“Eqrem Çabeji s’është si Ernest Koliqi! Ishte krijues edhe kriminel”- Fjala e Enver Hoxhës para shkrimtarëve: Arsyeja pse e takova pas 30 vitesh mikun tim të fëmijërisë

Nov 2, 2023 | 17:49
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Mbledhja e shkrimtarëve dhe artistëve në korrik të vitit 1961, ka qënë momenti kur Enver Hoxha është takuar për herë të parë pas 30 vitesh me Eqerem Çabejin, mikun e tij të fëmijërisë. I anatemuar deri atëherë nga regjimi si element antiparti me prirje borgjeze, albanologu i shquar për vite me radhë jo vetëm kishte qënë i shpërfillur nga shefi i partisë me të cilin ishin moshatarë dhe kishin ndarë vitet e fëmijërisë në qytetin e Gjirokastrës, por për një kohë të gjatë ishte vënë nën përgjimin e organeve të sigurimit bashkë me familjen.

eqrem-cabej-enver-hoxha
Eqerem Çabej dhe Enver Hoxha

Mënyra si anashkalon këtë realitet të trisht shefi i partsë në praninë e shkrimtarëve dhe artistëve më në zë të kohës, lë të kuptojë, se pavarsisht ndasive në qasjet politike me akademikun e njohur, vlerson te ky i fundit vlerat shkencore dhe punën studimore sidomos në çështjet e gjuhësisë. “Pavarsisht se Eqrem Çabeji nuk ka qenë në një radhë me ne, nënvizon në takim Enver Hoxha, por krime nuk ka bërë dhe, kur u çlirua vendi, nuk e mori baltën e atdheut në thundrën e këpucëve, sikurse bëri Ernest Koliqi, nuk tradhtoi si ai.

Ishte fare lehtë që ne të merrnim masa kundër tij, por partia këtë nuk e bëri, përkundrazi, e ndihmoi Eqrem Çabejin të vazhdojë punën e tij shkencore”. Përveç këtij aspekti gjithsesi interesant për të pranishmit, kumtimi I udhëhqësit të lartë në atë tubim, është një ligjëratë e gjatë propagandistike e fokusuar te epërsitë e sistemit komunist dhe unitetit të çeliktë të popullit me Partrinë duke cekur hera herës dhe probleme të letërsisë dhe artitit, madje aty-këtu duke tentuar të futet në detaje teknike si në cilësitë e “tetërrokshit” në poezi apo ngjyrave të ndezura në pikturë. Ndër krijimet që kanë lënë gjurmë te udhëheqësi veçonte “Princeshën Argjiro” të Ismail Kadaresë dhe krijimet e Andrea Varfit…

Eqerem Çabej në vitin 1931
Eqerem Çabej në vitin 1931

DOKUMENTI

FJALA E ENVER HOXHËS NË MBLEDHJEN ME SHKRIMTARËT DHE ARTISTËT, 11 KORRIK 1961

Shokë shkrimtarë dhe artistë, dëshiroj t’ju transmetoj përshëndetjet më të përzemërta të Komitetit Qendror të Partisë dhe t’ju siguroj ju se partia dhe udhëheqja e saj, edhe në të ardhmen, do të kujdesen për zhvillimin e kulturës në përgjithësi dhe në veçanti për zhvillimin e letërsisë dhe të arteve në vendin tonë. Ju, shkrimtarët e artistët, bashkë me Partinë, keni kaluar e keni ndierë të gjitha vuajtjet, sakrificat dhe gëzimet e popullit tonë. Gjatë gjithë këtyre viteve, në veprën tuaj ju jeni ndihmuar nga ana ideopolitike e profesionale me të gjitha forcat dhe mundësitë që kanë ekzistuar. Përsa i përket anës materiale, ndihma ka ardhur duke u shtuar e duke u përmirësuar.

Ju, si pjesëtarë të këtij populli, si bashkëluftëtarë të të njëjtit front me klasën punëtore dhe fshatarësinë, keni vënë re se edhe plotësimi i nevojave tuaja materiale ka shkuar gradualisht përpara, krahas përmirësimit të jetës së popullit. Vendimi i fundit i Komitetit Qendror të Partisë është marrë me qëllim që t’u jepet një hov akoma më i madh zhvillimit të letërsisë dhe të arteve në vendin tonë. Ky vendim është pritur mirë nga ju. Kjo është një gjë shumë e mirë, që tregon, se ju jeni bij të denjë të këtij populli, provon edhe një herë se shkrimtarët dhe artistët, në momente të mira e të vështira, ecin të vendosur në rrugën e marksizëm – leninizmit, dhe u qëndrojnë besnikë partisë.

Ç’mendim ka partia për zhvillimin e arteve dhe të letërsisë në vendin tonë gjatë këtyre 17 vjetëve të pasçlirimit? Unë mund të them, se zhvillimi i letërsisë dhe i arteve në vendin tonë ka qenë i vrullshëm në të gjitha fushat. Ky zhvillim i vrullshëm dhe në rrugë të drejtë, brenda një kohe kaq të shkurtër, pa nxjerrë këtej konkluzione mburrjeje, dëshmon për fuqinë krijuese dhe talentin tuaj, të njerëzve të artit e të letërsisë, si dhe për vitalitetin e talentin krijues të popullit tonë.

Njerëzit tanë të letërsisë dhe të arteve janë të thjeshtë, ashtu siç është vetë populli ynë. Por duhet të themi se veprat tuaja, krijimtaria juaj, qoftë në letërsi, muzikë, pikturë, skulpturë, apo në artin skenik, ju nderojnë ju dhe gjithë popullin, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ky është një sukses i madh, sepse, të mos harrojmë, në Shqipëri, gjatë regjimeve antipopullore, ndryshe nga ç’ka ndodhur në vende të tjera, mundësitë për zhvillimin e letërsisë dhe të arteve kanë qenë shumë të kufizuara, për shkak të qëndrimit negativ dhe prapanik të borgjezisë së vendit ndaj letërsisë e arteve dhe mjeteve jashtëzakonisht të pakta që viheshin në shërbim të tyre. Populli ynë ka trashëguar një kulturë të madhe me tradita përparimtare.

Ju e dini mirë se gjatë historisë shumë popuj, bile edhe të mëdhenj, me qytetërim të lashtë, janë zhdukur, ndërsa populli ynë ka rezistuar, sepse ka qenë një popull trim, një popull që gjatë shekujve ka luftuar për t’u mbrojtur, për të fituar e për të ruajtur lirinë, pavarësinë, gjuhën e kulturën e tij. Pavarësisht se kultura jonë nuk ka pasur një zhvillim të tillë, siç e kanë pasur disa popuj të tjerë, populli ynë, një nga popujt më të vjetër, nuk ka qenë pa kulturë. Eshtë e pamundur që një popull pa kulturë të kapërcejë vështirësi aq të mëdha si ato që ka kapërcyer gjatë shekujve populli ynë, vështirësi që rrezikonin shfarosjen e tij. Kishat, megjithëse jo me shkëlqimin e monumenteve të Bizantit, veprat e ikonografisë që ishin lënë në harresë në të kaluarën, përfaqësojnë një pjesë të kulturës së kaluar të stërgjyshëve tanë dhe ne këto vepra arti duhet t’i ruajmë, t’i grumbullojmë, pavarësisht se kanë karakter fetar, ato sot për ne kanë vlerën e një thesari të paçmuar artistik.

Tani në vendin tonë bëhen kërkime arkeologjike në shkallë të gjerë, ndër të cilat gjejmë thesar që tregojnë se populli ynë nuk ka qenë një popull i paditur e pa kulturë, por një popull me kulturë dhe me një shije të lartë artistike. Do të vijë koha kur muzetë tona do të mbushen me vepra të tilla, që do të jenë një trashëgim i pasur dhe i paçmueshëm i kulturës së kaluar të popullit tonë, po për këtë neve na duhet të studiojmë akoma më shumë të kaluarën e shkëlqyer të tij, sepse atje ne gjejmë të shprehur të gjithë jetën, gëzimet, vuajtjet, shijen e tij artistike, luftërat për liri dhe pavarësi, prirjet dhe zakonet që populli ynë ka trashëguar gjenerata pas gjeneratash deri në kohën e sotme. Ç’tregon ky art dhe kjo kulturë e lashtë që ka pasur populli ynë? Unë mendoj se edhe në artet figurative ne kemi një trashëgimi të pasur. Artet figurative e të aplikuara, megjithëse jo siç i kemi sot, kanë ekzistuar edhe në kohët më të errëta, kur vendi ynë ishte i pushtuar nga Turqia.

Gratë e vendit tonë, zanatçinjtë shqiptarë qëndisnin në pëlhura, në filigrame, skalitnin në gur e në dru gjëra aq të bukura artistike saqë ato zënë një vend të shquar në pasurinë e artit tonë popullor. Prandaj edhe në fushën e arteve figurative, që ne e konsiderojmë shumë të re, kemi pasur tradita dhe nuk do të ishte e drejtë të thoshim se traditat në këtë fushë na mungojnë. Po kështu ne kemi tradita edhe në fushën e arkitekturës, e cila, siç dihet, bën pjesë dhe në sferën e artit. Është e vërtetë se tablotë e skulpturat e piktorëve e të skulptorëve tanë janë vepra të bukura artistike, por edhe një pallat apo një shtëpi kulture, e ndërtuar me shije të lartë artistike, si ato që janë projektuar nga arkitektët tanë të talentuar, janë vepra arti, ku duket shija e hollë artistike. Patriotizmi është filli i kuq që përshkon të gjitha aspiratat, përpjekjet dhe krijimtarinë e popullit tonë e të njerëzve të dalluar të tij në çdo lëmë.

Shpirti i flaktë i patriotizmit ka udhëhequr rilindësit shqiptarë që kanë bërë vepra aq të bukura dhe aq të frymëzuara. Rilindësit në krijimtarinë e tyre, janë udhëhequr nga patriotizmi i zjarrtë, nga dashuria e madhe për atdheun dhe për popullin. Frymëzimi i madh i rilindësve, patriotizmi i tyre i kulluar, dashuria e flaktë për atdheun dhe perspektivat që i hapnin me veprat e tyre popullit shqiptar, duhet t’i frymëzojnë edhe shkrimtarët e artistët tanë në krijimtarinë e tyre. Pavarësisht se në veprat e rilindësve ka edhe pikëpamje filozofike të ndryshme të atyre kohëve, me të cilat disa herë ne nuk jemi dakord, ata mbetën tanët dhe të rinj përjetë.

Naim Frashëri mbetet Naim, poeti ynë më i madh që adhurohet nga të gjithë, sepse ai i ka kënduar me patos të madh bukurisë së atdheut, u shkri si qiriu për lirinë, për gjuhën shqipe, ëndërroi, punoi e luftoi për të ardhshmen e popullit tonë, të cilën e bënë realitet Partia e Punës e Shqipërisë me pushtetin popullor. Dhe ashtu si Naimi, i kanë kënduar popullit dhe atdheut tonë me dashuri të madhe edhe shumë e shumë të tjerë shkrimtarë e poetë. Dihet se zakonisht popujt dhe talentet e mëdha krijuese e tregojnë veten më tepër se kurdoherë në momente kthese të rëndësishme. Kështu ka ndodhur edhe te ne. Këto vepra të mrekullueshme të shkrimtarëve dhe të artistëve tanë kanë dalë në momente kthese të jetës së popullit tonë, në periudha revolucionare.

Te ne po bëhen ndërtime me një ritëm të paparë, po zgjerohen e po lindin qytete, fshatarët pothuajse në masë po ndërtojnë shtëpi të reja; po zhvillohet, ose më mirë të themi po krijohet një industri e re e tekstilit, e qilimave, e qeramikës, e qelqit, e drurit etj. Për të gjitha këto tani po mendojnë e punojnë vetëm ato organe shtetërore-shoqërore që interesohen për plotësimin e nevojave të punonjësve. Brezat e ardhshëm do të na kritikojnë në qoftë se nuk mendojmë dhe nuk punojmë që ato që ndërtojmë e prodhojmë të jenë të tilla jo vetëm sa për të plotësuar nevojat imediate, po të kënaqin dhe shijen jo vetëm të brezave të sotëm, por dhe të atyre të ardhshëm.

Ka ardhur koha që organet e projektimit, për shembull, në planet e tyre të udhëhiqen jo vetëm nga kuotat financiare e normat e caktuara teknike, por duke u mbështetur në to, të organizojnë sa më shumë konsultime në mes tyre si dhe me studiuesit dhe me njerëzit e krijimtarisë, me ekzekutuesit artistikë, bile edhe me vetë punonjësit, intelektualët, gratë, të rinjtë etj., në mënyrë që ndërtimet tona, qytetet, fshatrat, banesat, institucionet shoqërore-kulturore, parqet etj., të jenë sa më të bukura, që të kënaqin e të edukojnë shijen artistike te njerëzit tanë dhe brezat e ardhshëm të shohin në to talentin e punës krijuese të arkitektëve, të inxhinierëve, të mjeshtrave dhe përgjithësisht të njerëzve të krijimtarisë artistike të kohës sonë.

Uniteti i shkrimtarëve e i artistëve me çështjen e popullit dhe të Partisë është i pathyeshëm. Durim të madh ka pasur partia me njerëzit. Pas 30 ose 35 vjetësh, unë i dhashë dorën një mikut tim të vjetër, Eqrem Çabejit. Këtë nuk kam pasur rast ta bëja më përpara. Eqremi mori një kulturë gjermane kur ishte i ri dhe mori rrugën e tij në jetë ashtu si e gjykonte ai, rrugë e ndryshme nga ajo jona. Është fakt se ai nuk ka qenë në një radhë me ne, por krime ai nuk ka bërë dhe, kur u çlirua atdheu, nuk e mori baltën e atdheut në thundrën e këpucëve, sikurse bëri Ernest Koliqi; Eqremi nuk tradhtoi si ai. Ishte fare lehtë që ne të merrnim masa kundër tij, por partia këtë nuk e bëri, përkundrazi, e ndihmoi Eqrem Çabejin të vazhdojë punën e tij shkencore. Eqrem Çabej është një shkencëtar, njeri me kulturë të gjerë.

Ai po sheh ç’bëhet në vendin tonë, si ia ka ndërruar dhe po ia ndërron Partia vazhdimisht faqen vendit tonë. Unë jam i bindur, duke u bazuar në njohjen që kam për të, se ai është i kënaqur kur sheh që krahas tij janë ngritur njerëz të rinj me vlerë, kuadro të rinj shkencorë në atë fushë për të cilën ka punuar e me të cilët ai mund të diskutojë. Unë jam gjithashtu i bindur se në qoftë se ai i futet edhe më thellë studimit të shkencës së madhe të marksizëm-leninizmit, do ta ketë më lehtë të orientohet edhe në zgjidhjen e problemeve të shkencës së gjuhësisë. Mund të sjell edhe një shembull tjetër, të një njeriu të një kategorie tjetër, për të treguar drejtësinë e vijës së Partisë, e cila jo vetëm e bëri popullin një e të pandarë rreth saj, por bëri që edhe mjaft nga kundërshtarët tanë të ndryshojnë pikëpamjet e tyre.

Një person me kulturë të gjerë dhe me karakter jo të dobët, për fajet që kishte kryer gjatë pushtimit fashist, ishte dënuar me burgim. Pasi mbaroi dënimin, u lirua, dhe me autobus shëtiti në të katër anët e vendit, ku pa qytete të reja, fabrika, hidrocentrale, rrugë, kanale, fusha e të tjera. Pas kësaj, ai i drejtoi një letër Komitetit Qendror të Partisë, ku i shkruan se “tani që u lirova, shëtita në të katër anët e vendit, pashë të gjitha ato mrekulli që janë bërë nga populli ynë gjatë viteve pas çlirimit. Te unë ngjau një ndryshim i madh, u bë një transformim në pikëpamjet e mia dhe jam i bindur se, sikur ta kishim pushtetin në dorë ne, nuk do të kishim bërë kurrë vepra të tilla. Për të arritur këto rezultate, duhej një forcë e madhe dhe e zgjuar që ta udhëhiqte popullin”.

Në letër ai shkruante edhe plot gjëra të tjera dhe, duke përfunduar, i lutet Partisë që letra e tij të botohet. “Do të ketë njerëz, thotë ai, që do të thonë se ja, edhe unë e ula kurrizin, por unë do t’u them atyre se, fundi i fundit, unë i përulem popullit tim, vëllezërve të mi, komunistëve shqiptarë, nën drejtimin e të cilëve u ngritën këto gjëra të mrekullueshme, të cilat ne nuk do t’i bënim dot kurrë”.

Ky nuk është një njeri i thjeshtë, por emrin e tij nuk do t’jua tregoj. Edhe letrën e tij nuk e botuam, sepse Partia këtë njeri, që e dënuan drejtësisht ligjet e Partisë dhe të shtetit, e bëri njeri të ri dhe do ta mbrojë, sepse ne duam që askush të mos e fyejë tani që po hyn me të vërtetë në një jetë të re. Politika që ka ndjekur partia, deri në ata njerëz që kanë dalë nga burgu, është një politikë e drejtë, që e ka lidhur ngushtë atë me popullin. Letërsia dhe artet, duke ecur përpara në rrugë të drejtë, pasurohen çdo ditë e më shumë. Në jetë ka shumë kontradikta, të cilat ju duhet t’i zbuloni dhe të tregoni rrugën e zgjidhjes së tyre.

Raporti që mbajti në këtë mbledhje shoku Ramiz Alia, duhet të konsiderohet si diçka që plotëson vendimin e Komitetit Qendror të Partisë mbi letërsinë dhe artet. Ju mund të keni edhe vërejtjet tuaja, pikëpamjet tuaja për diçka që ndoshta duhet ndrequr akoma më tej, na i bëni ato që t’i ndreqim. Ju keni edhe organet tuaja ku mund të drejtoheni, por ju mund t’i drejtoheni edhe Komitetit Qendror për një çështje të caktuar. Se ç’madhështi po krijohet në vendin tonë, ne po e jetojmë vetë. Kudo ka poezi, kudo ka novatorizëm dhe askush nuk ka të drejtë dhe nuk mund ta pengojë atë. Vetëm se duhet që ky novatorizëm të ecë në rrugë të drejtë, duke respektuar parimet e realizmit socialist; duhet që vepra të jetë e thjeshtë, e qartë, madhështore, mobilizuese, të edukojë e t’i hapë popullit perspektivën.

Kjo ka rëndësi të madhe dhe këtë ne e gjejmë kudo. Novatorizmin ta kuptojmë ashtu siç e kupton punëtori novator. Në rast se punëtori apo tekniku novator kërkon të përmirësojë tornon, makinën, aeroplanin dhe nuk bazohet në shkencën, teknikën, në traditat e saj, atëherë nuk mund të ketë përparim tekniko-shkencor. Prandaj, asnjë njeri nuk ka të drejtë të pengojë novatorizmin, por njëkohësisht nuk duhet të hidhen poshtë traditat e mira të së kaluarës. Novatorizmi asnjëherë nuk duhet barazuar me mohimin e traditës. Ju duhet të tregoni kujdes të madh për brendinë. Ka rëndësi të madhe që vepra të dalë e bukur, e qartë, e kuptueshme, por ajo duhet të ketë edhe një brendi të shëndoshë, edukuese, të jetë e qartë dhe e dobishme për masat.

Shoku Andrea Varfi, kur diskutoi, theksoi se atij i pëlqen tetërrokëshi. Edhe mua më pëlqen tetërrokëshi në poezi, edhe dhjetërrokëshi dhe kur dëgjova diskutimin e shokut Andrea i thashë në pushim se unë jam dakord me pikëpamjen e tij. Atëherë Andrea iu kthye shokëve dhe u tha me shaka: “Flitni tani po të doni”. Por në fakt, ai u gabua dhe e vërteta është se dolën shokë e folën, diskutuan dhe mbrojtën me zjarr pikëpamje të kundërta. Dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Kur dëgjova diskutimet e disa shokëve, të them të drejtën, veç për një gjë nuk më erdhi mirë që doli sikur çështja shtrohet “të rinj” dhe “të vjetër”. Në fakt, disa nga ju janë të rinj, disa të tjerë janë të kaluar nga mosha, por unë mendoj se te ne nuk është problem çështja “të rinj” dhe “të vjetër”.

Të rinjtë me dinamizmin dhe gjallërinë e tyre bëjnë mirë që na shkundin ne më të vjetërve. Për këtë ne duhet t’u jemi mirënjohës atyre. Dinamizmi i shokëve të rinj është një thesar i madh për Partinë dhe për popullin tonë. Ju, shokë të rinj, duhet të dini se edhe shokët e moshuar kanë kaluar në këto faza që jeni duke kaluar ju tani. Unë i kam lexuar disa vjersha të Ismail Kadaresë. Kam lexuar, për shembull, atë që i’a ka kushtuar Kalasë së Gjirokastrës, “Princesha Argjiro”, e cila më ka pëlqyer, mbase sepse jam nga Gjirokastra. Kam lexuar edhe vjersha të tjera të Kadaresë, të cilat më kanë pëlqyer dhe kam përshtypjen se ai është një i ri me talent.

Mua më vjen keq që nuk më kujtohen vjershat e disa shokëve që njoha e dëgjova këtu. Diskutimet tuaja në këtë mbledhje më shtyjnë t’ju siguroj se këtej e tutje do t’i lexoj edhe më me kujdes veprat tuaja. Unë mendoj se është një punë e mirë që të diskutoni ndërmjet jush për problemet që ju dalin përpara, sepse nga diskutimet shoqërore del gjithmonë diçka e re, e mirë. Shokët Andrea Varfi, Llazar Siliqi ose të tjerë të kësaj kategorie nuk zemërohen nga diskutimet që u bënë këtu prej disa shokëve. Por, unë desha t’u them edhe të vjetërve edhe të rinjve se, në qoftë se do të bëjnë vjersha që u përngjasin atyre që bëjnë dekadentët borgjezë, kjo do të jetë me të vërtetë e neveritshme, vjersha të tilla janë për t’u hedhur poshtë, sepse ato e pengojnë zhvillimin e poezisë sonë dhe i edukojnë keq masat.

Por nga sa di unë deri tani në krijimtarinë letrare e artistike nuk ka pasur ndonjë gjë të keqe. Në qoftë se ka disa vjersha jo të mira, ju shokët me një talent më të afirmuar, mos i rezervoni kritikat kundrejt tyre, ndryshe do të bënit një gabim të madh. Gjithashtu, edhe më të rinjtë do të mbanin një qëndrim të gabuar në rast se nuk do të dëgjonin kritikat e shokëve më të vjetër dhe më me experience. Prandaj, shokët e rinj kërkuan fakte për të argumentuar se ku nuk janë kombëtare vjershat e tyre dhe, duke qenë se faktet nuk dolën, ata futën disa gjilpëra të holla, duke i quajtur shokët e vjetër si konservatorë, që u mbyllin rrugën të rinjve.

Në qoftë se një vepër pranohet nga populli, pëlqehet prej tij, atëherë ajo është në rregull. Nëse e bën poezinë me tetë, me dhjetë apo me dymbëdhjetë rrokje, me vargje të lira apo me rimë, kjo varet nga autori. Mund të ketë shkrimtarë e artistë që, kur krijojnë, mendojnë se si do ta presë krijimin e tyre ky apo ai shkrimtar ose artist. Kjo është një. gjë e mirë, sepse tregon që ata kanë respekt për të tjerët, për ata që kanë një eksperiencë të madhe krijuese.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura