1956 funksiononin në Tiranë gjashtë institute të larta: Instituti Pedagogjik, Instituti Politeknik, Instituti Mjekësor, Instituti Bujqësor, Instituti Ekonomik dhe Instituti Juridik.

Mbi bazën e këtyre instituteve u themelua institucioni i parë i arsimit të lartë i tipit Universitet që u quajt Universiteti Shtetëror i Tiranës. Ky institucion u krijua për të plotësuar nevojat në rritje të vendit për specialistë të kualifikuar. Në rritjen dhe konsolidimin e institucionit një kontribut të madh dhanë një numër i madh profesorësh të kualifikuar në universitetet e huaja. Në vitin e parë akademik 1957-1958, universiteti kishte 3613 studentë.

Studentët do të diplomoheshin në 15 specialitete. Në vitin 1967, universiteti mori formën e vet të plotë me ndërtimin e kampusit të parë të tij duke i dhënë këtij universiteti një dinamizëm më të madh. Kështu pas 20 viteve nga krijimi, në vitin 1977 numri i studentëve pa shkëputje nga puna arriti në 8880; nga të cilat rreth gjysma ishin vajza. Duhet theksuar që në këto vite të para ishin diplomuar 21368 studentë të cilët më pas u angazhuan në sektorët më të vështirë të jetës së vendit.

Në vitin 1991, nga UT-ja (në atë kohë me 11 fakultete) u shkëputën fakultetet inxhinierike dhe u krijua Universiteti Politeknik i Tiranës me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.215, date 15.07.1991. Në janar të vitit 2013 Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike (ish- Fakulteti i Infermierisë) u shkëputën nga Universiteti i Tiranës për të krijuar Universitetin e Mjekësisë. Sot, Universiteti i Tiranës është universiteti më i madh publik në vend.

Ai përbëhet nga 6 fakultete dhe 2 institute, ka 174 programe në të tre ciklet e studimit, staf akademik të brendshëm me kohë të plotë 779 pedagogë dhe rreth 23551 studentë. Universiteti i Tiranës, falë traditës, nivelit të lartë të përgatitjes, kualifikimit dhe atestimit, mbetet universiteti më i kërkuar në Republikën e Shqipërisë. Ai synohet nga shumica e nxënësve, që mbarojnë shkollat e mesme në Republikën e Shqipërisë dhe në trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. UT-ja është dekoruar nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Urdhri Nderi i Kombit” me motivacionin për kontributin e shquar në zhvillimin e shkencës, arsimit, kulturës dhe ekonomisë shqiptare me dekretin Nr. 1959, datë 19.11.1997.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura