Faleminderit, e dashur opozitë!

Jul 2, 2015 | 12:01
SHPËRNDAJE

DENAR BIBA

     Sa herë më duhet të flas për demokracinë, ndër mend më vijnë fjalët e Winston Churchill, i cili e konsideronte atë si “formën më të keqe të qeverisjes, përveç gjithë të tjerave”. Larg nga përkufizimet standarde mbi termin, ky etiketim cinik e vë theksin tek identifikimi i kësaj mënyre qeverisjeje si fatalitet, për sa kohë që “gjithë të tjerat”, në të vërtetë, konsistojnë vetëm në një: diktaturë. Sepse ne, njerëzit, dimë të organizohemi vetëm në forma qeverisëse që identifikohen ose si diktatura, ose si demokraci dhe, për sa kohë diktatura nuk është një opsion i dëshirueshëm nga shumica, atëherë gjithë çfarë na mbetet, është demokracia, me të mirat, por edhe të metat e saj. Dhe, meqë jemi te Churchill, ja edhe një thënie tjetër e famshme e tij: “Argumenti më i mirë kundër demokracisë është një bisedë pesëminutëshe me një votues të zakonshëm”(!).

Mirë a keq, për shkak të prejardhjes, edukimit dhe funksionit, unë nuk jam një votues “i zakonshëm”, por shumë njerëz të afërt e të dashur të mi janë pa dyshim të tillë, ndaj nuk është aspak e vështirë për mua të mësoj përshtypjet dhe kritikat e tyre për demokracinë. Për të thënë të drejtën, ka diçka që nuk shkon me këto “përshtypje e kritika”, të bëra me të gjithë seriozitetin dhe kompetencën që karakterizon qytetarin e zakonshëm shqiptar, duke pasur parasysh që po merr përsipër të gjykojë diçka të cilën nuk e ka përjetuar ndonjëherë më parë. Afërmendsh, gjithë ç’thuhet, bazohet veçse në pritshmëri e paragjykime, të arrira kryesisht nga njëfarë kuptimi sipërfaqësor mbi demokracinë (sikundër ajo shfaqet kryesisht përmes televizionit) në vendet europerëndimore. Ndërsa identifikon masivisht me thjesht e vetëm “demokraci” atë që për dikë tjetër do të ishte më saktë të konsiderohej “demokraci liberale”, qytetari i zakonshëm, buzërrudhur e fjalëpakë ankohet për partitë politike që janë shkëputur nga hallet e popullit, për politikanë që mashtrojnë përmes programesh elektorale vetëm sa për t’i marrë votën, për vota të blera e shitura, kuti të mbushura paraprakisht, kandidatë të inkriminuar, e kështu me radhë.
 Dhe unë pyes me vete se përse dreqin shkon ky njeri të votojë, kur e di që vota e tij do të manipulohet?! Dhe arsyeja më përgjigjet sepse, brenda tij, me koshiencë apo jo, edhe kështu i ardhur gërnjar për shkak të historisë, qytetari shqiptar e ndien (në mos e di) se e vërteta nuk është kaq e zezë. Madje, po ta mendosh, nuk është aspak e zezë. Me këtë nuk dua të them se është e bardhë, por përtej çdo dyshimi që e zezë nuk është. Prova më e mirë për këtë është vetë fakti që qytetarët votojnë masivisht. Edhe këtë vit me të njëjtat përqindje, sikundër në zgjedhjet vendore pararendëse 2007 e 2011.
Por fundja, demokracia nuk është një gjendje e dhënë përfundimisht; përkundrazi, është një proces. Shqipëria e 2015-s nuk është ajo e 2005-s, e aq më pak ajo e 1997-s apo 1991-shit. Ndërsa përmirësohet në cilësi, procesi demokratik shfaqet edhe në formën e tij procedurale: zgjedhjet. Zgjedhjet janë e vetmja mënyrë paqësore, përmes së cilës shumica e popullit vendos se kush do të jenë ata që do të kenë në duar fatet e vendit për një periudhë të caktuar. Nga këndvështrimi i zgjedhjeve, si rregulla loje për të përzgjedhur fituesin – e thënë ndryshe pushtetarët e ardhshëm, zgjedhjet vendore 2015 ishin një tregues i qartë i forcimit të fibrës demokratike në shoqërinë tonë, si për sa i përket qytetarisë, ashtu edhe politikës. Shqiptarët e duan tashmë këtë “lojë”, politikanët gjithashtu. Mund të duken shumë për një individ, por janë fare pak për një popull, 25 vite nga ai prag kalimi i viteve ’90, kur në theqafjen e diktaturës, individët shqiptarë patën për herë të parë pas katër dekadash mundësinë të zgjidhnin formën e qeverisjes që dëshironin. Natyrisht që nuk ishin të përgatitur për të zgjedhur, por fundja nuk është se kishin shumë alternativa. Ndërmjet diktaturës, të cilës ia kishin “shijuar” hidhësinë e helmtë të frytit dhe demokracisë, ajme se në versionin foshnjarak të spektakleve apo reklamave me ushqime nepsndjellëse të RAI-t, kjo e fundit ishte zgjedhje intuitivisht e saktë.

Pluralizmi politik dhe ekonomik ishte pasoja më e rëndësishme e ndryshimit të sistemit. Siç duket, e uritur për liri, por edhe disi aventuriere për shkak të papjekurisë, shoqëria shqiptare prezanton sot një numër shumë të lartë partish politike, nëse do të merrnim për bazë popullatën, por edhe praktikën politike në vende të tjera të civilizuara.
Për t’u rikthyer te kritikat e votuesit të zakonshëm, shumica e të cilave i adresohen sferës së politikës, vlerësoj se duhet të shpall pa ekuivok rëndësinë e partive politike në demokraci. Mund t’i shajmë e përçmojmë, por ato janë të vetmet struktura sociale që mundësojnë sendërtimin e demokracisë nga teori në praktikë. Mund të mos na pëlqejë që u delegojmë sovranitetin tonë për katër vite dhe u lëmë në dorë të marrin vendime për ne, e në emrin tonë, por duhet të jetë e qartë për këdo se fati i demokracive të drejtpërdrejta është të bien fillimisht në anarki, e më pas në autoritarizëm. Historia është një mësuese e mirë, ndonëse popujt shpesh janë nxënës të këqij. Demokracia është loja, partitë politike janë lojtarët kryesorë të saj. Sa për qytetarin e zakonshëm, ai bën mirë të mos ngatërrojë lojën me lojtarin dhe të vlerësojë demokracinë, ndërsa mban konstant presionin qytetar për politikanë gjithmonë e më të përgjegjshëm, llogaridhënës e progresistë.

Ky është edhe mjedisi teoriko-praktik, ku mori jetë procesi i zgjedhjeve 2015. Ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme, të cilat quhen edhe politike, zgjedhjet vendore konsiderohen administrative, pasi supozohet se përmes tyre qytetarët përzgjedhin administratorët e përditshëm të qytet-fshatrave të tyre. Fatkeqësisht, për shkak të qenies së Shqipërisë një vend shumë i vogël e me popullsi të pakët, e aq më tepër me një popullsi thellësisht të politizuar e të varfër, zgjedhjet vendore shpesh shkojnë për inerci të atyre kombëtare. Rrjedhimisht, vetëm dy vjet pas një palë zgjedhjesh të pazakonta, siç edhe ishin ato të 2013-s, pasoja e të cilave më shumë sesa ardhja e një mendësie të re në pushtet (në atë kohë) ishte shporrja e një të vjetre, rezultati i vendoreve 2015 ishte në terma të përgjithshëm i parashikuar. Me gjithë problematikat që bashkëshoqërojnë qeverisjen, veçanërisht përmes një krize ekonomike, çdo njeri me mend në kokë e dinte se koalicioni gjigant i të majtës do të fitonte shumicën e bashkive të vendit, mes tyre edhe kryeqytetin. Me fjalë të tjera, përfundimi i lojës ishte i njohur, ndonëse rezultati i saktë nuk mund të dihej. Thënë këtë, ju lutem përfytyroni veten të jeni lojtarë të një ndeshjeje, së cilës ia dini fundin. Jo sepse është e trukuar (p.sh. ngaqë disa nga të tutë e kanë shitur ndeshjen) – siç mund të nxitojë të thotë ndonjë idiot a sharlatan, por thjesht e vetëm sepse ekipi tjetër është shumë herë më i fortë e më i madh në numër, se ti që luan akoma me gjyshin (për të thënë më të paktën, sinqerisht). A do të pranoje të luaje? Nëse kjo pyetje do t’i bëhej një fëmije, përgjigjja me siguri do të ishte “jo”, por ne jemi të rritur, apo jo. Dhe kur them “ne”, e kam fjalën për qytetarët por edhe për karakterin e demokracisë në Shqipëri, tashmë. Ajo është maturuar ndjeshëm, e bashkë me të, e me ne, edhe partitë politike, aktorët specialë të lojës së madhe. Duke pranuar të marrë pjesë në zgjedhjet vendore aktuale, Partia Demokratike dhe e gjithë opozita shqiptare tregoi se u qëndron rregullave të lojës – demokraci, edhe kur brenda saj e di se këtë herë është radha e kundërshtarit të fitojë.

Së fundi, më duhet të pranoj se, për shumëkënd, gjithë sa më sipër, ndërsa shpalos në mënyrë metaforike (për ta sjellë sa më pranë lexuesit) konceptin e lojës demokratike dhe të lojtarëve të saj, mund të kuptohet sikur ka në premisë të vetën paragjykimin (e autorit) se opozita do të bojkotonte zgjedhjet. Po vërtet, kjo qëndron, por vetëm si premisë (dhe e justifikuar nga disa thënie të z.Basha gjatë fushatës), pasi në thelb shkrimi ka kënaqësinë (e autorit; edhe jo vetëm, shpresoj!) se në vendin ku atij dhe të dashurve të tij u duket balta më e ëmbël se mjalta, po rritet një klasë politike gjithnjë e më e përgjegjshme. Pas zgjedhjeve, kryetari i Partisë Demokratike, ndërkohë që merrte pjesë në Samitin e Partive Popullore Europiane në Bruksel, ku me të drejtën e tij denoncoi deformime të procesit zgjedhor, në asnjë rast nuk u shpreh për mosnjohjen e zgjedhjeve. Qëndrim domethënës ky, pasi ndër të tjera tregon se politikanët shqiptarë e kanë bërë të tyre rregullin bazë të demokracisë. Duke legjitimuar zgjedhjet, si dhe duke përmirësuar procedurat e tyre përmes ndryshimeve në legjislacion, demokracia do të vijojë të forcohet, duke përbërë kështu të vetmen mënyrë kur me punë e seriozitet do të vijë edhe dita që opozita të fitojë e pushtetarët e sotëm të lënë pushtetin.
Ndaj edhe nxitoj të them: faleminderit, e dashur opozitë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura