Eurovision anulon votimin e jurisë në gjysmëfinale! Ndryshimet në konkursin e vitit të ardhshëm

Nov 22, 2022 | 13:53
SHPËRNDAJE

Eurovision Song Contest ka njoftuar ndryshime të mëdha në procesin e votimit në konkursin e vitit të ardhshëm.

Eurovision-

Juritë profesionale janë hequr nga gjysmëfinalet, që do të thotë se shikuesit vetëm do të zgjedhin se kush kualifikohet për finalen e madhe.

Vendet që nuk konkurrojnë në garë do të lejohen gjithashtu të votojnë për herë të parë.

Lëvizja vjen pasi u zbulua se gjashtë anëtarët të jurisë “shitën” votat në konkursin e këtij viti në Torino, Itali.

Modele të parregullta votimi u zbuluan nga Azerbajxhani, Gjeorgjia, Mali i Zi, Polonia, Rumania dhe San Marino, tha EBU, e cila organizon konkursin.

Këto vota të jurisë u zbritën dhe u zëvendësuan me një rezultat të përgjithshëm, të llogaritur nga rezultatet e vendeve të tjera me të dhëna të ngjashme votimi.

Në fund, konkursi u fitua nga Kalush Orchestra e Ukrainës, me Sam Ryder të Mbretërisë së Bashkuar që zuri vendin e dytë.

Liverpool do të jetë mikëpritës i eventit në vitin 2023. Juritë profesionale, të cilat përbëhen nga kompozitorë profesionistë dhe figura të industrisë muzikore, kanë ekzistuar të paktën që nga konkursi i dytë i këngës në Eurovizion në 1957 (sistemi i votimit për konkursin e parë nuk është zbuluar kurrë).

Sipas sistemit aktual, rezultatet e tyre kombinohen me rezultatet e një votimi të publikut për të përcaktuar fituesin e përgjithshëm.

Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në finale, thuhet në njoftimin e EBU-së.

Lejimi i vendeve jo-pjesëmarrëse për të votuar do të pasqyrojë “ndikimin global të eventit”, tha Martin Österdahl, mbikëqyrësi ekzekutiv i konkursit.

“Të gjithë ata që ndjekin konkursin, kudo që jetojnë në botë, mund të japin votën për këngët e tyre të preferuara”.

Votat online nga “pjesa tjetër e botës” do të bashkohen dhe do të konvertohen në pikë që do të kenë të njëjtën peshë si një vend pjesëmarrës në të dyja gjysmëfinalet dhe finalen e madhe, tha EBU.

Publiku shpesh ka shije të ndryshme nga juritë. Këtë vit, Ukraina fitoi me 439 pikë, por doli e katërta në votimin e jurisë, me 192 pikë.

Ndërkohë, Sam Ryder ishte i preferuari i anëtarëve të jurisë, duke marrë 283 pikë, por doli i pesti me votimin e shkiuesve në shtëpi.

Tridhjetë e shtatë vende do të marrin pjesë në konkursin e vitit të ardhshëm, ku Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut tërhiqen për shkak të kostos së pjesëmarrjes.

Rusia u përjashtua nga eventi i këtij viti pas pushtimit të Ukrainës. Pritet që vendi gjithashtu të përjashtohet në vitin 2023.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura