Festa e Këngës Shqiptare, Gjergj Leka: Muzikës nuk ia mbyll dot derën askush

Sep 12, 2023 | 15:42
SHPËRNDAJE

Festa e Këngës Shqiptare themeluar e ngritur nga kantautori i njohur Gjergj Leka mblodhi edhe njëherë atë plejadë të shquar këngëtarësh, talente të reja, homazh për poetin Arben Duka dhe një mesazh për rikthimin e vlerave. Një zhgënjim për dyert e mbyllura të RTSh, që u kthye në këmbëngulje për ta realizuar të katërtin edicion.

Gjergj Leka-kengashqiptare

Mirënjohje është ajo që ngjall ai brez që mbajtën gjallë dhe ushqyen me art një popull në kohë censure e shtrëngesash…

Mirënjohje për tingujt e lirisë, vargjet e dashurisë e të shpresës. Mirënjohje edhe për t’i kujtuar ata që sot nuk rrojnë vetëm me nostalgjinë e së shkuarës, por vijojnë të krijojnë e kanë po aq dëshirë e energji të ngjiten në skenë, si dikur.

Mirënjohje që duhet të vijë më shumë se nga duartrokitjet dhe brohoritma e publikut, nga institucionet. Ato publike. Në vend të mirënjohjes, gërvima e padurueshme e derës që të mbyllet.

Ata e dinë se ka një dritare për ta, një skenë, një njeri që nuk i ka harruar. E dinë se Gjergj Leka ka gjithnjë një program, një projekt, një koncert që i përfshin, që ua bën edhe njëherë yllin të shndritshëm si dikur. Festa e Këngës Shqiptare, në edicionin e saj të katërt, themeluar e ngritur nga kantautori i njohur mblodhi edhe njëherë atë plejadë të shquar këngëtarësh si Justina Aliaj, Alida Hisku, Bashkim Alibali, Liljana Kondakçi, Kozma Dushi, Elida Shehu e shumë të tjerë për të kremtuar muzikën shqip.

Jo me nostalgjinë e së shkuarës, jo me këngët e paharrueshme që shkruan epoka, por me krijime të reja, në frymën e kohës. Një sipërmarrje vetjake e Gjergj Lekës, i cili e nisi këtë festival si ngadhënjim mbi frikën dhe pasigurinë që mbolli pandemia e koronavirusit, në vjeshtën e 2020-s duke shtruar rrugën për një traditë të mirë e të gjatë të saj.

Dyert e mbyllura të televizionit publik

E ku më mirë se në një televizionin publik, kombëtar do të bëhej më së miri ky rikthim i emrave të shquar të këngës së lehtë shqiptare?! Do t’i bënte mirë dhe nder, RTSH-së tha, me mendimin se do të ishte më shumë festë e atij televizioni që i pa të ngjiteshin për vite të rrëmbenin çmime të para shumë nga këngëtarët që do të merrnin pjesë, sesa e tij. Gjithaq mendoi se ishte mirë që televizioni publik shqiptar t’i kthehej organizimit të spektakleve me vlera të vërteta dhe nderimit të figurave të mëdha. Përgjigja që mori, rrëfen kantautori e la shtangur. Gjithçka, përveç mirënjohjes.

Por kjo nuk e ndali kantautorin ta çojë përpara projektin e tij, me mbështetje nga bashkia Tiranë, disa sponsorë që ndryshe nga televizioni publik besojnë tek nismat e Lekës dhe televizionin News 24, që ka nisur transmetimin për tri të shtuna. Një festival me tri net, me 38 artistë e më shumë se 40 performanca në skenë dhe me të gjithë logjistikën për ta ccuar përpara nismën – foni, ndriçim e filmime – e realizoi me një shifër jo më shumë se 140 mijë lekësh, të marra nga mbështetjet e sponsorëve, ka rrëfyer Leka.

Por nuk janë vetëm emrat e mëdhenj ata që marrin pjesë në këtë edicion të katërt të Festa e Këngës Shqiptare, të cilën organizatori ka vendosur ta pagëzojë me “Mirënjohje”. Nga fëmijët e talentuar, te 95-vjeçarët që këndojnë me zjarrin e një fëmije, të rinj të talentuar, të huaj që kanë gjetur një atdhe te kënga, performues që nga audiencat e rastësishme në rrugë i ngjiten një skene të vërtetë.

Të afërt, intimë, me natyrën dhe me publikun që ka ardhur t’i ndjekë. Për nga vetë forma- një rreth i plotë, ku edhe publiku bëhet po aq protagonist i skenës vetëm pak metra larg.

Homazh për Arben Dukën dhe dy poezi që bëhen këngë

Një festë që sjell edhe njëherë atë simbiozë të dashur të muzikës me poetë të dashur… Tekste nga Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Zhuljana Jorganxhi dhe një homazh për të ndjerin Arben Duka.

Dy poezi të muzikuara e përjetësuan poetin, i cili u nda nga jeta dy vjet m parë, në moshën 64-vjeçare. “Por bota krejt lëviz në të vërtetë…o nga urrejtja o nga dashuria”, kumbonte zëri i këngëtares së re Ilda Leka, e cila kishte udhëtuar nga Londra për këtë baladë, titulluar “Urrejtje e dashuri”, me muzikë të boshnjakut Amir Karaliç.

Këngën e dytë, me tekst të lirikut të poezisë, “Lamtumirë Dashuri”, Gjergj Leka do ta sillte në një duet me Sonila Kurtin, një zë i freskët që vjen nga kantoja lirike te muzika e lehtë. E mësuar më shumë me punën përgatitore si pedagoge e kantos dhe me passkenën, ishte ngulmimi i kantautorit që e ngjiti në skenë për të sjellë një nga kulmimet e netëve të festivalit.

Emocionues dueti i Lekës me aktoren dhe këngëtaren Justina Aliaj, “Lule t’bukra sjell Pranvera”. Një tribut për një emër të madh të muzikës shqiptare, Mark Kaftalli, që siç do ta kujtonte Gjergj Leka, “këndonte këngët që i donte shpirti, jo koha…”

Një mbrëmje për të kujtuar dhe nderuar emra të mëdhenj të muzikës, si Agim Krajka, përmes pjesës “Swing në fa minor”, interpretuar në fizarmonikë nga Indrit Cakaj.

“Të përmendje swing, ishte e pamundur atëkohë”, do të thoshte Leka. Me nderime kujtoi emra si të Aleksandër Lalos, Tasim Oshafi, Xhavit Ujkani, Enver Shëngjergji, Gjergj Sulioti apo pena të letërsisë si Mojkom Zeqo.

Nexhmije Pagarusha vjen e hyjnizuar përmes këngës “Zogjtë e zërit tënd”, interpretuar nga këngëtarja në moshë fare të re Amantia Balla. Leka kishte zgjedhur të kujtonte edhe këngëtarin e njohur të viteve 80-’90, shkupjanin Agron Berisha përmes interpretimit të Gazment Sukut. Ky i fundit, një këngëtar që performon me një kitarë, në parkun e Liqenit Artificial – ashtu si dikur djemtë e këngëve të liqenit- të cilin Leka e pikasi në faqen e facebook-ut “Lolita”.

Duke i bërë të mundur regjistrimin e një kënge për herë të parë në një studio muzikore, Leka përmbushi kështu një ëndërr të një këngëtari që ndonëse shumë dyer i janë mbyllur gjatë jetës, nuk hoqi dorë nga muzika.

Saxhi, iraniani që i këndon dashurisë shqip

Siç nuk hoqi dorë nga dashuria për Shqipërinë, Sajad Sepehri, iraniani që e këndoi në shqip letrën e së shoqes. Ai mbërriti në Shqipëri, si disident, duke lënë pas një jetë si intelektual dhe muzikant i njohur, në kërkim të një atdheu të ri.

Në Shqipëri gjeti dashurinë dhe e shoqja, për ta ndihmuar të mësonte gjuhën i shkruan një letër dashurie. Letër, të cilën muzikanti e solli ashtu të shkruar, në gjuhën shqipe, me titullin “E di”. Shqipëria nuk qe aq e dashur me të, duke mos ia dhënë pasaportën shqiptare, por nga Holanda ku ai punon si pedagog, kërkues shkencor dhe çon përpara sipërmarrjen në arsim kthehet me dashuri për Shqipërinë. “Unë mendon që jam një shqiptar’, tha këngëtari iranian i cili parapëlqen që në shqip ta thërrasin Saxhi.

Sepehri e gostiti edhe në gjuhën perse, me një këngë homazh për nënën, shoqëruar në piano nga Gjergj Leka.

Kënga edhe si eliksir i rinisë së përjetshme, ashtu si në rastin e 95-vjeçarit Abdyl Sturçe, i cili i kremtoi 76 vitet e tij në skenë me këngën “Hej more hej!”. Po ashtu një hapësirë e veçantë i dedikohej Tone dhe Mark Gjokaj, mjeshtër i madh me këngën “Jehojnë kullat n’çifteli”, tribut për folklorin shqiptar dhe trevën e Mirditës.

Surpriza të tjera të këndshme ishte edhe ritakimi i këngëtarëve Pëllumb Elmazi dhe Nazmie Kasmin, të dy interpretues të këngës “Stacioni më i ri’, në Festivalin e 20-të të Këngës në RTSh.

Nga skenat e festivaleve para ’90, në Festën e Këngës Shqiptare

Në këtë edicion të katërt, Leka ngjiti në skenë edhe shumë emra të tjerë të njohur të skenave të para viteve ’90, si Leonard Bulku, Rajmonda Ago, Rajmonda Kamberi, Elida Shehu, Jovan Tere, Arta Babaramo, IslamVani, Erefili Cala Shyti, Olsa Pema, Dhimitër Disha dhe këngëtari nga Gjakova, Artan Bakija.

Një tjetër performuese rekord, me tri pjesëmarrje në Festa e Këngës Shqiptare, ndonëse vetëm 11 vjeç është Dea Amoniku, e cila veç kantos studion piano. Pedagogia e saj, Nora Çashku e ndoqi nga shkallët e amfiteatrit. Nuk mungonte as pedagogia e shquar e kantos, Zina Zdrava, një shkollë më vete e brezave të talenteve. Gjithashtu Dea e vogël këndoi bashkë me Lekën këngën “Vëlla e motër”

Talentet e rinj, disa prej tyre pjesëmarrës në “Talent Story”, program nga Gjergj Leka transmetuar për disa javë në “News 24”. Mes tyre, jo vetëm të rinj me formim muzikor, por edhe studentë të degëve të ndryshme, në Universitetin Europian të Tiranës me një pasion për këngën.

Një prej talenteve të reja, Kejsi Qëndro e shoqëroi kantautorin në prezantimin e festivalit. Në kategorinë e të rinjve konkurruan Paolina Pajollari, Elisa Skara Albi&Siandra Hoxha, David Kerri, Kejtlin Gjata, Marlindi.

Një festival i plotë, i cili në fund të tri netëve shpërndan edhe çmime, por edhe dy mesazhe të forta: i pari për rikthimin e vlerave, të cili kantautori Leka e bën përmes programit të tij “Na ishte njëherë muzika” dhe i dyti mbi mirënjohjen, që mbetet institucion më i rëndësishëm sesa pushteti. Muzika e gjen rrugën edhe skenën, edhe kur duan t’ia mbyllin dyert.

42179b8b-f75c-4a1b-b03e-5b173a9a1fc5 3f72ba69-a5ab-4b91-bd4d-3e7128d7a6d8

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura