Familja e harruar

Feb 27, 2015 | 12:03
SHPËRNDAJE

MATEO SPAHO

   Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2015 ka qenë 2.893.000 banorë, duke pësuar një rënie me 3.000 persona, në krahasim me vitin paraardhës. Elementi i parë që bie në sy, është se vetëm gjatë vitit 2014 më shumë se 46.000 shqiptarë kanë zgjedhur ta lënë vendin ku kanë lindur, për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë shtetit. Elementi i dytë, por jo për nga rëndësia, është se numri i lindjeve në Shqipëri po pëson një rënie të vazhdueshme. Numri i shqiptarëve rritej me 2% në vit në fillimin e viteve ’90, ndërsa tani rritja është 0,5%. Përse ka ndodhur ky fenomen?
Sot mosha e martesës për meshkujt dhe femrat është rritur dhe prindërit e rinj kërkojnë që fëmijët e tyre të ushqehen më së miri, të kenë përkujdesje, veshje cilësore, arsim të lartë etj… por, nga krahu tjetër, mjedisi shqiptar po bëhet gjithnjë e më i papërshtatshëm për të rritur fëmijët. Hapësirat publike zvogëlohen në mënyrë të pandalshme, kostot e kopshteve janë të larta dhe vendet e lira në kopshtet publike duken si një mirazh, prindërit duhet të punojnë shumë dhe të kenë të ardhura të larta për të menduar për një fëmijë.
Vitet e fundit edhe sistemi tatimor i qeverisë shqiptare ka harruar familjet shqiptare. Kjo deklaratë ka bazë në vendosjen dhe zbatimin e taksës progresive, që qeveria Rama ka aplikuar në 1 janar të vitit 2014.
Le të marrim si shembull një familje, ku dy bashkëshortët punojnë duke marrë secili rreth 50.000 lekë të rinj. Të ardhurat e familjes janë 1.000.000 lekë. Sipas taksës progresive, si burri dhe gruaja do të paguanin 2.600 lekë në muaj secili ose 5.200 lekë të dy.
Le të supozojmë tani, siç është e natyrshme, se çifti i ri vendos të bëjë një fëmijë dhe, për t’u përkujdesur sa më mirë për fëmijën, si dhe për t’i dhënë elementet fillestare të edukatës,  gruaja vendos për 4 ose 5 vite të mos punojë, deri sa fëmija të jetë gati për klasën e parë. Për të mos ulur të ardhurat, burri ka mundësinë dhe vendos të punojë më shumë për të mbajtur familjen dhe arrin të marrë 1.000.000 lekë, aq sa merrnin më parë të dy bashkë dhe në këtë mënyrë të ardhurat e familjes nuk ndryshojnë. Në këtë rast taksat progresive mbi të ardhurat e babait do të ishin 9.100 lekë në muaj ose 3.900 lekë më shumë në krahasim me tatimin ndaj dy rrogave të marra më parë. Duket qartë se kjo lloj takse vështirëson ekonomikisht përkujdesjen e njërit nga prindërit për fëmijët dhe në çdo epitet mund të quhet, por asnjëherë nuk mund të cilësohet si e ndershme. Pikërisht për këtë arsye, në vende si Gjermania, Franca dhe Italia, tatimi mbi të ardhurat personale edhe kur është progresiv, nuk paguhet në rang individi, por në rang familjar. Nëse do të aplikohej kjo procedurë edhe në Shqipëri, familja e mësipërme do të përfitonte 46.800 lekë të rinj në vit, gati sa një rrogë mujore shtesë.
Qeveria ka kosto të ndryshme që lidhen me luftën ndaj kriminalitetit të rrugës, aksidentet rrugore, problematikat që lindin për shkaqe banale, alkoolizmin, përdorimin e substancave narkotike etj… të cilat shpeshherë shkaktohen nga adoleshentë dhe të rinj, të cilët nga pikëpamja e kohës nuk kanë pasur përkujdesjen e duhur prindërore. Të ardhura më të pakta nga kjo taksë sot do të nënkuptonin shpenzime më të pakta nesër për përballimin me fenomenet negative të mësipërme.
Në rastin që qeveria do të zbatonte taksimin mbi baza familjare  dhe jo individuale, do të hiqte një pengesë jo të vogël që çiftet e reja t’i jepnin jetë të ardhmes së tyre, fëmijëve. Natyrisht me këtë gjest nuk do të zgjidheshin të gjitha problematikat që të rinjtë kanë drejt krijimit të një familjeje, si vështirësia për të gjetur një vend pune, strehimi, kredidhënia etj. Por ndryshimi i kësaj takse pa dyshim do të ishte një fillim i mbarë.
*PHD, Koordinator i Partisë Demokratike të Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura