“Është shumë e vështirë sot të bësh opozitë”- Jorida Tabaku në Kuvend: Arrestimi i Vangjush Dakos i bën nder SPAK-ut, të hetohen edhe krimet elektorale

Jun 8, 2023 | 17:03
SHPËRNDAJE

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka komentuar gjatë fjalës së saj në seancën plenare në Kuvend arrestimin e ish kryebashkiakut socialist të Durrësit, Vangjush Dako.

tabaku-ne-Kuvend-850x450-1

Tabaku u shpreh se arrestimi i tij i bën nder SPAK por shtoi se do kishte preferuar që ai të arrestohej për arsye të tjera, duke cekur krimet elektorale si dosja 339.

“Nga ligjet që u propozuan në këtë sallë, PD votoi vetëm një, ligjin që lidhej me dakordësi atëhere, me krijimin e SPAK-ut, në fakt ishte si rezultat I një diskutimi të gjatë që ramë dakord të ligji të mbështeste krijimin e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, duhej patjetër që të kishte mbështetjen tonë. Natyrisht që pritshmëritë janë të larta, madje mund të them jo vetëm të politikës por dhe të qytetarëve.

Por arrestimi i ish-kryetarit të Bashkisë Durrës I bën nder SPAK-ut. Unë do të kisha preferuar që ai të arrestohej për arsye tjera, pak rëndësi ka se për çfarë shkon përpara drejtësisë, rëndësi ka që shkon përpara drejtësisë. Unë shpresoj që krimet elektorale si dosja 339, akuzat për korrupsion, për pastrim parash dhe shumë element të tjerë të hetohen. Jo se akuzon politika, jo se vijnë këtu politikanët dhe hedhin lumë akuzash kundër njëri tjetrit, ku pas një viti i shkelin me këmbë dhe thonë nuk ishin të vërteta. Por le të hetohen nëse ka prova dhe dosje reale.

Ndërkohë dosje të tjera flenë  në SPAK, dosje të cilat lidhen me koncesione, me prokurime, me hetimin e zgjedhjeve, me rindërtimin, me tërmetin dhe me shumë element që unë besoj i bëjnë nder SPAK-ut të hetohen”, tha Tabaku.

Ndalur te situata në Partinë Demokratike, Tabaku u shpreh se është shumë e vështirë të bësh opozitë dhe fjala të ketë vlerë. Por theksoi se pavarësisht problemeve, ata nuk po shkojnë në burg si maxhoranca.

“Unë dua ta mbyll me disa komente që lidhen me zhvillimet brenda forcës time politike. Është shumë e vështirë sot të bësh opozitë, është e vështirë që fjala të ketë vlerë dhe është shumë e vështirë që t’I bindësh njerëzit që e nesërmja do të jetë ndryshe.

Është e vështirë që të shkosh të flasësh me qytetarët, të flasësh me votuesit, me bizneset dhe t’i tregosh që t’i mund ta bësh më mirë. Jemi lodhur duke thënë në këtë sallë që këta e bëjnë keq. Po këtë fakt e di, e di dhe që mund të bëhet më mirë, që ne dimë ta bëjmë më mirë.

Por pavarësisht çdo gjëje, problemeve që kemi ne, sesi i bëjmë ne mbledhjet e grupit, sesi e bëjmë në mbledhjen e Kryesisë, një gjë është e sigurt, të paktën ne nuk po i bëjmë në burg siç po e bën maxhoranca. Dhe rreziku është që do të kenë më shumë andej sesa këtej”, deklaroi Tabaku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura