“Ergi Dini kundër aksidenteve”. Babai mes lotësh: Më duket sikur do ta ringjall

Jan 30, 2017 | 19:37
SHPËRNDAJE

Respektimi i disa rregullave të thjeshta rrugore mund të shpëtojë jetë njerëzish dhe minimizojë aksidentet në rrugë. Keshtu u shpreh sot Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, gjatë ndërhyrjes së tij në emisionin “Pasdite në Top Channel”, ku ishte i ftuar Dashamir Dini, babai i këngëtarit Ergi Dini, i cili humbi jetën para 2 muajsh në një aksident rrugor.

Tahiri i shprehu përkrahjen për nismën e ndërmarrë nga ky qytetar për ndërgjegjësimin e shoferëve në lidhje me respektimin e rregullave të trafikut.

tahiri babi ergit

“Unë i garantoj bashkëpunimin z.Dashamir Dini personalisht dhe institucionalisht. Unë dua ta ndihmoj me ekipin tim dhe Policinë e Shtetit, për ta kthyer një histori personale e familjare, në një nxitje për të shpëtuar jetë njerëzore. Historitë e aksidenteve në rrugë mund të kthehen në histori të fuqishme ndërgjegjësimi për qytetarët”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Tahiri publikoi shifrat e aksidenteve që përfundojnë me humbje të jetës duke i quajtur ato si një “bilanc lufte”.

Ministri tha se “300 njerëz në vit humbasin jetën nga aksidentet rrugore. Ky është një “bilanc lufte”. Rrugët tona vuajnë nga një pasiguri e theksuar, gjë që ka ekzistuar prej mjaft vitesh.”

Këngëtari Ergi Dini humbi jetën bashkë me shokun e vetë, duke udhëtuar me motor, pa kaskë mbrojtëse, gjë që u kushtoi jetën gjatë aksidentit.

Babai i tij Dashamir Dini ka folur për nismën e tij, të cilës i janë bashkuar edhe Ministria e Brendshme dhe Policia e Qarkullimit.

Në ndërhyrjen gjatë emisionit, ministri shtoi se siguria në rrugë nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por duhet të jetë një angazhim i të gjithëve.

rrrrr_1485800069-5613307

“Të kemi një ndërgjegjësim të të gjithë qytetarëve, për përdorimin e rrugëve. Kjo duhet të nisë me edukimin në shkolla të fëmijëve në lidhje me rregullat e trafikut”, deklaroi ai.

Tahiri nënvizoi se vendosja e rripit të sigurisë, respektimi i limitit të shpejtësisë, mospërdorimi i alkoolit, shmangia e celularit, kujdesi për këmbësorët, janë rregulla të lehta për t’u zbatuar, por që shpëtojnë jetë njerëzore.

Në një rrëfim për të parën herë në studion e “Pasdite në Top Channel, Dashamir Dini, babai i Ergit, ka bërë publike kauzën e tij dhe të familjes. Nën moton “Ergi Dini kundër aksidenteve”, kjo kauzë, e para e llojit të saj në Shqipëri, synon të ndërgjegjësojë dhe sensibilizojë çdo përdorues makine apo motori që të jetë i kujdesshëm.

“Nuk dua që ikja e djalit  tim të shkojë kot. Dua ta kthej në kauzë. Marrim informacione nga kronikat e zeza për njerëz që humbin jetën në aksidente rrugore. Vdekja ec vetëm shpejt. Nesë ti ecën shpejt, e ke kapur vdekjen. Njeriu është i rrezikuar kur nuk vë kaskën, rripin e sigurimit, kur flet në celular. Më vjen keq që s’pata mundesi ta ndihmoj djalin tim në atë moment. Këtë dhimbje do t’ua përcjell ju të tjerëve, me anë të një mesazhi: Ruajeni dhe duajeni jetën”, ka apeluar Dashamir Dini.

Babai i Ergit u ndal tek mosvënia e kaskës nga ana e të birit.

“Fakti që s’kanë mbajtur kaskë më dhemb akoma”, tha ai.

Me një mesazh të fortë dhe thirrje që të gjithë prindërit me drama të ngjashme t’i bëhen krah në këtë kauzë, Dashamir Dini deklaroi: “Nësë arrijmë të shpëtojmë jetë me këtë kauzë, më duket sikur do ta ringjall tim bir”.

“Ergi i urrente motorët. Tre javë para se të ndodhte ngjarja më pati thënë që të kishte mundësi fuste në burg çdo përdorues motori. Nuk janë të vërteta as fjalët që u thanë për Kejdin, për shpejtësinë e gjëra të tilla. Askush nuk do të vdesë. Unë për ngjarjen s’kam shpjegim tjetër veçse fetar, që aty e kishte të shkruar”, rrëfeu mes lotëve babai i Ergit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura