Fakte, prova, dëshmi dhe mohim akuzash! SPAK kërkoi 12 vite burg, çfarë ndodhi dje në seancën ndaj Saimir Tahirit

Feb 1, 2022 | 9:35
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Fakte, prova, dëshmi dhe mohim akuzash! Kjo ka qenë gjithçka është thënë ditën e djeshme në sallën e gjyqit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar teksa shqyrtohej seanca për pretencën e dhënë ndaj Saimir Tahirit dhe Jaeld Çelës.

s tahiri

E ndërsa Prokuroria pranë kësaj Gjykate ka kërkuar 24 vjet burg në total për të dy ish-zyrtarët e lartë, të pandehurit në proces dhe mbrojtësit e tyre kanë vijuar të kundërshtojnë akuzat dhe episodet e fiksuara në dosje që lidhen me trafikun ndërkombëtar të kanabisit.

Si Tahiri ashtu edhe Çela kanë kundërshtuar me forcë akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” për shkak se ata kanë pretenduar se e kanë kryer detyrën. Në rastin konkret, njëri si drejtues i Dikasterit të Brendshëm e tjetri si drejtues i Policisë së Vlorës. Ata janë ndaluar njëri te shkresat që ka dërguar në dy dikastere për fikjen e radarëve, konkretisht te Ministria e Mbrojtjes dhe te Policia e Shtetit, ndërkohë ish-kryepolici i Vlorës është mjaftuar me të qënurit në krye të dy operacioneve në zonat e Vlorës ku ka sekuestruar sasi të mëdha lënde narkotike.

tahiri

Por pavarësisht mbrojtjes dhe kundërshtisë, SPAK-u pretendon se akuzat e ngritura ndaj tyre janë të faktuara dhe ata duhet të dënohen nga Gjykata me 8 vite burg, meqë do përfitojnë ulje nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar. Ditën e premte do të mësohet edhe fati i dy emrave të shumëpërfolur si pjesëmarrës në grup të strukturuar kriminal, ndërkohë që në atë dosje janë të përfshirë edhe emra të njohur të njohur të dënuar nga Italia. GJYQI Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, SPAK-u i qëndroi të njëjtit vendim si në Shkallën e Parë dhe kërkoi 12 vite burg për Tahirin dhe Çelën.

Duke qenë se Tahiri dhe Çela kanë përfituar gjykim të shkurtuar, atyre iu ulet 1/3 e dënimit. Çështja “Tahiri” u regjistrua në GJKKO më 26 nëntor, ndërsa më parë ishte në ngarkim të Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit zbardhi vendimin për çështjen e ish-ministrit, ku u argumentua se ka pasur shkelje procedurale gjatë gjykimit të tij dhe ish-drejtorit Jaeld Çela. Me vendimin e marrë Gjykata e Lartë i dha një fitore procedurale Tahirit, ndërsa vendosi prishjen e vendimit të 26 qershorit 2020 të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim te një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura