Fëmijët e Çamërisë dhe të botës që nuk njohin 1 qershor

Jun 11, 2024 | 7:30
SHPËRNDAJE

NGA HYQMET ZANE HYQMET ZANE

Luftërat dhe sidomos gjenocidet janë të padëshirueshme dhe fatale për njerëzimin, sidomos për fëmijët. Pasojat vrastare të fëmijëve siç po ndodh sot në Palestinë me vdekjen e mijëra e mijëra fëmijëve, si edhe në Ukrainë e kudo ku zhvillohen luftëra, janë të dënueshme nga opinioni botëror. Menjëherë mendja më shkon tek fëmijët e Çamërisë 80 vjet më parë që edhe më parë edhe më pas nuk njohën festa, sidomos festën e fëmijëve, siç njihet 1 qershori.

Në vend të festave ata si edhe bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë 25 vjet më parë jo vetëm nuk gëzuan 1 qershorin si festë, pro panë me sytë e tyre tmerre vrastare që lanë gjurmë në kujtesën dhe psikologjinë e tyre fëminore. Janë të pashembullta dhe të pakrahasueshme për Çamërinë, aq më tepër që ndodhemi në një kontinent që mendohet se ka në dorë privilegjin e të zhvilluarit më herët se të tjerët. Çamëria njihet si pellazgjike që nga Pirro i Epirit dhe ka datat e veta historike në kalendarin kombëtar. Por kur vjen fjala te fëmijët, ata mbeten më delikatët dhe më të dhembshurit në historinë e një krahine me aq shumë provacione në një shekull të tërë.

Sa herë që vjen 1 qershori për fatin e keq fëmijët e Çamërisë nuk e njohën këtë datë, jo në një vit, por në shumë e shumë vite, sepse në vend të 1 qershorit ata njohën vuajtjen dhe krimin, njohën vrasjen dhe vdekjen, njohën makabritetet e antishqiptarizmit dhe të historive me genocid. U rritën këta fëmijë mes halleve të baballarëve të tyre, duke mbetur të paprivilegjuar në historinë e fëmijërisë së tyre.

27 qershor 1944 kishte dekada që kishte nisur dhe fëmijët e Çamërisë nuk dinin të thoshin se kishte 1 qershor apo çfarë feste tjetër shqiptare apo botërore kishte që ata të gëzonin. Shumë data të ndryshme që i kujtojmë sot, fëmijët e Çamërisë i kujtojnë si tmerre të një lufte të pashpallur me përfundime tragjike. Edhe unë kam qenë pjesë e atyre fëmijëve që nuk dija se çfarë ishte 1 qershori. Nëna ime e mirë dhe e vuajtur mes psherëtimave me shumë brenga më tregonte copëza të kujtimeve që ishin më shumë se tragjike.

“Ç’të të them more djalë, – më rrëfente nëna ime, ashtu si çdo nënë çame ia rrëfente fëmijëve të tyre. – Djalin 12-vjeçar Nail Gjinika kriminelët e Zervës e dogjën të gjallë në furrë. Eh, more bir, sa histori të tilla kam unë për të të thënë. Por kjo ishte e veçantë dhe rrëfente …”.

HISTORIA

Ne tetor 1943 kur Naili nuk ishte më shumë se 12 vjeç, ishte çoban me dhitë e tija. Grupi kriminal i Vasil Ballunit shkoi në mal. E zënë djalin e gjorë, të pafajshëm dhe të paditur për çka ishte bota që e rrethonte. E torturojnë dhe e dërgojnë në Spatar. Ndezin furrën dhe e djegin të gjallë.

Familja priste djalin po dhitë erdhën pa çoban. Lajmi mori dheun.

Luftëtarët e Margëllëçitr e morën veç të vërtetën dhe shkuan e morën nipin e Vasilit. Ia dërgojnë nënë Feruzes dhe i thanë që ta digjte edhe ajo të gjallë këtë djalë.

Nënë Feruzja e lau, e veshi me rroba të reja, e ushqeu dhe e dërgoi te oda. Në fund dërgon një lajm që familja të vinte e ta merrte duke i dhënë porosi “Po qe se ju i bëni gjë djalit, unë do vras veten”.

Pleqësia e Margëlëliçit e dërgoi djalin te familja. Lajmi mori dheun për një vit të tërë nuk pati asnjë grindje në fshat.

Në varrimin pa trup të djalit të familjes Gjinika, morën pjesë me qindra njerëz. Vetë nëna ishte kthyer në një monument humanizmi, por jo në një nënë që do t’i tregonte brezave se kjo ishte një nënë e vërtetë që nuk njihte festë fëmijësh, as festë tjetër, se ajo ishte një nënë fatzezë që e vranë për së gjalli”.

Por nëna ime, gjithashtu, tregonte se në kohën që masakra kishte trokitur në portat e Filatit, lemeria e vrasjeve dhe e krimeve së gjalli, kishte marrë dheun, pas atyre në Paramithi. Nëna shihte se si i vriteshin fëmijët dhe i hiqej gjallë fëmija nga barku, babai kishte parë se si gruan ia rrëmbenin dhe fëmijët ia digjnin të gjallë, fëmijët shihnin se si masakroheshin e thereshin si kafshët prindërit e tyre, e çfarë nuk pa i madhi Zot në ato kohëra. Pale të mendoje se kishe 1 qershor apo ditë të të drejtave të njeriut.

HISTORIA TJETËR

Ajo ishte një grua e re nga Filati që i vranë burrin, po edhe vjehrrin e vjehrrën dhe me fëmijën e hipur goçi, zbathur dhe e tmerruar ikte me vrap. Tmerri i kishte tharë fëmijës fytin për një pikë ujë. Ia kërkonte nënës së tij dhe ajo i thoshte “pusho, se do të jap unë, edhe pak sa të arrijmë. Por fëmija kërkonte ujë dhe nëna i thoshte përsëri që të pushonte. Dhe një moment kuptoi se fëmija u bind dhe vetëm vraponte. Kur mendoi se duhej të ndalonte dhe t’i jepte ujë, kërkon të zbresë fëmijën e saj. Por ç’të shohë. Fëmija e saj pa kokë dhe ajo e larë në gjak.

Një grek i pabesë e kishte parë këtë vrap të kësaj nënë dhe tinëzisht e kishte ndjekur me shpatë në dorë dhe ia kishte prerë kokën tragjikisht. Kjo nënë u çmend, nuk i besonte syve dhe fatit. Përfundoi në Delvinë pa mendje në kokë. Nuk di se ku e ka varrin ajo nënë apo djali i saj që t’i vija një tufë lule dhe t’i thosha se sot është një qershor dhe ti, o djalë i vogël, ke festë dhe festa jote u sakatua nga shpata e pabesisë së një greku të pabesë.

EDHE NJË TJETËR HISTORI

Fatimja, një plakë rreth 75 vjeç, me trup mesatar të drejtë, e veshur me rroba të bardha me tumane, polkë dhe shami të bardhë në kokë, me këpucë lustrafine pa takë, me një bastun në dorë dhe me gjyslikë të zakonshëm, të jep të kuptosh një grua me plot dinjitet dhe e fortë, me atë llahtari që ka parë dhe që ruan me krenari si kujtim të djalit të saj Abedinit, një copë lëkurë të kokës me lesh sa një pëllëmbe dore fëmije, të shqyer nga qentë. Mësova të flitej nga kolegët me respekt për plakën “çame” Fatime Pronjo. Dhe mua kaq mudesh për tu interesuar për të. Kur bëja apelin në klasën e 10 ishte vajza Myrvete Pronjo, mbesa e Fatimes. U takuam me të për një vizitë. Ishte muaji majit 1967. Më pritën në verandën e shtëpisë, të shtruar me qilim dhe shilte. Pasi u prezantuam ajo më tha: “kanë ardhur këtu edhe të tjerë, kanë marrë shënime, kanë premtur se do të shkruanin dhe do të na ndihmonin, por asgjë. Më vonë më thirrën në Komitetin Ekzekutiv ku kishte dhe të huaj para pak kohe, donin dëshmi për kriminelet dhe krimet e tyre? – Ja ku i kini, – flet vetë, për tërë atë gjëmë që na hodhën në kuriz të pabesët, – u thashë duke u rrokullisur lotët poshtë faqeve dhe u largova.

Sa histori ka Çamëria për fëmijët e saj që nuk njohën 1 qershor? Shumë e shumë, se çdo nënë çame kujton se si fëmijët e tyre vdiqën rrugëve për një pikë ujë e për një kore buke në atë ikje nga sytë këmbët që grekët kujtojnë se e harrojmë dhe duan ta fshijnë nga historia. 32 fëmijë u vranë e u masakruan nën moshën 3 vjeç nga ai gjenocid grek. Ata ishin fëmijë kërthi dhe të pafajshëm që nuk kishin gjynahe, por pabesia e fqinjit grek i preu në mes jetët e tyre. Asnjë prej tyre nuk ka varr se askush nuk di se si u varrosën ata që u nxorën me bajoneta nga barku i nënës apo që u masakruan në sytë e tyre. Varrezat e Kllogjerit nuk kanë vetëm burra e gra që vdiqën si pasoja e gjenocidit, por kanë edhe jetët e fëmijëve që nuk njohën fëmijëri pale të mendosh që të njihnin 1 qershor, ditë feste të fëmijëve. Këto fakte duhet t’i dijë edhe ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë se janë krime kundër njerëzimit.

Këto fakte duhet t’i dijë edhe kryetari i Shoqatës Çamëria, se deputetët që kanë marrë vota në emër të çamëve nuk e kanë mendjen fare tek këto të vërteta të hidhura, që do të duhej të ishin objekt diskutimi në çdo parlament të Europës për t’i thënë botës se kjo është e vërteta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura